E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rrëshen-Kalimash”, ratifikohet huaja prej 230 milionë eurosh



Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ratifikoi dje marrëveshjen e huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe “Alpha Bank A.E” dhe “NBG S.A”, për huan 230 milionë euro për financimin e projektit të rrugës “Rrëshen-Kalimash”. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, u shpreh se pas shqyrtimit dhe vlerësimit të të gjitha ofertave të ardhura nga bankat rezultoi se oferta e përbashkët e “Alpha Bank” dhe “National Bank of Greece” ishte oferta më e mirë përsa i përket termave të kreditimit dhe të sigurimit të shumës së kërkuar të kredisë. Sipas Shehut, “shpallja e ofertës fituese është bërë që në qershor të vitit të kaluar, por duke qenë se buxheti i vitit 2007 kishte fonde të mjaftueshme për financimin e vlerës së punimeve, sipas kontratës përkatëse, marrëveshja e huas me Alpha Bank dhe NBG u përfundua në fillim të muajit prill të këtij viti”. Shehu sqaroi gjithashtu se termat e kredisë së dhënë nga këto dy banka janë, principali 230 milionë euro, maturimi 15 vjet, periudha “a” pagesë principali 5 vjet, shlyerja është parashikuar me 10 këste të barabarta vjetore, ndërsa interesi është euribor plus 1.25 për qind. Sipas tij, interesi i ofruar nga këto banka është i përafërt me ato që ofrojnë institucionet financiare ndërkombëtare për zhvillim si BERZH-i, BB-ja, etj.
Zëvendësministri i Financave, Shehu, shpjegoi se kjo është tregtia e parë tregtare që marrim në tregun ndërkombëtar, pasi këtë vit Shqipëria kalon nga vendet me financime të buta, ose vende me financimin e statusit për reduktimin e varfërisë, në vende që kanë akses në tregun e kapitaleve. Projekti parashikon ndërtimin e segmentit rrugor “Rrëshen-Kalimash”, të gjatë 60 km me katër korsi dhe me tunel bidireksional. Për procesin e ndërtimit është kontraktuar "Bechtel & Enka".

22 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›