Merr fund në Athinë arratia e mashtruesit spektakolar të biznesmenëve
TIRANË – Merr fund arratia e Indrit Aliuit, i konsideruar si një nga mashtruesit më spektakolarë, i ngjashëm, por më i sofistikuar sesa bosët e fondacioneve piramidale apo hakerat e kartave të kreditit. Falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës është arrestuar në Greqi shtetasi i shumëkërkuar Indrit Aliu, i cili ishte në ndjekje për mashtrim me pasoja të rënda. Ndaj tij kanë mbërritur me dhjetëra denoncime, ku nuk mungojnë as bizneset VIP. Mendohet se shuma që ka arritur të marrë përmes skemave të tilla arrin deri në 3 milionë euro. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 22:30, u krye arrestimi në Athinë i shtetasit shqiptar Indrit Aliu, 25 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë. Që prej prillit të këtij viti ai kërkohej nga Drejtësia dhe gjykata kishte dhënë masën “arrest në burg”, por askush nuk e dinte vendndodhjen e tij.
Arrestimi
Disa thoshin se Indrit Aliu është në Turqi. Disa të tjerë në vendet e Amerikës Latine. Të mashtruarit prej 25-vjeçarit që drejtonte një kompani konsulence, thuajse i kishin humbur shpresat se policia do ta prangoste një ditë. Ata nuk i kishin llogaritur borxhet milionëshe që i kishin djaloshit të shkathët. Policia, e shtyrë nga një mal denoncimesh ndaj tij, është vënë në ndjekje duke kërkuar edhe ndihmën e shërbimeve homologe. Ditën e mërkurë në mbrëmje, teksa ndodhej në Athinë, ai është përballur me një kontroll policor. Fillimisht është paraqitur me emrin Sokol Shehu. Ndonëse ka dhënë gjeneralitete krejtësisht të ndryshme, ai nuk ka arritur të kalojë filtrin policor. Aliu është marrë në pyetje, por shenjat e gishtërinjve kanë qenë ato që kanë tradhtuar të superkërkuarin. Fotoja e djaloshit ishte në listat e Interpolit dhe kjo e ka bërë më të thjeshtë zbulimin e tij.
Akuzat
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me Vendimin Nr. 302, datë 01.04.2009, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj shtetasit Indrit Aliu, për veprën penale të “mashtrimit me pasoja të rënda, thonë burimet zyrtare të Policisë së Shtetit. Sipas tyre, “ky shtetas vazhdimisht ka mashtruar qytetarë të ndryshëm, duke u marrë shuma të konsiderueshme parash, gjoja në këmbim të shërbimeve, apo kthimin e tyre në një periudhë të shkurtër kohe. Madje ai e ka sofistikuar aktivitetin e tij prej mashtruesi duke përgatitur kontrata fiktive, lëshuar mandate të pagesave fiktive etj.”. Pre e koniunkturave kanë rënë biznesmenë nga Tirana, apo rrethet e ndryshme të vendit, por edhe investitorë të huaj.
Arratia
Më datë 24.9.2008, Indrit Aliu ka regjistruar në QKR shoqërinë “Dejs & Partners Consulting” sh.p.k., me ortak të vetëm shtetasin Indrit Aliu, me objekt konsulencë juridike dhe fiskale për individët dhe shoqëritë tregtare, si dhe të gjitha aktivitetet që lidhen me fushën e ndërtimit. Këtu është zanafilla e një rrjeti merimange ku kanë rënë shumë biznesmenë. Brenda një kohe të shkurtër ai ka arritur të jetë i besueshëm për shumë njerëz, të cilët ua kanë besuar paratë e tyre 25-vjeçarit. Mes tyre kanë qenë Alban Bitraj, Ramazan Biba, Sami Rami, Bashkim Nikolla dhe Laert Kasaj. Pasi ka parë se loja nuk vazhdon më, ka marrë arratinë, duke u larguar përmes pikës së kalimit kufitar të Qafë-Thanës më 16 mars 2009. Ai ka arritur të kalojë pikën kufitare për të shkuar në Maqedoni, ndonëse kishte tri ditë që emri i mashtruesit ishte afishuar në listat e të kërkuarve. Burimet zyrtare në atë kohë pohuan se ai mund të ketë lëvizur edhe më vonë, duke përdorur dokumente false.
Ekstradimi i tij në Shqipëri pritet ta vërë Indrit Aliun në bankën e Drejtësisë, ku janë hedhur me dhjetëra akuza nga persona që pretendojnë se janë mashtruar prej 25-vjeçarit që u ngjan personazheve të filmave hullivudjanë.
FBI-ja, spot për kapjen e dy shokëve të Gazmir Gjokës
SHBA – Në pamundësi për të gjetur dhe prangosur dy shqiptarë të shumëkërkuar në SHBA, FBI-ja ka njoftuar përgatitjen dhe lançimin e një spoti televiziv për të marrë informacione se ku ndodhen personat e akuzuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar dhe krime të tjera. Burimet zyrtare të shërbimeve amerikane bëjnë të ditur se personat “wanted” janë shtetasit Myfit Dika, i quajtur ndryshe si Majku dhe Kujtim Lika, të cilët mendohet se janë përfshirë në disa krime. Ata kanë bashkëpunuar me Gazmir Gjokën, shqiptarin tjetër të kërkuar nga Drejtësia amerikane, i cili u prangos pak ditë më parë në një lokal në kryeqytet. Spoti me të dhënat e tyre do të jepet në “Fox News”.
“Ne po përpiqemi në mënyrë aktive për të gjetur vendndodhjen e tyre”, - thotë agjenti special Brajan Travësr. Ekipi i këtij emisioni televiziv për njerëzit më të kërkuar të Amerikës ka intervistuar njerëz që i njohin të dy shqiptarët. Të dy kanë punuar për “Castel Tavern”, në veri të Nju Xhersit. Të dhënat e plota për Dikën dhe Likën do të transmetohen në ekran në mënyrë që publiku të informohet dhe të ofrojë informacion për kapjen e tyre. Ata, bashkë me Gazmir Gjokën, i arrestuar pak ditë më parë në Tiranë, akuzohen për trafik droge. Në muajin mars shërbimet amerikane organizuan operacionin “Shqiponja e zezë”, ku zbuluan një rrjet prej 26 personash që merrej me trafik ndërkombëtar droge. Policia arrestoi 17 veta, mes tyre edhe shumë shqiptarë, si dhe sekuestroi 500 mijë dollarë, dy avionë të vegjël, armë, bizhuteri dhe një sasi droge.
Itali, arrestohen vrasësit e tre shqiptarëve
NAPOLI - Arrestohen në Caserta autorët e vrasjes së Artur Kazanit, Zyber Dani e Ramiz Doda. Komanda e Policisë së Casertës në Napoli ka ekzekutuar dje në mëngjes urdhrin e lëshuar nga Gjykata e Napolit për arrestimin e 14 personave, të gjithë pjesëtarë të klanit të njohur mafioz Casalesi. Ndër akuzat e shumta që çuan në arrestimin e tyre rëndojnë dhe vrasjet e kryera më gusht të vitit 2008, ku gjetën vdekjen shqiptarët Artur Kazani e Zyber Dani (4 gusht 2008), si dhe vrasja e Ramiz Dodës më 21 gusht të po këtij viti. Ata ishin vënë në ndjekje të Policisë italiane prej disa kohësh, por vetëm dje u bë e mundur prangosja e tyre. Tre shqiptarët e prangosur arritën që të kishin sukses në aktivitetin e tyre në Itali, duke u bërë pjesë e grupeve mafioze.
TIMS “kap” 39 makina të trafikuara në Shqipëri
TIRANË – Një operacion i organizuar në të gjithë vendin, i koduar me emrin “Targë e falsifikuar” ka çuar në gjetjen dhe sekuestrimin e 39 mjeteve të trafikuara në Shqipëri nga persona të ndryshëm. Rezultati është bërë i mundur falë verifikimit të të dhënave të hyrjes së mjeteve dhe regjistrimit të tyre në rrjetin “TIMS” në të gjitha pikat kufitare të vendit tonë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se operacioni nisi më 12 nëntor dhe përfundoi katër ditë më parë. Rezultatet e tij janë shpallur gjatë ditës së djeshme nga Policia e Shtetit. Në këtë operacion u angazhuan këto struktura: Departamenti për Hetimin e Krimeve dhe strukturat vartëse të tij; Departamenti për Kufirin dhe Migracionin me strukturat në varësi; Drejtoria e Policisë Rrugore; drejtoritë e policive në qarqe. Në aksion morën pjesë edhe drejtoritë rajonale të doganave dhe strukturat e shërbimit të transportit. “Në shkallë vendi janë kontrolluar dhe janë kryer verifikimet përkatëse për rreth 2700 automjete, nga të cilat 1600 automjete të kontrolluara kanë qenë me targa të huaja”, - thanë dje burimet zyrtare të Policisë së Shtetit. Automjetet me targa të huaja janë verifikuar nëpërmjet sistemit “TIMS” nëse janë të regjistruara në kufirin shqiptar, nëse vërtetimi i hyrjes është lëshuar në mënyrë të rregullt, nëse kanë dokumentacionin e duhur për qarkullim dhe qarkullojnë brenda afateve të përcaktuara në legjislacionin shqiptar, si dhe nëse janë të vjedhura, të trafikuara, apo me mangësi të tjera ligjore. “Nga verifikimet e kryera në sistemin ‘TIMS’ për hyrje/daljet e automjeteve me targa të huaja janë evidentuar 47 raste të qarkullimit në territorin shqiptar të automjeteve me targa të huaja, të cilat nuk figurojnë të regjistruara në kufirin shqiptar. Këto automjete janë bllokuar dhe janë kryer verifikimet nëse janë të trafikuara, apo me shmangie të detyrimeve doganore apo shkelje të tjera ligjore”.
SEKUESTRIMET
Në Tiranë - 22 automjete
Në Durrës - 5 automjete
Në Gjirokastër - 2 automjete
Në Fier - 4 automjete
Në Shkodër - 2 automjete
Në Kukës - 2 automjete
Në Vlorë - 1 automjet
Në Elbasan - 1 automjet
TË DHËNAT E OPERACIONIT
2700 makina të kontrolluara
1600 makina me targa të huaja
39 mjete sekuestrohen
10 mjete bllokohen për dokumentacion fals
380 mjete bllokohen për mangësi dokumentacioni
1091 masa administrative për drejtuesit
7 masa për përdorim të xhamave të errët
4 masa për përdorim alkooli nga shoferët
6 masa për shpejtësi tej normave të lejuara
20 Nentor 2009