Përplasje me policët, vritet grabitësi
Shkëmbim zjarri me policinë, vritet 32-vjeçari në Kamëz pasi kreu dy grabitje brenda natës. Ngjarja ka ndodhur 30 minuta pasi kishte kaluar mesnata e të premtes, kur shkëmbimi i zjarrit mes efektivëve të komisariatit të Kamzës dhe dy personave që kishin vjedhur një gjenerator dhe një makinë, ka sjellë vdekjen e njërit prej tyre. Viktima u identifikua si Ahmet Bardhoshi, 32 vjeç, nga Hasi banues në Valias. Policia jep versionin se vjedhësi është goditur nga shoku i tij në tentativë për t’u larguar me vrap, ndërsa familjarë të viktimës, të cilët janë ankuar në institucionin e Avokatit të Popullit kanë pretenduar se vrasjen e ka kryer policia. Kjo ka mbetur ende e pazbardhur, edhe pse në hetimin e kësaj ngjarjeje janë përfshirë Policia, Prokuroria dhe SHKB e Ministrisë së Brendshme. Zyrtarisht, Policia e Kryeqytetit pohoi se rreth orës 00:30 të ditës së djeshme, në Kamëz, efektivët e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit numër 5, që mbulon këtë zonë, duke patrulluar në zonën pranë shkollës “Agrobiznes”, kanë hasur mjetin tip Benz me targë TR3854G. Policët kanë bërë shenjë për të ndaluar dhe për t’ju nënshtruar një kontrolli rutinë, por personat që ndodheshin në mjet nuk kanë ndaluar. Policët kanë bërë thirrje me sinjal zanor dhe fenelinë, por dy personat që ndodheshin në “Benz” kanë ndaluar mjetin janë larguar menjëherë me vrap drejt një rrugice me zhavorr që lidhte rrugën në të cilën po ecnin ata me autostradën. Thirrjes: “Ndal policia!”, një prej personave, i armatosur, i është përgjigjur me zjarr, duke qëlluar me armë në drejtim të patrullës. “Të ndodhur përpara këtij sulmi edhe policët i janë përgjigjur zjarrit të armës duke qëlluar në ajër. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, në vendin e ngjarjes është gjetur i pajetë shtetasi Ahmet Bardhoshi, 32 vjeç, person me precedentë të mëparshëm penalë, i cili mbante të veshur një xhup ushtarak, në duar mbante doreza, si dhe një palë pinca të fshehura në trup”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë. Nga veprimet e para hetimore rezulton se, automjeti me të cilin udhëtonin këta shtetas ishte i vjedhur në zonën e Paskuqanit në pronësi të shtetasit Man Demiri, po kështu edhe një gjenerator elektrik, i cili ndodhej brenda në këtë mjet. Në vendin ku rezulton i vjedhur gjeneratori, u konstatua se autorët kanë tentuar të vjedhin edhe një automjet tjetër tip Benz, të cilat ishin në pronësi të shtetasit Enkelejd Cali, ndodhur në fshatin Bovillë të zonës së Paskuqanit. Policia ka marrë në pyetje këta persona dhe ka rezultuar se mjeti që lëvizte viktima dhe shoku i tij si dhe gjeneratori rezultonin të vjedhur dhe se pronarët e tyre e kishin marrë vesh për vjedhjen e sendeve të tyre vetëm pasi ishin thirrur në polici. Policia pohon se ka identifikuar personin që shoqëronte Bardhoshin mesnatën e djeshme dhe tashmë e ka shpallur në kërkim atë. Zbulimi i tij është bërë nëpërmjet gjurmëve të gishtave të gjetura në mjetin e braktisur nga dy vjedhësit si dhe gjeneratorin që kishin vjedhur pak më parë. Pas këqyrjes së kufomës së Bardhoshit nga mjekët ligjorë rezulton se ia ka marrë vetëm një plumb tej shkues në shpinë, i cili ka dalë në pjesën e përparme poshtë mjekrës. Viktima është gjetur i rrëzuar përmbys në rrugicë, ndërsa pranë tij janë gjetur gëzhoja, dhe një fishek pistolete i papërdorur. Viktima në duar mbante veshur doreza plastike farmacie me ngjyrë të bardhë, të cilat sipas hetueseve i përdorte për të mos lënë gjurmë gishtash. fa.ma.
Ankesa e të afërmve te Avokati i Popullit
Familjarët akuzojnë blutë për vrasjen, policia: E vrau shoku
TIRANE - Familjarët e viktimës së djeshme 32 vjeçarit, Ahmet Bardhoshi nga Valiasi kanë paraqitur ankesë në institucionin e Avokatit të Popullit duke pretenduar se djalin e tyre e kishte vrarë policia. Sipas tyre, policët kanë qëlluar drejt Bardhoshit duke e lënë të vdekur në vend dhe pastaj për të fshehur krimin kanë deklaruar se ai u vra nga shoku i vet gjatë shkëmbimit të zjarrit me policët. Por pas marrjes së ankesës institucioni i Avokatit të Popullit ka marrë konfirmimin se tashmë këtë ngjarje veç policisë po e heton edhe Prokuroria dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, ndaj ka vendosur që të mos prononcohet derisa këto institucione të kenë dalë me një konkluzion përfundimtar për ngjarjen dhe rrethanat e saj. Burime nga institucioni i Avokatit të Popullit pohuan se do vepronin në këtë mënyrë pasi versionet zyrtare, paraprake të tre institucioneve për të ngjarje binin ndesh me çfarë pretendonin familjarët e viktimës. Po kështu, derisa të mos jetë kapur prej policisë bashkëpunëtori i Bardhoshit, i cili duhet të japë versionin e vet për ngjarjen çështja do të jetë e pazgjidhur porsa i përket autorit të vrasjes. Një pikë e errët në këtë ngjarje mbetet edhe mos gjetja e plumbit që i morti jetën 32 vjeçarit, i cili duhet të analizohet nëse ka dalë nga armët e policisë siç pretendojnë familjarët, apo nga arma e bashkëpunëtorit siç pretendon policia. f.m.
Vrasja, ndalohen tre policët për 6 orë
TIRANE – Vrasja e Ahmet Bardhoshit, 32 vjeç, edhe pse sipas policisë është kryer nga shoku i tij i cili është arratisur nga vendi i ngjarjes, ka shkaktuar jo pak probleme për tre efektivat e patrullës që ndodhej në vendin e ngjarjes dhe u vu në ndjekje të grabitësve. Tre efektivat e policisë janë marrë në pyetje për më shumë se gjashtë orë dje, nga mëngjesi deri pas mesditës, në lidhje me ngjarjen. Ata kanë thënë se ndodheshin në afërsi të shkollës së Agrobiznesit, kur janë përballur me një automjet tip Benz të cilit pasi i janë afruar, i kanë kërkuar të ndalonte për verifikim. Kjo thirrje e policisë, sipas tre efektivave është kundërshtuar nga personat që ndodheshin në makinë të cilët kanë hapur dyert dhe kanë tentuar të largohen. “Personi që ndodhej në drejtimin e makinës ka ecur disa metra para ndërsa Ahmet Bardhoshi pas tij”, kanë thënë efektivat e policisë. Sipas tyre në kohën kur ata po i afroheshin grabitësve, ai që ndodhej i pari në ikje ka qëlluar dy herë në drejtim të uniformave blu. Këta të fundit janë kundërpërgjigjur ndërsa grabitësi i parë ka arritur të zhduket, i dyti kishte mbetur përtokë pasi kishte marrë një plumb në kurriz i cili i shkaktoi vdekjen. Ai kishte në duar dorashkat e përdorura në grabitje kur në vendngjarje arriti grupi i hetimit. Identifikimi i tij u bë nga dëshmitarët pasi personi nuk kishte asnjë dokument me vete. Sipas policisë 32-vjeçari kishte precedentë të mëparshëm për krimin e vjedhjes. tr.so