Mersini: Forca e Luftëtarit u provua edhe në Vlorë
Mesfushori Ergys Mersini, që realizoi golin e fitores në Vlorë, e konsideron ekipin gjirokastrit të paarritshëm nga rivalët
Ergys Mersini, i lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë, këtë sezon u inkuadrua tek ekipi i vendlindjes, Luftëtari. Gjatë fazës së parë ai realizoi 2 gola dhe fazën e dytë e nisi me një gol kapital. Pasi Raboshta barazoi 1-1 në Vlorë, ai i dha fitoren e ekipit të tij ndaj vendësve, që kaluan të parët në avantazh. Me këtë gol Mersini jo vetëm i dha fitoren Luftëtarit, por i dha edhe shpresë vetes për goditje të tjera rrjetash në vazhdim të kampionatit.
Sipas vendit të mëparshëm të FSHF-së, Luftëtari nesër duhej të priste Kukësin, ndeshje e prapambetur nga java e 14-të, por dje është mësuar për një tjetër shtyrje. Nga FSHF-ja është vendosur që kampionatet të shtyhen një javë, kështu që edhe java e 17-të e kategorisë së pare do të luhet më 25 shkurt.
Kështu si po shkon puna, nuk dihet se kur do të zhvillohet realisht ndeshja midis dy ekipeve të largëta gjeografikisht, që po udhëheqin kampionatin. Java e parë e fazës së dytë rezultoi e favorshme për ta, sepse i ftuan ndeshjet e tyre, ndërkohë që rivalët janë ndalur.
Mersini Për fitoren e parë të 2012-ës, golin e tij të parë për këtë vit dhe vazhdimin e kampionatit, mesfushori Ergys Mersini thotë:
Në Vlorë kaluam një provë të vështirë, sepse ekipi vendës fazën e parë na kishte tronditur në Gjirokastër me një rezistencë të admirueshme. Gjithashtu, arriti të kalonte i pari në avantazh në ndeshjen e kësaj faze, por pikërisht këtu ekipi ynë tregoi agresivitetin e tij dhe, në sajë të frymës së grupit, Raboshta dhe unë finalizuam dy nga aksionet tona. Arritëm fitoren aq të dëshiruar, që na angazhon edhe më shumë për ndeshjet në vijim.
Përsëri nuk do të luajmë me Kukësin, pasi kemi mësuar se ndeshjet janë shtyrë. Rivaliteti me të mbetet i hapur, por, po ti analizosh me kujdes të dy ekipet, del se Luftëtari përbëhet nga futbollistë më me përvojë.
Pra, kemi ekip më të kompletuar dhe, kurdo që të luajmë me Kukësin, patjetër që në fushën tonë do të jemi fitues, pse jo dhe në atë të kthimit në Kukës. Luftëtari i këtij sezoni është në gjendje të mposhtë çdo kundërshtar dhe në çdo fushë, ndaj dhe besoj se në fund të kampionatit do të na takojë edhe trofeu i kampionit të kategorisë së parë, sepse ngjitja në superligë është e sigurt.
