E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel:BE të mos zgjerohet më

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel është shprehur se Bashkimi Europian nuk duhet zgjeruar më. Në një manifest me rastin e zgjedhjeve europiane më 7 qershor, partia konservatore e kancelares gjermane Angela Merkel ka kërkuar që të pushojë zgjerimi i Bashkimit Europian pas hyrjes së Kroacisë në familjen e madhe europiane. Merkel ka deklaruar ditën e martë se ndonëse vendet tjera të Ballkanit Perëndimor kanë gjasa për anëtarësim, por kjo do të zgjasë. "Ne e dimë se stabiliteti, qoftë në Serbi, Kosovë, Mal të Zi apo në vendet tjera, mund të garantohet vetëm nëse ato kanë gjasa për të hyrë në Bashkimin Europian, por kjo do të zgjasë disa vite", ka thënë kancelarja gjermane Merkel. Gjithashtu Merkel ka mbështetur angazhimet e Komisionit Europian që kontesti kufitar Slloveni - Kroaci të zgjidhet sa më shpejt që është e mundur përmes bisedimeve, të cilat do t'i udhëhiqte ish-ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari. Duke mos dashur të flasë nëse ky problem do të shtyjë pranimin e Kroacisë në BE, kancelaria Merkel theksoi se "negociatat duhet rrjedhur në mënyrë të qetë dhe ashtu që në fund të arrihet zgjidhja e pranueshme për të dyja palët". Sllovenia ka bllokuar aderimin e Kroacisë në BE, për shkak të kontestit kufitar në Gjirin e Piranës, i vjetër që nga koha e ish-Jugosllavisë. BE ka aktualisht 27 vende anëtare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›