Kompensimi, familjet kërkesë zyrtare Bashkisë së Tiranës
Familjarët që humbën shtëpitë e tyre nga Bashkia e Tiranës, tashmë kanë përgatitur kërkesën zyrtare që do të dorëzojnë në bashki. Ata kanë argumentuar se do të kërkojnë dëmshpërblim të plotë mbi pronat e tyre, të cilat janë rrafshuar nga fadromat e Policisë Ndërtimore.
Banorët shprehen se kryebashkiaku Rama e ka ditur se shtëpitë janë në proces legalizimi dhe prapëseprapë ka urdhëruar prishjen e shtëpive të tyre. Ndërkohë që vazhdohet dopio-standardi nga ana e opozitës dhe Bankës Botërore, që ende nuk kanë kompensuar banorët, shtëpitë e të cilëve ishin në proces legalizimi.
Rama ua kishte njohur të drejtën
Në periudhën e prishjes së shtëpive në zonën e “Ali Demit”, kryebashkiaku Rama u kishte njohur banorëve të drejtën, por sërish vazhdoi prishjen e shtëpive të tyre, me përkrahjen e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë.
“E di që keni dokumente, sepse ato i keni sjellë dhe janë këtu, por rruga do të bëhet, sepse nuk do të ngelim pa rrugë e të lëmë shtëpitë tuaja. Jini të duruar dhe prisni që bashkia t’u gjejmë një vend, sepse akoma nuk ka asgjë konkrete për këtë. Jemi në punë e sipër”, – u kishte deklaruar Rama banorëve.
Madje, ai u kishte thënë banorëve se do të ishin në radhë me të pastrehët, pasi projekti në fjalë kishte marrë udhën e realizimit, pasi fondet e administruara nga Banka Botërore kishin nisur të lëvroheshin për këtë rrugë, mbi një projekt që thyente ligjet, duke prishur shtëpitë në legalizim.
“Bëhuni gati të viheni në radhë me të pastrehët, sepse tashmë është vendosur që shtëpitë tuaja do të prishen. Nuk është e mundur që të legalizohen shtëpitë në rrugë”, – kishte deklaruar Rama.
Përballë reagimit të kryetarit Rama, banorët filluan të kërkonin ndihmë. “Po ti vete dhe merr në krah fëmijët në fshatrat e vendit dhe fëmijët tanë i hedh në rrugë? Po çfarë bën kështu o kryetar, se po na nxjerr në mes të katër rrugëve?”, – deklaronte Ramazan Luka, një prej protestuesve, duke marrë përgjigje vetëm se rruga duhet të bëhej.
Dopio-standardi
Në të njëjtën kohë, kur në zonat bregdetare, përfaqësues të opozitës dhe Banka Botërore deklarojnë se banorët duhen kompensuar për shtëpitë ilegale të prishura, bashkia ende nuk ka dhënë asnjë lekë për banorët e zonave në fjalë, të cilët i kishin shtëpitë e tyre në proces legalizimi.
“Kjo është e papranueshme. Na hodhën në rrugë dhe nuk na dhanë asnjë lekë”, – kishte thënë Ramazan Luka. “Ne shtëpitë i kishin në proces legalizimi dhe kemi vite që jemi këtu. Është e jashtëligjshme që na i prishën dhe që nuk na dhanë asnjë lekë”. Nëse kërkesa e tyre nuk merr përgjigje pozitive, banorët shprehen se do të hedhin në gjyq Bashkinë e Tiranës.