Merkel,propozon bisedime Rusi-BE për mbrojtjen
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka propozuar fillimin e konsultimeve mes Bashkimit Europian dhe Rusisë përsa i përket çështjes së mbrojtjes, me qëllim përmirësimin e besimit reciprok. "Propozoj që në kuadër të politikës europiane të përbashkët për mbrojtjen dhe sigurinë, ne të fillojmë konsultime të rregullta me Rusinë", deklaroi Merkel. "Këto konsultime kanë si qëllim të riforcojnë besimin me Rusinë. Ne nuk jemi kundërshtarë dhe lufta e ftohtë ka përfunduar. Partnerët e NATO-s dhe Rusisë janë përballur në pjesën më të madhe me të njëjtat kërcënime përsa i përket sigurisë", theksoi Merkel. Gjatë vizitës së presidentit rus Dimitri Medvedev në Berlin, kancelarja gjermane ishte shprehur se do të diskutonte javën e ardhshme për këto probleme, gjithashtu edhe për propozimet ruse përsa i përket një arkitekture të re për sigurinë në Europë. Ndërkohë, sipas Merkel, Afganistani është prova më e rëndësishme për NATO-n sot, dhe nuk duhet të paraqitet më si një kërcënim terrorist për sigurinë e anëtarëve të Aleancës. "Afganistani është prova më e rëndësishme për NATO-n sot. Suksesi i operacionit të NATO-s është i qartë. Ne nuk duhet të lejojmë që Afganistani të paraqitet si një kërcënim terrorist për sigurinë e anëtarëve të Aleancës", shpjegoi kancelarja gjermane Merkel para samitit të 3 dhe 4 prillit, ku Aleanca e Atlantikut Verior do të përkujtojë 60-vjetorin. Ajo kujtoi se atentatet e 11 shtatorit në SHBA, ku si pasojë humbën jetën rreth 3 mijë persona ishin përgatitur në Afganistan.