Merret peng taksisti, i pritet veshi dhe i vidhet makina

Një taksist është marrë peng, është grabitur dhe dhunuar në Shkozet të Durrësit ndërsa i është vjedhur makina e tij.
Nga të dhënat paraprake bëhet e ditur se taksisti Isa Xhumani 31 vjeç, ka rënë pre i një pengmarrjeje dhe në ngjarje e sipër është goditur me mjete të forta, ndërsa i ështe prerë edhe njëri vesh nga autori i sulmit që kishte levë dhe thikë me vete.
Burime zyrtare nga policia e qytetit bregdetar i thanë agjencisë së lajmeve se ngjarja e rëndë ka nisur mesditën e sotme rreth orës 14.30 në lagjen nr.14 në Durrës, (pranë Shkozetit) ku të dëmtuarit 31 vjeçar, i është vjedhur makina tip Benz me targa DR 2983D, pasi është rrahur barbarisht, shkruan noa.
Mësohet se për afro një orë taksisti është mbajtur peng dhe është dhunuar në banesën e autorit i cili është identifikuar të jetë shtetasi Sabri Verteniku. Tashmë i dyshuari është shpallur në kërkim dhe policia tha se po punohet për kapjen e tij.
Nuk dihet ende ecuria e plotë e ngjarjes ndërsa paraprakisht thuhet se pas pengmarrjes Xhumanit i është vjedhur edhe portofoli ndërsa është goditur me mjete të forta, ku ndër të tjera i është prerë edhe njëri vesh.
Aktualisht taksisti Xhumani ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve ndërsa nuk dihet saktësisht shkalla e dëmtimit në vesh./Indeksonline/