Qeveria ka investuar 6.5 milion dollarë për infrastrukturën arsimore në Korçë
“Për Tiranën, kanë qenë në dispozicion 24 milion dollarë investime nga Këshilli i Europës, krahas granteve të tjera apo fondeve të buxhetit. Kudo po realizohet ndërtimi i shkollave, ndërkohë që kjo nuk po ndodh në Tiranë, sepse trojet e shkollave nuk kanë përqindje.”
Kryeministri Berisha vizitoi sot qytetin e Korçës, ku mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të disa investimeve të rëndësishme në infrastrukturën arsimore të qytetit, me vlerë rreth 1.95 milion dollarë.
Kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e punimeve të shkollës së “Re”, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 1 milion dollarë; inaugurimin e rikonstruksionit dhe të zgjerimit me ambiente të reja të shkollës “Sevasti Qiriazi”, me vlerë 65 milion lekë dhe rikonstruksionit të konviktit të shkollës profesionale “Demir Progri”, investim me vlerë 30 milion lekë.
Kryeministri Berisha vizitoi ambientet e brendshme të shkollave, të pajisura me laboratorë të ndryshëm mësimorë dhe kabinet informatike, duke i konsideruar ato mjedise bashkëkohore të mësimdhënies, të standardeve evropiane.
Vetëm në vitet 2006-2008, për arsimin në qarkun e Korçës janë investuar nga buxheti i shtetit 6.5 milion dollarë. Vetëm për zhvillimin e arsimit profesional janë investuar nga qeveria 2.2 milion dollarë.
Kryeministri Berisha tha se një ndër objektivat ka qenë ulja e numrit të nxënësve në klasa dhe ky objektiv po realizohet, kur sot numri i nxënësve në klasa është 25-35 nxënës. Ndërkohë, Kryeministri shprehu keqardhjen që ky objektiv nuk po gjen realizim në Tiranë.
“Kam kënaqësi kur më informojnë autoritetet vendore se ky objektiv është drejt realizimit, ndërkohë në Tiranë ekzistojnë probleme, jo për shkak të fondeve, sepse ne i kemi dhënë Tiranës fonde për arsimin më shumë se çdo rrethi tjetër. Sigurisht që i takon se është rrethi më i madh. Ju më informuat se për qarkun e Korçës kanë qenë në dispozicion 6.5 milion dollarë investime, për Tiranën 24 milion dollarë investime nga Këshilli i Europës, krahas granteve të tjera apo fondeve të buxhetit. Kudo po realizohet ndërtimi i shkollave, ndërkohë që kjo nuk po ndodh në Tiranë, sepse trojet e shkollave nuk kanë përqindje dhe kjo është arsyeja. Megjithatë, ne do të bëjmë përpjekje që edhe Tirana të gjejë mënyrat për ta realizuar këtë objektiv. Tirana, si kryeqyteti i vendit, duhet të ishte në krye të përpjekjeve në këtë drejtim. Sërish, ne nuk do të pranojmë që nxënësit e Tiranës të mësojnë në shkolla pa kushte, ku mungon ngrohja, ndërkohë që në çdo rreth ku kam vizituar shkolla, ato kanë qenë me sistem ngrohjeje dhe standarde të tjera të nevojshme,” u shpreh Kryeministri.
Duke vizituar ambientet e brendshme të konviktit të shkollës “Demir Progri”, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë se pas rikonstruksionit të tij, konvikti ofron kushte të standardeve më të mira për nxënësit që ndjekin këtë shkollë. Kryeministri tha se në 2-3 muaj, përfundon ndërtimi i 8-të konvikteve në të gjithë vendin.
“Pas rikonstruksionit u arrit standardi dy nxënës në një dhomë dhe kjo përbën një arritje të madhe. Në vitin 2006, qeveria vendosi ndërtimin e një zinxhiri të tërë konviktesh në mbarë vendin. Gjatë këtyre 2-3 muajve, përfundon ndërtimi i 8 konvikteve në mbarë vendin dhe ne jemi të gatshëm të ndërtojmë aq konvikte sa janë të nevojshëm, në mënyrë që fëmijët e zonave të largëta të shkollohen në qendrat e qarqeve,” u shpreh Kryeministri, duke premtuar se edhe në konvikte do të vendosen kabinete informatike, për t’u mundësuar nxënësve të punojnë edhe pasdite në kompjuter dhe të shfrytëzojnë kohën në mënyrë racionale.
Berisha: T’i orientojmë të rinjtë drejt arsimit profesional, si një kusht jashtëzakonisht i rëndësishëm për t’iu përgjigjur tregut të punës
Gjatë vizitës në shkollën profesionale “Demir Progri” në Korçë, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me trupën pedagogjike të saj. Kryeministri interesua për mbarëvajtjen, zhvillimet dhe problematikat e kësaj shkolle, duke theksuar se pikërisht mësuesit janë misionarët e kësaj fushe jetike përe vendin. Ai siguroi edhe edhe njëherë se qeveria do të mbështesë plotësisht çdo nevojë për shkollat e Korcës dhe të mbarë Shqipërisë.
Mësuesit e falënderuan Kryeministrin për këtë vizitë në shkollën e tyre, duke e vlerësuar atë dëshmi të seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e Kryeministrit në drejtim të zhvillimit të arsimit dhe përkrahjes për mësuesit shqiptarë. Ata theksuan se pa mbështetjen dhe kontributin e tij personal dhe të qeverisë që ai drejton nuk mund të realizohej reforma në arsim dhe ai nuk mund të pësonte ndryshime rrënjësore.
Kryeministri Berisha tha se pas rreth katër vitesh, i është përmbajtur premtimeve të tij në fushën e arsimit. “Kam qenë dhe jam i vetëdijshëm që problematika e arsimit është shumë e madhe, - u shpreh Kryeministri - por përcaktimi ynë, katër vite më parë, që do ta fillonim nga mësuesit, ishte një përcaktim shumë i drejtë. Ne iu përmbajtëm këtij premtimi, ne e nisëm nga mësuesi dhe sërish do vijojmë me mësuesin, sepse nuk mund të ketë reforma dhe realizime në arsim, përveçse duke pasur në epiqendër mësuesin. Ky është koncepti im dhe mendoj se është koncept shumë i drejtë.”
Kryeministri tha se në katër vitet e ardhshme, përpjekjet do të përqëndrohen në hapjen ndaj sektorit privat në arsim, në mënyrë që ky sektor të angazhojë sa më shumë fonde, duke e çuar kontributin në arsim deri në 8 për qind të PBB-së dhe të mund të shumëfishohet financimi për arsimin.
Një tjetër drejtim i reformës në arsim, u shpreh Kryeministri, është rritja e cilësisë së mësimdhënies.“Ne do të bëjmë çdo gjë për ta bërë shkollën gjithnjë e më serioze. Kemi arritur të ulim numrin e nxënësve në klasa, shtrirjen e internetit në çdo shkollë. Pavarësisht se jemi një vend me halle të padiskutueshme, duhet të zgjedhim rrugët më të shkurtra për t’i kapërcyer ato dhe një nga këto rrugë është mosha dixhitale, punësimi dhe përmirësimi i shërbimit. Në qoftë se ne duhet të vrapojmë drejt zhvillimit dhe të kapim vende të tjera, duhet të ecim drejt standardeve.”
Gjatë bashkëbisedimit, Kryeministri u ndal në rëndësinë e zhvillimit të arsimit profesional. “Shkatërrimi i rrjetit të shkollave bujqësore, - tha Kryeministri - bëri që arsimi profesional të marë një goditje të rëndë. Ato duhet të zëvendësosheshin me profesionin që kërkon tregu. Këtë ne duhet ta shohim me përparësi. Drejtori i Drejtori i Arsimore Korçë më informoi se 1/3 e investimeve në rrethin e Korçës është bërë në arsimin profesional. Por duhet të kemi të qartë se kudo arsimi profesional është 50 për qind me 50 për qind. Ne duhet t’u ngjallim të rinjve dashurinë për arsimin profesional. Nëse këtë proces nuk e fillojmë në shkollat fillore dhe 9 vjeçare, sërish do të mbetemi në nivel të ulët në arsimin profesional. Sot, ne jemi një vend i lirë, të rinjtë mund të punësohen kudo, mund të ndjekin studimet kudo, me shkëputje ose pa shkëputje nga puna, ndaj duhet të përpiqemi t’i orientojmë ata drejt këtij arsimi, t’i nxisim ata dhe t’u ngjallim dashurinë për arsimin profesional. Ky është një kusht jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ne, nëpërmjet arsimit profesional, i përgjigjemi tregut dhe punësimit. Gjatë viteve që vijnë ne do të përqendrohemi në këtë aspekt. Ne besojmë se investimi më produktiv dhe i frytshëm për të sotmen dhe të ardhmen është investimi në arsim. Është njëkohësisht një nga mekanizmat më të rëndësishëm të luftës kundër varfërisë. Ne duhet t’i shkollojmë njerëzit, sepse është e faktuar se përqindta e të vafërve është shumë më e madhe tek njerëzit e pa shkolluar, sesa tek të shkolluarit.”
Kryeministri u infdormua se rrethi i Korçës ka arritur të ketë 28-30 përqind të arsimit profesional, ndërkohë që para 4 vitesh ka qenë 15 për qind dhe kur mesatarja e vendit është rreth 22 për qind. Kryeministri Berisha përshëndeti këtë arritje dhe kërkoi inkurajimin e mëtejshëm të nxënësve për t’u afruar në këto shkolla.
“Eksperienca pozitive e Korçës duhet të transferohet në qytete të tjera të mëdha të vendit. Shifra për shtrirjen e arsimit profesional në këtij rrethi është shumë inkurajuese, ndërkohë që në shkallë vendi ajo është 22 për qind. Kjo na jep shpresë që gjatë katër vjeçarit të ardhshëm të kapim shifrën 40 për qind,” u shpreh Kryeministri.
Fjala e plotë e kreut të qeverisë
Së pari, dëshiroj t’ju uroj gëzuar shkollën e re, një shkollë e bukur, siç jeni dhe siç ju e meritoni. Kjo shkollë është një investim prej rreth 1 milion dollarë. Së bashku me shkolla të tjera të ndërtuara në rrethin e Korçës e mbarë Shqipërisë, kjo është shkolla e 1012 që ndërtohet apo rindërtohet gjatë këtyre 4 viteve në mbarë vendin.
Këto 3 vjet e 8 muaj kanë qenë vitet e përqendrimit të madh të qeverisë sime në reformën e sistemit arsimor. Asgjë nuk mund të jetë më serioze për një komb e shoqëri, sesa arsimi dhe ne jemi përpjekur ta vendosim atë në epiqendër.
Sot, ne inaugurojmë shkollën vetëm pak ditë, kur ju fëmijët dhe nxënësit e Korçës e të mbarë Shqipërisë jeni tani e tutje qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, çka do të thotë liri e garantuar për ju dhe për brezat që vijnë, çka do të thotë besim shumë i madh tek Shqipëria dhe shqiptarët, çka do të thotë detyrime të mëdha për ne, për të qenë në lartësinë e kohës. Të gjitha këto do të marrin përgjigjen më të mirë nëpërmjet arsimit. Asgjë nuk do të ndikojë në të ardhmen tonë më shumë, sesa procesi i edukimit të fëmijëve të Shqipërisë. Ndaj, edhe një herë ju garantoj se për qeverinë time shkollimi do të jetë gjithmonë përparësi kryesore.
Në këto 4 vite, ne kemi dyfishuar buxhetin, kemi investuar në sistemin arsimor 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Këto 4 vite, duke filluar nga data 1 maj, të gjithë mësuesit e Shqipërisë do të marrin një pagë dy herë më të madhe, sesa në vitin 2005.
Opozita më kërkon të mos rris pagat, opozita protestoi se pagat po rriten me taksat e qytetarëve. Kjo është e vërtetë. Qytetarët e këtij vendi nuk mund t’i investojnë askund më mirë taksat e tyre, se për fëmijët dhe mësuesit e fëmijëve të tyre. Ndaj, ne do t’i dyfishomë pagat në 1 maj dhe do të vazhdojmë rritjen e madhe gjatë 4 viteve që vijnë.
Në 4 vite, në Shqipëri janë rindërtuar ose ndërtuar të reja 1012 shkolla. Unë dua t’ju jap fjalën se në 4 vitet që vijnë nuk do të ketë shkollë në Shqipëri që të mos jetë e re ose e rindërtuar. Ju do të mësoni në shkolla dinjitoze, në shkolla të reja, me sistem ngrohjeje, me kabinete informatike, me terrene sportive, në shkollat që ju meritoni.
Duke filluar nga muaji maj, në të gjitha shkollat e Shqipërisë do të ketë internet. Unë ju garantoj se në 4 vitet që vijnë, do të ketë zhvillime shumë më të mëdha për moshën dixhitale. Në 4 vitet që vijnë, qeveria do të bëjë çdo përpjekje që nxënësit të kenë kompjuter dhe internet edhe në shtëpitë e tyre.
Në vitin 2005, ne premtuam se do të hapim dyert e universiteteve tona. Shqipëria sot, ka 115 mijë studentë, kundrejt 52 mijë që kishte në vitin 2005. Unë ju jap fjalën se në vitin 2013 Shqipëria do të ketë 160 mijë studentë. Asgjë nuk do të mund të ndalë hovin tonë drejt arsimit, edukimit dhe shkollimit. Në qoftë se në këto 4 vite buxheti u dyfishua, në 4 vitet e ardhshme do të jetë 2 herë më i lartë se ky që është sot.
Të dashur nxënëse e nxënës,
Shkollimi është dhurata më e çmuar, më e madhe që prindi ju bën juve. Unë ju garantoj se do të bëhen përpjekje të jashtëzakonshme që më të mirët prej jush të shkollohen aty, ku ato do të fitojnë të drejtën për të studiuar, në universitetet më të mira të botës përmes bursës së qeverisë shqiptare. Tre ditë më parë, një prind nga Durrësi më dërgonte një mesazh, ku më njoftonte se vajza e tij kishte aplikuar dhe fituar të drejtën e studimit në universitetin e Bristolit, një nga më të mirët në botë. Unë iu zotova se do ta mbështesim dhe autoritetet kanë marrë porosinë që t’i akordojnë bursën, në përputhje me premtimit të dhënë. Jo vetëm kësaj vajze që ka fituar të drejtën e studimit në Bristol, por edhe në Harvard, Kembrixh, Oksford dhe kudo në universitetet më të mira, do të mund të mund të studiojë nëpërmjet bursave të qeverisë, çdo vajze e djalë shqiptar që fiton të drejtën e studimit.
Qeveria do të bëjë që arsimimi e shkollimi të përshtaten plotësisht me kërkesat tregut. Në këtë kontekst, ne do të bëjmë çdo përpjekje për zhvillimin e arsimit profesional, për ta inkurajuar atë, sikundër ju bëjmë thirrje autoriteteve vendore që ta shndërrojnë atë në një përparësi madhore, në mënyrë që të shkolluari të kenë hapësira të mëdha punësimi në tregun e vendit.
Duke përfunduar, ju uroj edhe një herë gëzuar shkollën e re dhe ju garantoj se 4 vitet që vijnë, në vend nuk do të ketë shkollë të vjetër, do të jenë të reja ose të rindërtuara. Ju, fëmijët e Shqipërisë, do të jeni përparësia e të gjithë shqiptarëve.
...