E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merret peng autobusi me pasagjerë

21/04/2010 U grabit nga një 32-vjeçar nga Patosi. Më pas mjeti është përfshirë nga flakët, asnjë i lënduar

Brenda dhe dy fëmijë. Panik tek pasagjerët: Iu lutëm të ndalonte, por nuk na dëgjonte

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në mesditë në aksin rrugor Ballsh-Tepelenë në vendin e quajtur Fratar. Një autobus që udhëtonte nga Tirana për në Sarandë gjatë rrugës u rrëmbye nga një 32-vjeçar, i quajtur Eduard Rexhepi, i cili u ndalua nga policia pranë fshatit Krastë të Tepelenës, pasi udhëtoi disa kilometra me autobusin e rrëmbyer. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12 e 30 minuta pranë lokaleve të fshatit Fratar në Mallakastër. Autori 32-vjeçar nga Patosi u kap nga policia e Fierit që nisi ndjekjen e autobusit të marrë peng me targa të Sarandës SR 4911B të linjës Tiranë-Sarandë. Në Krastë të Tepelenës ata janë ndihmuar edhe nga uniformat blu të qarkut të Gjirokastrës që kishin ngritur një postbllok pas lajmërimit për një autobus të marrë peng. Asnjë nga pasagjerët e autobusit të rrëmbyer nuk ka pësuar dëmtime gjatë kësaj aventure.

Ngjarja

Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme kur autobusi i linjës Tiranë-Sarandë u rrëmbye në fshatin Fratar të Ballshit. Autobusi kishte ndaluar kur 32-vjeçari ka hipur në kabinë dhe ka nisur ta drejtojë duke marrë me vete edhe një pjesë të pasagjerëve vetëm 6 prej tyre, ndërsa pjesa tjetër e pasagjerëve ndodhej duke drekuar në një lokal në fshatin Fratar. Sipas një dëshmitareje, pengmarrësi i ka qetësuar pasagjerët duke u thënë të mos kishin probleme pasi do të shkonin në Kakavijë. Drejtuesi i mjetit ka njoftuar menjëherë policinë për rrëmbimin dhe policia e Fierit ka nisur ndjekjen. Autobusi ka marrë flakë pranë fshatit Krastë, në Tepelenë për shkak se mjeti ka ecur me frenat e dorës të ngritura. Ferrotat e autobusit janë fërkuar me diskun e frenave aq shumë deri në nxehje aq të madhe sa merr flakë metali nga skuqja e tij. Flakët kanë shpërthyer në pjesën e pasme dhe kanë detyruar pengmarrësin të ndalonte. Nga ana e uniformave blu të komisariatit të Mallakastrës, Gjirokastrës dhe Fierit u organizua puna duke ngritur postblloqe në aksin rrugor Ballsh-Tepelenë, në bashkëpunim dhe me shërbimet zjarrfikës pranë prefekturës dhe shërbimet e spitalit rajonal për ardhjen në ndihmë të udhëtarëve. Në vendin e quajtur fshati Krastë të rrethit Tepelenë, rreth 15 m në vijë kufitare Ballsh-Tepelenë shërbimet e komisariatit të policisë Mallakastër pas një ndjekje për rreth 20 minuta, bënë të mundur kapjen dhe neutralizimin e autorit të kësaj ngjarje, i cili është shtetasi Eduart Mustafa Rexhepi, 32 vjeç lindur dhe banues në Patos të rrethit Fier. Në këto kushte u konstatua se autobusi kishte marrë flakë dhe menjëherë shërbimet e policisë të këtij komisariati bënë të mundur evakuimin e menjëhershëm të pasagjerëve që ndodheshin në autobus, pa pësuar dëmtime. Autori i kësaj ngjarje është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Policisë Qarkut Fier dhe vazhdon puna për dokumentimin e plotë ligjor si dhe zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të kësaj ngjarje.

Shkaku

Sipas drejtuesit të autobusit të linjës Tiranë-Sarandë autobusi me rreth 20 pasagjerë vazhdonte normalisht udhëtimin dhe në afërsi të fshatit Fratar në një nga lokalet ku drekojnë shpesh autobusët e linjave të gjata, shoferi së bashku me një pjesë të mirë të pasagjerëve kanë zbritur për të pushuar dhe për të drekuar, pasi ka qenë ora 12 e 30 minuta. Në këtë moment një 32-vjeçar, i cili më vonë u identifikua dhe quhej Eduart Rexhepi banues në “Lagjen e re” në Patos ka hyrë me ngulm dhe i ka kërkuar drejtuesit të mjetit ta merrte në autobus deri në Sarandë. Fillimisht shoferi i ka thënë 32-vjeçarit që të priste se ai po pushonte dhe sapo të mbaronte drekën do të nisej, por 32-vjeçari i kishte thënë që të linte në mes ushqimin se ai nxitonte dhe madje ta merrte pa pagesë. Drejtuesi i mjetit dhe 32-vjeçari kanë debatuar me fjalë dhe në këto momente tepër i nxehur 32-vjeçari ka hipur me shpejtësi në autobus ku ndodheshin 6 pasagjerë, të cilët nuk kishin zbritur dhe është nisur në drejtim të fshatit Krastë të Tepelenës. Sipas dëshmitarëve okularë në autobus, paniku ka qenëi fortë, pasi 32-vjeçari nuk e drejtonte mirë autobusin dhe përveç kësaj ai u kishte thënë se do të shkonte në Kakavijë. Në këto momente drejtuesi i mjetit ka njoftuar menjëherë policinë e Mallakastrës dhe ka qenë inspektori i policisë së zonës së Fratarit, Gëzim Tahiraj, ai i cili është vënë në ndjekje të pengmarrësit. Pasi ka ecur pak rrugë deri në fshatin Krastë të Tepelenës dhe pasi ka marrë flakë në pjesën e pasme të autobusit për shkak të ecjes me frena dore të ngritura, pengmarrësi është frikësuar e ka braktisur automjetin dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të kodrave të fshatit Krastë. Në këto momente është kapur nga policia e Mallakastrës, e cila ishte vënë në ndjekje të autorit dhe në krye të operacionit ka qenë shefi i komisariatit të Ballshit Hasan Hasanaj. Sipas shefit të komisariatit Hasanaj janë ende të paqarta motivet e pengmarrjes, veç zënkës mes tij dhe drejtuesit të autobusit, por nuk përjashtohet mundësia që autori të ketë edhe probleme mendore. Gjithsesi autori dyshohet të ketë qenë i skeduar nga policia e Patosit për veprën penale të vjedhjes.

Intervistë me shefin e komisariatit të policisë së Mallakastrës Hasan Hasanaj

Si e ndoqëm dhe e kapëm autorin, reagimet e tij jo normale

Në një intervistë telefonike shefi i komisariatit të policisë Mallakastër, Hasan Hasanaj, rrëfen me detaje gjithë skemën e ngjarjes së pazakontë, atë të rrëmbimit dhe më pas shkrumbimit të autobusit të linjës Tiranë –Sarandë.

Si u njoftuat për ngjarjen?

Ka qenë ora 12 e 30 minuta apo diçka më vonë kur në sallën tonë operative erdhi njoftimi për rrëmbimin e një autobusi të linjës së Sarandës. Identifikuam numrin dhe mësuam se thirrja vinte nga pronari i lokalit në Fratar. E kemi numrin e tij të ruajtur tashmë. Na foli më pas edhe shoferi i autobusit, por me tone të shqetësuara dhe ne kërkuam sërish sqarim nga pronari i lokalit, pranë të cilit ndodhej shoferi. Pak sekonda më vonë morëm në tel inspektorin e zonës së Fratarit, Gëzim Tahiraj, i cili e ndoqi nga pas me makinë pengmarrësin.

Ndërkohë ku i shkuat në ndihmë kolegut tuaj?

Sigurisht, kjo ishte një ngjarje e rëndë dhe nuk mund të mos organizonim operacionin. Mund të kishte përfunduar shumë keq, kishte pasagjerë të tmerruar në autobus dhe mësuam madje edhe fëmijë. Operacionin e drejtova unë. Pasi pengmarrësi bëri nja 20 minuta udhëtim, në afërsi të fshatit Krastë, kur autobusi kishte marrë flakë në pjesën e pasme, pamë një të ri që doli menjëherë nga autobusi dhe me vrap mori rrugën në drejtim të kodrave dhe terrenit kodrinor të veshur me ullinj të zonës së Tepelenës. U vumë në ndjekje të tij së bashku me inspektorin dhe ky i fundit bëri të mundur kapjen e tij. Ndërkohë që forcat zjarrfikëse neutralizuan dhe shuan zjarrin. Gjithçka ndodhi në kufirin ndarës mes Mallakastrës dhe Tepelenës.

Kishte armë me vete pengmarrësi?

Jo armë nuk kishte, madje i bëmë thirrje të dorëzohej dhe nuk paraqiti rezistencë.

Cila ka qenë arsyeja e kësaj pengmarrjeje?

Mendoj një inat dhe kapriçio e çastit me drejtuesin e mjetit, me të cilin u zu në Fratar. Autori 32 -vjeçar Eduart Rexhepi nga Patosi i kishte thënë drejtuesit të autobusit ta merrte deri në Sarandë pa lekë dhe ishte zënë edhe në sy të pasagjerëve të tjerë që drekonin.

Mund të ketë edhe arsye të tjerë, p.sh. shëndeti mendor. Si u paraqit në komisariatin e Ballshit?

Po të them të drejtën dha shenja jo normale, megjithatë, do të jenë ekspertë dhe mjekë ata që do të përcaktojnë gjendjen fizike dhe shëndetësore të tij. Veshur dukej normal dhe ishte i frikësuar në komisariat, ndoshta edhe nga gjendja e rënduar emocionale që ndodhi kështu.

Ai donte të shkonte në Kakavijë apo në Sarandë?

Nuk e dimë ende saktë destinacionin e tij dhe shkakun, pasi tani po e marrim në pyetje, por duket se rrëfimi me të do të jetë i vështirë.

Njihet si person i skeduar nga ana e policisë së Patosit?

Dyshohet se është autor i veprës penale të një vjedhjeje.

Tregojnë pasagjerët

Na thoshte: Mos u trembni, jemi vëllezër, nuk do t’ju bëj gjë

Në autobus ishin brenda 6 persona nga këta njëri ishte fëmijë 2 vjeç dhe tjetri 8 vjeç, të cilët janë bërë padashur pjesë e kësaj aventure. Pasagjerët që udhëtuan në autobusin e marrë peng ishin ata që përjetuan edhe dramën më të madhe. Të tmerruar ata shprehen se nuk mendonin se do t’i ktheheshin ndonjëherë jetës normale.

Marjeta Collaku është njëra prej pasagjereve, e cila tregon se djali në momentin që ka marrë drejtimin e mjetit ka qenë tepër i shqetësuar. “Ishte shumë i shqetësuar. Bërtiste duke sharë veten dhe botën që e rrethonte. Ishte shumë i çekuilibruar dhe i jepte timonit pa ditur asgjë rreth autobusit. Nuk e di se sa herë jemi përplasur rrugës. Përplaseshim me anët e bordurave dhe e merrte kthesën pa pikën e kujdesit. Iu lutëm me mijëra herë të na linte të lirë se ishim të sëmurë dhe kishim fëmijë me vete, por ai nuk na e vuri veshin. “Jemi një gjak, jemi si vëllezër. Mos u mërzisni se do t’u çoj të sigurt në Kakavijë”, na thoshte gjatë kohës që ne i luteshim. Tani jemi të qetë se e pamë dritën e diellit sërish, por ato çaste nuk kam për t’i harruar. Shihte si i habitur sa andej- këtej dhe nuk kontrollonte dot lëvizjet. I thamë të na linte se policia mund ta kapte dhe gjërat do të përkeqësoheshin, por ai na tha se e kishte çdo gjë nën kontroll. Gjatë gjithë rrugës na thoshte të mos shqetësoheshim se nuk do të na lëndonte në asnjë çast. I thamë që nëse do të kishte nevojë për para, do t’ia jepnim çfarë kishim, por ai i refuzoi. Nuk e dimë përse e bëri gjithë këtë”, Ka vijuar në fjalën e saj Çollaku, njëra prej udhëtareve.

Brahim Ilirasi tregon: “Na ndodhi hataja. Lëre çfarë hoqëm gjatë gjithë rrugës, por bashkë me autobusin na u shkrumbuan të gjitha ça kishim me vete. Unë isha në Tiranë për ca probleme pronësie dhe i kisha të gjitha dokumentet me vete. Me vete kisha edhe kartën e identitetit, pasaportën dhe shumë dokumente të tjera që më sjellin një dëm të madh, por nuk po i qaj këto fare. Them me vete shyqyr që shpëtuam kokën se ajo ça pamë ishte shumë. Kemi jetuar ato çaste si në filmin “pengu”. Ishte një skenë tamam e tillë, kur ne i luteshim dhe ai vazhdonte të bënte ato që i thoshte mendja e tij”.

Thëllëza M. përshkruan më me dhimbje atë që ajo dhe pasagjerët e paktë përjetuan gjatë udhëtimit nga Fratari në fshatin Krastë të Tepelenës. “U trembëm sepse nuk shihnim asnjë zgjidhje tjetër. Ishte një çast që nuk do të ta shkul nga mendja tërë jetën time. Ikte autobusi duke bllokuar të gjithë rrugën. S’e di se si kemi shpëtuar. Na ruajti zoti dhe drejtuesit e tjerë të automjeteve, të cilët e panë që ne ulërinim brenda dhe që ai ecte si i çmendur dhe na hapën rrugë. I jemi përgjëruar gjatë gjithë rrugës, por ai nuk dëgjoi. Kur sa kaluam liqenin në Krastë nga fundi autobusit doli tym dhe një flakë jo shumë e madhe, atëherë në i bërtitëm të ndalonte sepse po digjeshim, se ai po na vriste dhe se po të merrte flakë autobusi edhe ai do të digjej me ne, atëherë e mblodhi mendjen dhe ndaloi në një kanal të vogël në anë të rrugë. Aty na lejoi të zbresim dhe kur zbriti edhe pasagjeri i fundit, ai zbriti edhe vetë dhe u largua me vrap në rrugën nacionale. Pas nesh ishte policia dhe sapo ai u largua në drejtim të Tepelenës, policia u vë në ndjekje të tij”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›