E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia trajnim me median për zgjedhjet

31/05/2005  TIRANË- Policia kërkon nga media paanshmëri gjatë përcjelljes së informacionit në fushatën zgjedhore. Në një seminar të organizuar dje paradite në Akademinë e Rendit, ministri i Rendit, Igli Toska dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, thanë se nëse vihen re shkelje të policëve, duhen raportuar nga qytetarët. "Unë do të kërkoja nga ju vëmendje absolute në këtë kurs, në mënyrë që të rrisni aftësinë e gjykimit, reagimit dhe komunikimit, ndaj çdo lloj informacioni të publikuar apo transmetuar. Transparenca mbi punën e strukturave të policisë gjatë këtij procesi zgjedhor, duhet të jetë maksimale, e sinqertë dhe e hapur. Duhet të bindeni se në këtë periudhë ju

keni më shumë forcë edhe se vetë ministri", u tha Toska gazetarëve. Me terma më konkretë ka folur drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Bajram Ibraj. Ai theksoi se, "sipas legjislacionit, Policia e Shtetit gjatë procesit zgjedhor ruan qendrat e votimit gjatë natës, para ditës së votimit, duke filluar që nga momenti kur në KQV mbërrijnë materialet zgjedhore deri në momentin kur KQV fillon veprimet paraprake për çeljen e votimit, ruan selinë e KZZ që nga momenti kur në të mbërrijnë materialet e votimit deri në ditën e zgjedhjeve. Ruajtja e saj bëhet nga ora 20.00 deri në orën 07.00 të ditës së nesërme. Po ashtu ruan ambientin e vendit të numërimit të votave që nga ora 19.00 e ditës së zgjedhjeve deri në momentin e shpalljes së rezultatit nga KZZ". Ibraj premtoi se Policia e Shtetit angazhohet se do të jetë në vazhdimësi e hapur, transparente dhe profesionale me median, ndërsa kërkoi nga kjo e fundit korrektësi në dhënien e informacionit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›