E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padia e 10-vjeçarit: “Përse Mediu duhet të ndëshkohet për tragjedinë”



Laureta Rryçi
Mes padive të banorëve të Gërdecit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dy ditë më parë është shtuar edhe padia e një 10-vjeçari. I mituri, R. Durdaj në këtë proces civil do të përfaqësohet nga i ati i tij Rigon Durdaj. Djali kërkon nga drejtësia që të ndëshkojë ish-ministrin për shkak të plagëve që ka marrë ditën e tragjedisë më 14 mars të vitit 2088. Gazeta “Albania” po boton të plotë padinë e 10-vjeçarit në të cilën ai ka pasqyruar faktet me të cilat argumenton fajësinë e ish-ministrit.

KËRKESË

I DËMTUARI AKUZUES: R. Durdaj, i biri i Rigonit, lindur më 1998 në Gramsh dhe banues në Gërdec, Vorë
I AKUZUAR: Fatmir Mediu, i biri i Aliut dhe Naxhies, lindur më 21.01.1967 në Durrës e banues në Tiranë, me adresë: Lagja nr. 9, Rr. Elbasanit, Pallati i ri pranë lokalit Lion Park, me qendër pune: Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
AKUZA PENALE: Deklarimi fajtor i të akuzuarit për kryerjen e veprës penale të “Plagosjes së rëndë nga pakujdesia”, të parashikuar nga neni 91 i Kodit Penal
BAZA LIGJORE: Neni 91 të K. Penal dhe 59 dhe 60 të K. Pr. Penale
DREJTUAR: GJYKATES SË RRETHIT GJYQESOR TIRANE
I nderuar zoti Kryetar,
1. FAKTI
Më datë 15.03.2008, rreth orës 12.00, në fshatin Gërdec të Bashkisë Vorë, dhe pikërisht në një fabrikë që çmontonte municionet luftarake ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm gjatë të cilit kanë humbur jetën 26 viktima, si dhe kanë pësuar dëme në shëndet shumë persona të tjerë, ndërmjet të cilëve edhe kërkuesi, i cili ka marrë ndihmë mjekësore dhe është trajtuar në QSUT Nënë Tereza. Hetimi i kësaj ngjarje tragjike vërtetoi një numër të madh pasojash që kanë ardhur si rezultat i një seri shpërthimesh të ndodhur në ish-repartin e tankeve në Gërdec, i cili i ishte dhënë nga Ministria e Mbrojtjes, një shoqërie private për kryerjen e proceseve të çmontimit industrial të municioneve. Shpërthimet masive kanë shkaktuar dëmtime shumë të rënda të interesave të shtetit dhe të shtetasve, duke krijuar një situatë tejet të rëndë social - ekonomike dhe duke dëmtuar sigurinë në gjithë rajonin që preku kjo ngjarje. Përveç viktimave dhe plagosjeve, kjo ngjarje ka cenuar rëndë një serë interesash të tjera të shtetit dhe të shoqërisë, siç janë: cenimi i rendit dhe i sigurisë në rajonin që përfshiu ngjarja, si dhe dëmtimin e imazhit të shtetit në raport me komunitetin/shoqërinë dhe më gjerë. Mbështetur në dokumente, evidentohen mjaft indicje dhe të dhëna që përbëjnë dyshim të arsyeshëm se shtetasi Fatmir Mediu ka kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij, në cilësinë e ish Ministrit të Mbrojtjes, se ato kanë lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec. Indicjet, të dhënat dhe provat lidhur me veprimet dhe mosveprimet në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës të kryera nga ish Ministri i Mbrojtjes z. Fatmir Mediu, po i parashtrojmë si më poshtë: 1.1. Nga hetimi rezulton se në muajin shkurt të vitit 2006, drejtori i Ndërmarrjes së Ministrisë së Mbrojtjes (MM) Military Export Import Companny (MEICO), Ylli Pinari, ka rënë në kontakt me përfaqësuesin e shoqërisë amerikane “Southern Ammunition Company Inc” (SAC), Patric Henry III, i cili ka shfaqur interes për municionet me gëzhojë tunxhi që dispononte ushtria shqiptare dhe që nuk ishin pjesë e armatimit të saj. Në lidhje me kërkesën e kësaj kompanie, në datë 05.07.2006, është vënë në dijeni ish Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, nga ish drejtori i MEICO, Ylli Pinari, nëpërmjet një memoje të kësaj date. Për këtë kërkesë, në periudhën korrik - dhjetor 2006, nuk evidentohet ndonjë interesim dhe qëndrim aktiv i ish Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu. Në këtë situatë mosinteresi dhe heshtje të ish Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu, përfaqësuesi i kompanisë amerikane SAC, i orientuar nga Ylli Pinari, ka realizuar takim të drejtpërdrejtë me z. Fatmir Mediu dhe me datë 27.12.2006 i ka dërguar një kërkesë nëpërmjet një faksi në gjuhën angleze. Pas kësaj, interesimi dhe veprimi i ish Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu është i menjëhershëm, duke filluar një proces përgatitje me procedura të përshpejtuara, që synonte realizimin e projektit të ofruar nga kompania amerikane SAC. Evidentohet fakti se përfaqësuesi i kompanisë amerikane SAC, Patric Henry III, kishte ardhur disa herë në Shqipëri dhe në takimet me shtetasin Ylli Pinari ishte informuar lidhur me mundësitë për të ngritur aktivitetin e çmontimit dhe të çmilitarizimit të municioneve në Shqipëri, duke e orientuar drejt përfshirjes në këtë aktivitet të shtetasin Mihal Delijorgji. Në këto takime, Pinari i ka shpjeguar përfaqësuesit të kompanisë amerikane SAC, Patric Henry III, një numër elementesh juridike dhe kushtesh që duhet të plotësonte kompania SAC për këtë aktivitet. Rezultati i këtyre konsultimeve paraqitet në kërkesën/faksin e sipër përmendur, datë 27.12.2006. Në këtë dokument që përbënte një ofertë të kësaj kompanie evidentohen elementet/kushtet që duhet të përmbushnin palët (MM e përfaqësuar nga MEICO dhe SAC), pra një produkt i negocuar dhe i sugjeruar nga kompania SAC pas konsultimeve ndërmjet të Ylli Pinarit dhe përfaqësuesit të SAC. Duke ju referuar këtij dokumenti konstatohet se: Së pari, evidentohet se SAC ka krijuar paraprakisht një shoqëri shqiptare të quajtur ALBADEMIL shpk, për të hyrë në marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes, për realizimin e procesin të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve. Pra, kompania që do të kryente këtë proces nuk do të ishte SAC, por ALBADEMIL shpk. Së dyti, evidentohet se në kontekstin e plotësimit të kërkesave ligjore, SAC-i kërkonte të pajisej me tre lloje licencash: • Licencë për depozitim municioni; • Licencë për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve; • Licencë për eksportimin e produkteve të dalë nga demontimi. Së treti, është përcaktuar detyrimi për Ministrinë e Mbrojtjes, të mbulojë shpenzimet e transportit të municioneve për në ambientin industrial të ALBDEMIL-it. Së katërti, evidentohet se SAC kërkonte që ambienti industrial i çmontim dhe çmilitarizim të municioneve, të ndërtohej në një zonë ushtarake afër Tiranës, duke sugjeruar për këtë Bërzhitën. Përmendëm këto elemente të këtij dokumenti pasi siç do të trajtohet në vijim të kësaj oferte, për përmbushjen këtyre elementeve, është iniciuar nga ministri disa akte nënligjore, si një vendim i Këshillit të Ministrave (KM), janë miratuar prej tij disa urdhra, si dhe është shmangur zbatimi i disa akteve nënligjore në fuqi të Ministrisë së Mbrojtjes. Në datë 28.12.2006 ky dokument (oferta e kompanisë SAC) ka dalë nga zyra e ish Ministrit të Mbrojtjes me shënimet përkatëse drejtuar Shefit të Shtabit të Përgjithshëm (SHSHP) dhe Sekretarit të Përgjithshëm (SP). Ndërkohë, po me datë 28.12.2006 evidentohet fakti i krijimit të shoqërisë ALBADEMIL me ortakë përfaqësuesin e kompanisë SAC, Patric Henry III dhe të pandehurin Mihal Delijorgji. Në analizë të këtyre rrethanave krijohet dyshimi i arsyeshëm se ish Ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, i kishte dhënë premtimin subjekteve të interesuara dhe kishte marrë vendimin për të realizuar këtë marrëdhënie biznesi. Kjo vërtetohet me të dhënat dhe provat, që ju parashtrojmë në vijim të kësaj kërkesë. 1.2. Ish Ministri i Mbrojtjes Z. Mediu, ka iniciuar hartimin dhe miratuar disa akteve nënligjore. Ai ka iniciuar një projekt-vendim të Këshillit të Ministrave dhe ka miratuar projekt-urdhra, të cilët kanë orientuar realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit në përmbushje të ofertës të sipër përmendur të shoqërisë amerikane SAC, prapa të cilës ishte shoqëria ALBADEMIL shpk, duke angazhuar për hartimin e tyre një pjesë të stafit të ngushtë të tij. Në këtë proces administrativ z. Mediu ka pranuar dhe miratuar disa projekt-urdhra, duke shmangur përfshirjen e strukturave dhe hallkave të domosdoshme që duhet të ishin pjesë e hartimit të tyre. Kjo provohet: Së pari, me inicimin, në datë 12.02.2007, për miratim të projekt-vendimit të KM me titull “Për procedurën e çmontimit, çmilitarizimit dhe tjetërsimit të një sasie municionesh të Forcave të Armatosura (FA), të dala nga armatimi e përdorimi me shoqërinë amerikane SAC”. Ky projekt vendim nuk është miratuar nga qeveria për shkak të mungesës së përqasjes së tij, me ligjin nr. 8671 datë 26.10.2000 “Për autoritetet e komandimit e drejtimit strategjik të FA të RSH” të ndryshuar dhe me ligjin nr. 7512 datë 10. 08. 1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”, si dhe për përfshirjen drejtpërdrejt në këtë projekt-vendim të KM të kompanisë amerikane SAC. Së dyti, më pas, me shkresën nr. 1525, datë 14.03.2007, ish-Ministri i Mbrojtjes z. Mediu ka ridërguar për shqyrtim e miratim projekt-vendimin me titull “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura te hequra nga armatimi dhe përdorimi” i cili po atë datë është shqyrtuar edhe miratuar nga qeveria, duke u kthyer në vendim të KM nr. 138, datë 14.03.2007, me të njëjtin titull që ishte propozuar. Siç do të analizohet në vijim të kësaj kërkese, ndonëse në këtë vendim të KM nuk është përmendur drejtpërdrejtë kompania amerikane SAC, në formulimin e pikës “IV/1” të projektvendimit të miratuar është parashikuar që shitja për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve të bëhet për municione të kalibrit të vogël, ashtu siç ishte parashtruar oferta e kompanisë amerikane SAC. 1.3. Në vijim të aktivitetit të tij në kundërshtim me ligjin dhe në interes të përfitimeve të padrejta të subjekteve private që do të bënin çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve, ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu ka miratuar urdhrin nr. 550 datë 25.04.2007 “Për zbatimin e vendimit nr. 138 datë 14.03.2007 të Këshillit të Ministrave “Për procedurën e trajtimit të armeve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, përsa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”. Në analizë të procesit të hartimit të projekt-urdhrit, si dhe në analizë të përmbajtjes së urdhërimeve të këtij akti nënligjor evidentohen veprimet në shkelje të akteve nënligjore, si më poshtë: 1.3.1. Hartimi i projekt-urdhërit nr. 550 datë 25. 04. 2007 është bërë nga drejtori i Drejtorisë së IMBM nën mbikëqyrjen e ish Sekretarit të Përgjithshëm të MM, duke mospërfshirë strukturat e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe Drejtorinë e Harmonizimit të Legjislacionit dhe Marrëdhënieve me Kuvendin (DHLMK), pjesëmarrja e të cilave ka qenë e detyrueshme, për shkak të natyrës së aktit dhe strukturave të ngarkuara për zbatimin e tij. Kjo veprimtari është në shkelje të nenit 17 të Rregullores së Brendshme të MM, miratuar me Urdhërin e Ministrit të Mbrojtjes nr. 120 datë 18.03.2003, i ndryshuar me urdhërin e Ministrit të Mbrojtjes nr. 318 datë 17.05.2005, i cili përcakton rregullat për hartimin dhe qarkullimin e akteve administrative. Gjithashtu, ky urdhër i Ministrit të Mbrojtjes, në përmbajtjen e tij, evidenton se nuk është i studiuar mirë dhe në përqasje me vendimin e KM nr.138, datë 14.03.2007, nuk është i qartë në urdhërimet e tij dhe konkret për procedurën dhe mënyrën e zbatimit. Këto urdhërime bien në kundërshtim me pikën 9 paragrafi i dyte, kreun IV, Seksioni II, me titull “Rregullat e dhënies dhe zbatimit të urdhërave” të Rregullores së Jetës së Brendshme në FA, që parashikon se “Urdhëri duhet të jetë i studiuar mirë, i qartë dhe konkret”. 1.3.2. Megjithëse në vendimin e KM nr. 138, datë 14.03.2007 nuk është rregulluar mënyra e përzgjedhjes së kontraktorit për shitjen e municioneve për çmontim dhe çmilitarizim, në pikën 1 të urdherit nr. 550, është nominuar drejtperdrejt kompania amerikane SAC për realizimin e këtij procesi. 1.3.3. Në pikën 4/a e në vijim, është parashikuar që procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve të realizohet në terrenin në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes të ndodhur në Gërdec, Vorë. Ky urdhërim në përmbajtje bie në kundërshtim me disa akte të tjera nënligjore. Në analizë të tij evidentohen këta elementë: Së pari, është dhënë e drejta për kryerjen e aktivitetit në shkelje të nenit 3 të Rregullores së Ministrit të Mbrojtjes nr. 9603, datë 18.09.2003 “Për përpilimin dhe lëshimin e dokumentacioneve për veprimtarinë e eksport-importit të materialeve ushtarake”, e cila normon se për kryerjen e veprimtarive në fushën e armatim municionit është e domosdoshme të bëhet licencimi i shoqërive. Sipas kësaj rregullore licencimi bëhet nga një Komision i Posaçëm që krijohet me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes. Nevoja për kryerjen e licencimit të aktivitetit i është bërë e njohur ish Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu, me ofertën, datë 27.12.2006, të kompanisë amerikane SAC të përmendur më sipër në piken 1. Në këtë vështrim, në kundërshtim me nenin 3 të kësaj rregulloreje, z. Mediu, gjithashtu, ka urdhëruar Sekretarin e Përgjithshëm të MM për të dhënë leje eksporti të materialeve ushtarake për një subjekt të palicencuar. Së dyti, përcaktimi i vendit ku do te kryhej procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve është bërë në shkelje të nenit 3, pika 1, paragrafi i trete, i Rregullores së Ministrit të Mbrojtjes nr. 9603, datë 18. 09. 2003 të sipër përmendur dhe në shkelje të Urdhrit të Ministrit të Mbrojtjes nr. 326, datë11. 05. 2000 “Për kryerjen e licencimit të depove të municionit sipas standardeve të NATO-s”, në të cilën përcaktohet se vendet ku depozitohet dhe ruhet municioni duhet të licencohen, duke parashikuar kushtet dhe kriteret për licencimin. Gjithashtu, ky urdhër parashikon se në varësi të distancave nga vendi i depozitimit dhe magazinimit të municionit në raport me zonat e banuara, rrugët (me trafik të ulët dhe të lartë), rrjetit elektrik, ujësjellësit, ofiçinën ku do të punohej me municionin, objektet e tjera (brenda repartit ushtarak dhe në rajon), duhet të përcaktohej sasia e municionit që do të depozitohej për demontim dhe e produkteve të tij, si ajo e lëndëve plasëse, barutit etj. Caktimi i Gërdecit, si vend çmontimi dhe çmilitarizimi të municionit, është bërë në mungesë të verifikimit dhe vlerësimit të strukturave përkatëse të specializuara të Shtabit të Përgjithshëm. Në urdhërimin e ish Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu për caktimin e Gërdecit si vend demontimi është shpërfillur, gjithashtu, mendimi i strukturave të FA, në komentet e bëra lidhur me kërkesën e kompanisë SAC që kishte sugjeruar paraprakisht Bërzhitën si vend të mundshëm për të realizuar procesin e demontimit. Kjo, sepse, në memon, datë 28.12.2007, me subjekt “Dhënie mendimi lidhur me ofertën e paraqitur nga SAC për asgjësim municioni”, që Drejtoria e Logjistikës, i ka dërguar ish Ministrit z. Mediu nëpërmjet Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, i është bërë e ditur se “....Rajoni i Bërzhitës është i papërshtatshëm, si për depozitim ashtu dhe për asgjësim municioni. Ky rajon është i palicencuar për depozitim dhe demontim municionesh, është pranë rrugës nacionale Tirane - Elbasan dhe qendrave te banuara”. Përzgjedhja e Gërdecit si vend ku do të bëhej çmontimi dhe çmilitarizimi i municioneve dhe ku do të depozitoheshin sasi të konsiderueshme municioni dhe produkte të tij pas demontimit, (të cilat për nga natyra dhe vjetërsia paraqisnin ndjeshmëri të lartë në raport me faktorët atmosferikë dhe kushtet e ambalazhimit, ruajtjes e manipulimit me to), është bërë tërësisht në kundërshtim me çdo lloj rregulli në fuqi. Ky urdhër në praktikë, ka lejuar të depozitohen dhe akumulohen sasi të mëdha municioni e baruti në kundërshtim me distancat e sigurisë të përcaktuara në urdhrin nr. 326, datë 11. 05. 2000, duke determinuar pasojat e rënda që kanë ardhur qoftë jetës së njerëzve, shëndetit të tyre, apo edhe ato materiale. Nga sa më sipër, urdhri 550, datë 25.04.2007, ka urdhëruar fillimin e një aktiviteti me një natyrë të lartë rrezikshmërie, pa u krijuar më parë të gjitha premisat paraprake që do të siguronin një funksionim normal të këtij aktiviteti. Caktimi i Gërdecit si vend për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve luftarake, në kushtet e ekzistencës të një përgjigje negative nga Shtabi i Përgjithshëm për rajonin e Bërzhidës, vjen në të njëjtën linjë me ofertën e datës 27.12.2006 të kompanisë SAC të analizuar më lart, ku kërkohej që procesi i çmontimit të kryhej në një ambient në afërsi të Tiranës, çka ka mundësuar cenimin e sigurisë gjatë gjithë procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve. 1.3.4. Urdhri i Ministrit nr. 550, datë 24.05.2007 në kundërshtim me detyrimet që burojnë nga pika IV/4 e vendimit të KM nr. 138, datë 14.03.2007, nuk ka përcaktuar shprehimisht subjektin ushtarak që do të realizonte mbikëqyrjen dhe garantimin e sigurisë në procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit në Gërdec, si dhe nuk ka qartësuar mënyrën e realizimit të këtij procesi me rrezikshmëri të lartë. Kjo shkelje ka lejuar kryerjen e një procesi të pakontrolluar nga specialistët e FA, si përsa i takon sigurisë në procesin teknologjik, ashtu dhe rregullave të magazinimit të nënprodukteve të këtij procesi. Në këtë aspekt, sikurse u theksua më lart, ky urdhër është miratuar pa qenë i studiuar mirë, duke qenë i paqartë dhe jo konkret, në kundërshtim me rregullat e dhënies së urdhërave të parashikuar në Rregulloren e Jetës së Brëndshme në FA, të përmendur më lart. 1.3.5. Në vijim të argumenteve se, ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu, në këtë proçes ka miratuar akte nënligjore, ju parashtrojmë faktin se gjashtë ditë para se të firmoste urdhërin nr. 550, datë 25.04.2007, ndërmarrja MEICO kishte lidhur kontratë me shoqërinë SAC-ALBADEMIL, në datën 19 prill 2007, kontratë e cila ka qenë pjesë e praktikës së projekt-urdhërit të dërguar për t’u nënshkruar tek ish Ministri z. Mediu. Sa më sipër, evidentohen dy elemetë të rëndësishëm: Së pari, kontrata i paraprin në kohë urdhërit, i cili ka përligjur kontratën, ndërkohë që duhet të ndodhte e kundërta, sepse shitje e municioneve është e drejtë vetëm e Ministrit të Mbrojtjes që materializohet me urdhërin e tij. Së dyti, ka qenë kërkesa e SAC-ALBADEMIL e materializuar në kontratë, ajo që është marrë parasysh nga ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu, për caktimin e Gërdecit si vend për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve, sepse në pikën 3.3 të kontratës, është përcaktuar se vendi i dorëzimit të municionit do të jetë fabrika e Gërdecit, Vorë. Tërësia e këtyre urdhërimeve në kundërshtim me ligjin të ish Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu, për realizimin e procesit të çmontimit të municioneve të kalibrave 7.62-14.5 mm, evidenton të dhëna që përbëjnë dyshim të arsyeshëm se tek nëpunësit dhe ushtarakët vartës të tij, është krijuar perceptimi për një proces të parregullt, ku ish ministri z. Mediu kishte interesa të veçanta dhe se për realizimin e tyre, ai po shpërfillte aktet ligjore dhe nënligjore. Baza e këtij procesi të parregullt, të trajtuara më sipër, ka shërbyer për vazhdimin e përmbushjes së kërkesave në interes të përfitimeve të padrejta të kompanisë SAC-ALBADEMIL. Në këtë proces vazhdues, ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu ka vepruar në kundërshtim me ligjin në miratimin e akteve të tjera nënligjore, lidhur me çmontimin e municioneve të kalibrave nga 20-152 mm. Kjo ka ndikuar ndjeshëm në uljen e nivelit të sigurisë dhe rritjen e shkallës së rrezikut për pasoja të rënda në procesin e çmontimit të municioneve, si dhe në të gjithë rajonin ku po kryhej ky proces. SAC informon se procesi më i rrezikshëm dhe i kushtueshëm do të jetë nxjerrja e eksplozivëve të fuqishëm nga predhat, por se kjo kompani disponon teknologjinë për t’a realizuar këtë, në mënyrë të sigurt dhe në kohë normale. Kërkesa e SAC, bashkëlidhur Memo-s datë 06.09.2007, me subjekt “Mbi kërkesën për demontim municionesh” e Ylli Pinarit, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të MM, i është dërguar për mendim ish Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu. Z. Mediu, këtë praktikë, ja ka kaluar Shefit të Shtabit të Përgjithshëm me shënimin “Për veprim”. Ky shënim i ish Ministrit, në thelb ka pasqyruar vullnetin e tij për fillimin e një procedure të re, në përmbushje të interesave që parashtroheshin në kërkesën e SAC, ndonëse në përmbajtjen e kësaj kërkese evidentohen qartë tejkalimet e parashikuara në vendimin e KM nr. 138, datë 14.03.2007 për sa i takon kalibrit të municioneve që mund të jepeshin për çmontim. Ndërgjegjësimi i z. Mediu në lidhje me këtë kufizim të vendimit të KM, argumentohet jo vetëm me detyrimin e njohjes së akteve dhe faktin që ka qenë iniciues dhe mbrojtës i këtij akti nënligjor në qeveri por, edhe me faktin se ka qenë pikërisht kërkesa e parë e SAC për çmontimin e municioneve të kalibrit të vogël, ajo që u bë shkak për të miratuar gjithë aktet nënligjore për realizimin e procesit të çmontimit të municioneve të kalibrit të vogël. Në vijim të analizës së elementëve të kësaj kërkese, ju paraqesim aktet nënligjore të tjera të miratuara nga ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu, në kundërshtim me ligjin dhe që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës prej tij. 1.4. Shtetasi Fatmir Mediu ka shmangur mbikëqyrjen ushtarake të forcave të armatosura në procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, duke miratuar urdhrin nr. 1800, datë 22.10.2007, me të cilin është normuar kalimi kapital i pronës, nr.126, ku po zhvillohej procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit (ish brigada e tankeve Gërdec), në administrim të ndërmarrjes MEICO, e cila, e ka vënë atë në dispozicion të kompanisë SAC-ALBADEMIL pa qira, në kundërshtim me vendimin KM nr. 315, datë 24.04.2003 “Për dhënien me qira të pasurive, të ndërmarrjeve, shoqërive dhe institucioneve shtetërore”. Gjithashtu, synimi se projekti i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve nga kompania SAC do të zgjaste dhe se strukturat e ngritura në ish repartin e tankeve Gërdec -Vorë do të përdoreshin dhe për programe të tjera në këtë fushë, është evidentuar qartë në Memo-n me subjekt “Për kalimin kapital të pronës nr. 126, Gërdec, Vorë” të drejtuar ish Ministrit Mediu nga ish drejtori i Meico nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm. Miratimi i urdhrit të mësipërm në kuadër të këtij konteksti, i ka paraprirë miratimit të të gjithë akteve nënligjore dhe procesit vendimmarrës të ish ministrit, në përmbushje të kërkesës së SAC–ALBADEMIL datë 01.09.2007, të sipërpërmendur. 1.5. Këto fakte, përbejnë të dhëna për të dyshuar se urdhri nr. 2044, datë 07.12.2007 “Për kalim municioni ndërmarrjes MEICO”, është vazhdim i asaj që ka qenë paracaktuar dhe që lidhej me shitjen e municioneve kompanive SAC-ALBADEMIL. Në vijim të sa më sipër, si dhe në analizë të urdhërimeve të miratuara nga ish Ministri i Mbrojtjes z.Mediu në këtë urdhër, evidentohen dukshëm shkelje të vendimit KM nr.138, datë 14.03.2007, si dhe akteve nënligjore të tjera. 1.5.1. Në pikën 8, ka urdhëruar që ndërmarrja MEICO, përgjigjet për zbatimin nga kontraktori të proceseve dhe standardeve të sigurisë, të masave të mbrojtjes nga zjarri dhe sigurisë së jetës e shëndetit të personelit të punësuar në zbatim të projektit gjatë procesit te çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, si dhe mbikëqyr në kushte të rrepta vëzhgimi dhe sigurie këtë proces. Ky urdhërim bie në kundërshtim flagrant me pikën IV/4 të vendimit të KM nr.138, datë 14. 3. 2007, në të cilën parashikohet se “procesi i çmilitarizimit dhe çmontimit, të kryhet nën mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të reparteve të forcave të armatosura…. . Në mbështetje të këtij urdhri, më 28.12.2007, është lidhur kontrata nr.2 midis ndërmarrjes MEICO dhe kompanisë SAC-ALBADEMIL, me një vlerë totale prej 583.326 USD dhe ka filluar procesi i çmontim dhe çmilitarizimit të municioneve të kalibrave 20-152 mm. I gjithë ky proces çmontimi dhe çmilitarizimi të municioneve të kalibrave 7.62 - 14.5 mm dhe 20 -152 mm, në sasinë rreth 18.000 ton, i urdhëruar nga ish Ministri i Mbrojtjes z. Fatmir Mediu, sikurse Ju kemi parashtruar hollësisht më sipër në këtë kërkesë, është kryer në shkelje të akteve ligjore e nënligjore në fuqi, duke shpërfillur standardet e domosdoshme të sigurisë dhe respektimin e rregullave në kryerjen e këtij procesi çmontimi dhe çmilitarizimi, si dhe duke mos garantuar shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme që mund të vinin nga ky proces me rrezikshmëri të theksuar për jetën dhe shëndetin e punonjësve të përfshirë në proces, si dhe për jetën, shëndetin dhe pasurinë e të gjithë banorëve dhe bizneseve në rajonin e Komunës Gërdec, e më gjerë. Shpërfillja e standardeve të sigurisë dhe zbatimit të rregullave gjatë këtij procesi, është rrjedhojë e urdhërimeve të kundërligjshme të ish Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu, duke shmangur FA nga garantimi i sigurisë së këtij procesi, që në përzgjedhjen e vendit që do të kryhej procesi dhe deri në shmangien e tyre nga mbikëqyrja e sigurisë ushtarake. I gjithë ky proces i parregullt administrativ, i urdhëruar nga ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu ka mundësuar ndërmarrjen MEICO dhe kompanitë SAC-ALBADEMIL, të realizojnë procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit në një situatë kaotike, pa vendosur dhe zbatuar asnjë rregull standard sigurie në administrimin dhe ruajtjen e municioneve, në procesin teknik të çmontimit dhe çmilitarizimit, si dhe në procesin e administrimit të produkteve të dala nga ky proces. Në ish repartin ushtarak Gërdec, janë përqendruar sasi të mëdha të municioneve të paçmontuara, që vinin nga repartet ushtarake. Gjithashtu, janë përqendruar sasi të mëdha të produkteve të çmontimit si: barut, predha, djegore dhe kapsolla. Në shumë raste nuk janë zbatuar rregullat që kanë të bëjnë me ruajtjen e objektit, me magazinimin e nënprodukteve, me mbrojtjen nga zjarri, sigurinë e jetës dhe shëndetit të personelit të punësuar në këtë projekt, etj. Mungesa e rregulloreve të sigurimit teknik ka mundësuar: punësimin e personave pa kritere profesionale në këtë fushë, mosparashikimin e proceseve të punës dhe garantimin e sigurisë së tyre, mostrajnimin e punonjësve për kryerjen e këtyre proceseve dhe mosrespektimin e rregullave të sigurisë etj. Shkelje flagrante në këtë proces është punësimi i fëmijëve të mitur. Organizimi i punës në këto procese, bëhej duke përqendruar një numër të madh punëtorësh në një sipërfaqe të vogël pune, ç’ka ka cenuar kushtet e sigurimit teknik dhe kontrollin mbi procesin e çmontimit. Në proceset e punës janë përdorur mjete të papërshtatshme në aspektin teknik, si dhe është lejuar kryerja e veprimeve që kanë mundësuar premisa për ngjarje të jashtëzakonshme. Baruti ruhej në kontenierë të zakonshëm transporti dhe në ndërtesa të pa përshtatshme, jashtë çdo kriteri teknik. Në momentin e shpërthimit në vendin e depozitimit të barutit kanë qenë mbi 700 ton barut, të vendosur në 41 kontenierë dhe në dy ndërtesa dhe në afërsi të tyre janë depozituar djegoret e predhave, të gjitha në shkelje të standardeve të sigurisë. Hetimet na çojnë në konkluzionin se shkeljet e lartpërmendura të akteve ligjore dhe nënligjore, shkelja e rregullave të sigurimit teknik në procesin e magazinimit të municionit, në procesin e çmontimit dhe administrimit të produkteve të dala nga ky proces, kanë sjellë shkaktimin e zjarrit të pasuar me shpërthimet masive, duke shkaktuar pasoja tejet te rënda, të sipër përmendura.
2. ANA OBJEKTIVE
Nga ana objektive vepra është kryer me anën e veprime dhe mosveprimeve të kundraligjshme, duke krijuar mundësinë e kryerjes së veprimtarisë tejet të rrezikshme të demontimit të municioneve luftarake të kalibrit të rëndë, pa respektuar rregullat teknike dhe për pasojë shpërthimin e fuqishëm, i cili shkaktoi plagosjen e rëndë të kërkuesit. Plagosja është evidentuar me anën e aktit të ekspertizës mjekoligjore nr. 305 dt. 02.04.2008 ku eksperti Dr. Bledar Xhemali, me kërkesën e OPGJ Leonard Palushi bërë me vendimin dt. 18.03.2008, në bazë të Kartelën Klinike nr. 533391 të repartit të djegieve në SUQU, Tiranë, ka konstatuar dëmtime të rënda, për të cilat kërkuesi ka nevojë për më shumë se 9 ditë pushim.
3. SUBJEKTI
Për sa i përket subjektit, veprimi i kundraligjshëm është bërë nga shtetasi i sipërpërmendur, pasi ai ka nënshkruar aktet në fjalë dhe ka qenë përgjegjësi numër një për rrethanat e sigurisë së ulët në vendngjarje.
4. ANA SUBJEKTIVE
Nga ana subjektive vepra penale është kryer nga pakujdesia, në formë e neglizhencës, pasi shtetasi Fatmir Mediu nuk ka dëshiruar ardhjen e pasojës së dëmshme, por nuk e ka shmangur atë ndërkohë që i kishte të gjitha mundësitë dhe madje detyrimin.

5. KONKLUZIONE.

Është mjaft e qartë që i akuzuari ka konsumuar veprën penale të plagosjes nga pakujdesia, të parashikuar nga neni 91 i Kodit Penal prandaj kërkojmë të vendosni për:
Deklarimin fajtor të të akuzuarit dhe dënimin e tij sipas ligjit;
I DËMTUAR AKUZUES
R. Durdaj (Përfaqësuar nga i ati Rigon Durdaj)
_________________________

20 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›