Anëtarësimi i Shqipërisë në BE një proces i pandalshëm

Kryeministri Sali Berisha deklaroi të enjten në mbrëmje se "anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një proces i pandalshëm dhe që duhet të bazohet në merita". I ftuar përballë një paneli gazetarësh në një emision televiziv, Kryeministri Berisha u shpreh se "anëtarësimi në NATO dhe integrimi në Bashkimin Europian nuk janë procese të njëjta, pasi anëtarësimi në BE është më kompleks. Anëtarësimi në NATO është një platformë me një pakt pozitiv për të gjitha proceset e ardhshme për këtë vend, pasi ky anëtarësim është mbi të gjitha besim për Shqipërinë dhe shqiptarët. Është besim nga BE, investitorë e institucione ndërkombëtare", u shpreh Kryeministri Berisha. Duke u ndalur te procesi i integrimit të vendit në BE, Kryeministri Berisha u shpreh se "janë dy faktorë që nuk e pranojnë ngutjen për në BE, që kanë të bëjnë me krizën ekonomike që po rrit papunësinë dhe me procesin e Lisbonës". Lidhur me lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, Kryeministri Berisha garantoi se "procesi i liberalizimit të vizave do të jetë gjashtë mujorin e dytë të vitit 2009, pra në mandatin e dytë të qeverisë, ose gjashtë mujorin e parë të vitit të ardhshëm. Gjëja e parë që mund të bëjmë është të marrim kartat dhe të dëshmojmë një proces të përfunduar. Dua t'ju garantoj që ky është një proces i pandalshëm dhe aplikimi është i pandalshëm", u shpreh Kryeministri Berisha. Për sa i përket aplikimit për statusin e vendit kandidat, Kryeministri Berisha u shpreh se "Shqipëria do të aplikojë sepse ka ratifikuar MSA-në, i jemi përgjigjur me mundësitë tona Bashkimit Europian dhe Komisioni Europian i ka dhënë dritë jeshile për aplikimin. Ne nuk hyjmë në shtëpi pa trokitur. Aplikimi do të bëhet në ujdi me BE-në. Evropa është bashkim i 27 vendeve, mund të mos kenë mendje të njëjta", u shpreh Kryeministri Berisha. Në përfundim, Kryeministri Berisha citoi kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila ka theksuar se "integrimi në BE është një proces që ka rregullat e veta". "Interesi më i madh aktualisht është që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme", tha Kryeministri Berisha.
...