E Diel, 1 Nëntor 2026

Merrte makina me qira dhe i linte peng për borxhe

Dyshohet se ka arritur të mashtrojë disa kompani të fuqishme, duke u marrë mjete me vlerë 150 mijë euro, por aventura e tij ka përfunduar dje, kur është arrestuar nga policia e kryeqytetit. Biznesmeni Hektor Mamli është arrestuar për mashtrim dhe deri tani, sipas policisë i janë dokumentuar vjedhjet në nëntë kompani, ku merrte vlera të ndryshme parash. Megjithatë, ai dyshohet se ka kryer edhe një sërë mashtrimesh të tjera. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se antikrimi ekonomik ka arritur të finalizojnë një tjetër operacion të koduar "Rent", duke vendosur nën pranga këtë person, të akuzuar për "mashtrim për më shumë se një herë" dhe "mashtrim në shuma të mëdha". Kështu, në sajë të një hetimi intensiv disamujor, me metodat speciale të hetimit u arrit kapja e Hektor Nexhip Mamlit, 32 vjeç, në tentativë për t‘u larguar nga pika e kalimit kufitar në Morinë. Ndaj tij, janë deponuar një sërë kallëzimesh për mashtrim në shuma të konsiderueshme parash nga disa kompani. Policia tha se për të kanë denoncuar "Classik Volkswagen sh.p.k", firma "Anas sh.p.k, distributori i Fiatit në Shqipëri", "Meridiane Travel & Tours sh.p.k", "Chevriolet sh.p.k", "Mitsubishi sh.p.k", "Anvil sh.p.k", "Lisingu sh.p.k", "Lumani sh.p.k, si dhe kompanive të tjera e qytetarë të ndryshëm. Gjithashtu, ky person dyshohet se duke shfrytëzuar njohjet shoqërore, ka realizuar më së miri marrjen në formën e borxhit të shumave të parave që varionin nga 5 mijë euro deri në 8 mijë euro. Pas marrjes së parave borxh, i arrestuari u linte si garanci shtetasve të ndryshëm, automjete luksoze. Por, nga verifikimet, ka rezultuar se këto mjete ishin marrë me qira nga të gjitha kompanitë e lartpërmendura. Aktualisht, ky person kishte marrë me qira me anë të mashtrimit 23 automjete në pronësi të kompanive të sipërpërmendura, vlerë e cila arrin në shumën prej 150 mijë eurosh. Krahas sa më lart, policia u ka bërë thirrje qytetarëve apo kompanive të ndryshme, të mashtruara dhe dëmtuara nga ky person, të paraqiten për të deponuar kallëzimet e tyre pranë seksionit kundër krimit ekonomiko-financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Për këtë çështje nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe drejtuesve të Policisë së Tiranës, po realizohet dhe po zhvillohet një punë e kualifikuar profesionale, në drejtim të hetimeve, personave të dëmtuar dhe dëmit të shkaktuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›