E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kushtëzimi i dhënies së certifikatës me pagesat e taksave lokale iu largon nga puna”

Ministri i Brendshëm paralajmëron prerë punonjësit e gjendjes civile

Nishani: U bëj përsëri thirrje qytetarëve të paraqiten sa më parë për të aplikuar. Zyrat do të jenë të hapura edhe gjatë ditës së shtunë dhe të dielë deri në orën 18:00. Përfaqësuesi i PD-së në komisionin e posaçëm zgjedhor, Fatos Hoxha: Edi Rama të mos sabotojë pajisjen e qytetarëve me karta

Në kuadrin e shumë masave të ndërmarra deri më tani si dhe komunikimit të disahershëm me publikun sërish dje ministria e Brendshme ka treguar transparencën e saj me qytetarët për pajisjen e tyre me karta identiteti si dhe mbarëvajtjen e procesit dhe paralajmëruar punonjësit e gjendjeve civile për të mos bllokuar shtetasit për tu pajisur me certifikata për kapriçot e pushtetarëve vendorë. Vet ministri Nishani ka dal para mediave duke deklaruar se “jam sot këtu për të informuar qytetarët se zyrat e aplikimit për letërnjoftimin elektronik do të jenë të hapura edhe gjatë ditës së shtunë dhe të dielë. Gjatë të gjitha ditëve zyrat do të punojnë deri në orën 18:00 për t’u dhënë kështu të gjithë mundësinë qytetarëve pa pasaportë për të aplikuar për  letërnjoftimin. Së dyti, do t’u bëj përsëri thirrje qytetarëve që nuk kanë pasaporta për jashtë shtetit të paraqiten sa më parë për të aplikuar, pasi ulja e çmimeve nga qeveria për kategoritë që kemi përcaktuar është e vlefshme deri në fundin e muajit Prill, më pas ata nuk do ta përfitojnë uljen dhe të tjerët do të kenë sanksionet që ne kemi parashikuar, që do të thotë se nuk do të marrin asnjë shërbim që u duhet nga zyrat e shtetit”. Më tej ministri i Brendshëm shtoi se “asnjë punonjës i zyrave të Gjendjes Civile të mos kushtëzojë dhënien e certifikatës me pagesat e taksave lokale. Në çdo rast që do të identifikohet kjo praktikë ndaj punonjësit të gjendjes civile do të merret masa administrative e pezullimit nga puna”. Ndërkohë zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, theksoi të premten se procesi i aplikimit për kartat e identitetit po ecën me ritme të kënaqshme, por ai ripërsëriti thirrjen që qytetarët të aplikojnë sa më shpejt për këto dokumente. Pas mbledhjes së komisionit të posaçëm parlamentar për infrastrukturën zgjedhore, zv/ministri Poni, duke informuar deputetët për ecurinë e këtij procesi, kërkoi prej tyre që të ndikojnë në lidershipin përkatës politik për të mbështetur procesin. "Lidershipi i partive politike, sidomos atyre opozitare, t’iu bëjnë thirrje simpatizantëve të tyre që të shkojnë e të aplikojnë për karta dhe më pas t’i tërheqin ato nga zyrat e shpërndarjes së njësive vendore. Ne kemi në zyrat tona të shpërndarjes gati 248 mijë letërnjoftime, nga të cilat  janë tërhequr vetëm 110 mijë", tha zv/ministri Poni. Në informacionin e tij për komisionin parlamentar zyrtari i lartë i Ministrisë së Brendshme, tha se  "sistemi i kartave të identitetit është i shtrirë në të gjithë vendin dhe punon me kapacitet të plotë. Sot kemi në punë mbi 410 stacione aplikimi në të gjithë vendin, në gati 300 njësi vendore, që mundëson realizimin e një numri më të lartë aplikimesh". "Në Tiranë, nga 80 mijë shtetas të evidentuar pa pasaportë, më shumë se 60 mijë prej tyre tashmë kanë aplikuar. Po ashtu, sistemi i shpërndarjes funksionon kënaqshëm. Afati mes momentit të aplikimit për kartë dhe shpërndarjes së saj llogaritet në rreth dhjetë ditë", tha zv/ministri Poni. Ndërkohë edhe përfaqësuesi i PD-së në komisionin e posaçëm parlamentar për infrastrukturën zgjedhore, Fatos Hoxha, tha dje se "Edi Rama po saboton procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti". Pas mbledhjes me dyer të mbyllura të këtij komisioni, deputeti Hoxha, duke vënë në dukje ecurinë e mirë të këtij procesi, theksoi se pengesë kryesore e tij është kryetari i PS-së, Edi Rama. "Deri në këto momente kryetari i PS-së, Edi Rama nuk i ka bërë thirrje anëtarëve të PS-së e militantëve të majtë që të shkojnë e të aplikojnë. Në të kundërt, ai ka nxjerrë në të gjithë Shqipërinë satelitët e tij që të mos marrin pjesë në proces, me qëllimin e vetëm bllokimin e tij dhe për të treguar se Qeveria po dështon në këtë proces. Mund të them se ky është një sabotim i pastër", tha deputeti demokrat. Sipas z. Hoxha, kreu i PS-së "ka shpërndarë urdhër në të gjithë të zgjedhurit lokalë të PS-së që të bllokojnë pajisjen e shtetasve me çertifikatë, dokument i nevojshëm për aplikim, duke i afishuar çertifikatës taksa vendore, disa herë më të larta se çmimi i vetë kartës. I bëj thirrje z. Rama që të heqë dorë nga kjo lojë e të mos i prishë festën shqiptarëve, pasi 28 qershori do të jetë çertifikata e tyre për anëtarësimin e vendit në BE".

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›