E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merr udhë Partizani i ri, të kuqtë nisin stërvitjen

Partizani i Superiores ka nisur dje nga puna, duke hapur kështu një kapitull të ri për legjendën e kuqe, një skuadër që u kishte munguar më të mirëve të futbollit shqiptar prej 4 sezonesh. Pas goditjeve në merkato, trajneri Hasan Lika, ashtu siç edhe ishte programuar më parë nga stafi dhe presidenca, ka kryer stërvitjen e parë, edhe pse grupi ka qenë i cunguar, pasi një pjesë e mirë nuk do të jenë pjesë e Partizanit, ndërsa blerjet e reja do t'i bashkohen skuadrës më 1 korrik, pasi ashtu është rënë dakord. Ka qenë një stërvitje e lehtë, vrap nga Kodrat e Liqenit dhe disa ushtrime të lehta, më shumë për të thënë që Partizani nisi fazën përgatitore. Deri në mes të korrikut Partizani do t'i vijojë përgatitjet në Tiranë, për ta intensifikuar më pas stërvitjen jashtë Shqipërisë, ndonëse ende nuk është vendosur vendi ku të kuqtë do të qëndrojnë për të paktën 2 javë.
GRUPI
Skuadra e Partizanit nisi përgatitjet për sezonin futbollistik 2013-2014 me një grup të cunguar lojtarësh, kryesisht me elementët që dhanë kontributin e tyre për ngjitjen e të kuqve në Superiore. Ndërsa ditët në vazhdim organika pritet të kompletohet me të tjerë futbollistë cilësorë, qoftë me futbollistët kosovarë që janë blerë, qoftë me elementë të tjerë, të huaj apo vendës. Megjithatë, ndryshe nga vitet e mëparshme, kur ekipin e Partizanit e drejtonte Albert Xhanin dhe mbushej me brazilianë apo afrikanë, shihet se të huajt pak vend do të kenë në radhët e të kuqve. Një tjetër element i rëndësishëm është edhe blerja jo e yjeve që kushtojnë, por kryesisht futbollistë të rinj, por që premtojnë, duke përfituar të dyja palët nga bashkëpunimi.
OBJEKTIVAT
Trajneri Hasan Lika shprehet i kënaqur për blerjet e deritanishme që ka realizuar klubi i kuq. Pritshmëritë për sezonin e ardhshëm janë të mëdha, por Lika nuk nxitohet kur pyetet për objektivat që do të kenë të kuqtë. "Pavarësisht se Partizani është një emër i madh dhe pritet shumë, sidomos nga tifozët, për momentin nuk mund të flasim për objektiva konkretë. Ekipi do të ndërtohet nga e para. Janë bërë goditjet e para në merkato, por nuk mjaftojnë. Disa janë larguar dhe të tjerë priten të vijnë. Kështu që në këtë moment nuk mund t'u them për objektiva konkretë. Partizani do të mundohet të përfitojë sa më shumë, do t'i marrim ndeshjet një e nga një dhe pa eufori. Në bazë pastaj të ecurisë do të vendosim edhe objektivat. Gjithsesi, në momentin e duhur do të flasim më konkretisht për këtë çështje. Ne sapo kemi nisur stërvitjen, kështu që deri sa të fillojë kampionati do të kemi kohë të flasim", - ka deklaruar tekniku Hasan Lika, duke mos bërë premtime që tani. Ai ka pohuar se në ditët e para të korrikut priten të zyrtarizohen blerjet e tjera, që do ta forcojnë edhe më shumë grupin. 
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›