E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhëmbi: Sido që të shkojë, Besa në superligë

Nga Leonard Trebicka

Futbollisti korçar, Paulin Dhëmbi, shpreh bindjen se skuadra kavajase do të kthehet në elitë, ku meriton të jetë gjithmonë

Besa e fazës së dytë ka portretin e vërtetë të një skuadre pretendente për në superligë, por kavajasit kanë një mision të vështirë për të përmbushur. Shumë pikë të humbura në 15 ndeshjet e fazës së parë kanë bërë që kjo skuadër të mbetet jashtë dyshes së parë, që do të thotë kalim direkt në superligë.

Gjatë përgatitjeve dimërore janë bërë shumë ndryshime në përbërjen e grupit, ndërkohë që trajneri Magani ka punuar me shumë seriozitet për të pasur ecuri sa më të mirë në vazhdim të kampionatit. Ai, presidenti Bizhdili, dhe tifozët kavajas nuk mundën ta shihnin Besën në praktikë javën e 16-të, sepse ndeshja me Gramozin nuk u zhvillua për shkak të bllokimit të rrugës. Gjithsesi, të gjithë kanë shumë besim se Besa do të kthehet në superligë.

Dhëmbi Mesfushori korçar i Besës, Paulin Dhëmbi, një nga titullarët më të rëndësishëm gjatë fazës së parë, mendon se kjo skuadër do të jetë në superligë sezonin tjetër, me apo pa ndeshje shtesë. Për Sportin shqiptar ai thekson se gjërat kanë ndryshuar për mirë dhe Besa, falë përvojës që ka, do të triumfojë në fund të kampionatit.

Dhëmbi e ka lënë pas dëmtimin dhe është i gatshëm për trajnerin Magani. Jam mirë tani, nuk kam probleme fizike. Dua të jap më të mirën për skuadrën, por kuptohet që këtë gjë duhet ta bëjnë të gjithë gjatë fazës së dytë, që në fund të kemi në dorë një biletë superlige. Besa është skuadër me emër dhe traditë, kështu që nuk mund të qëndrojë më shumë se një sezon në kategorinë e parë.

Dihet që çdo lojtar dëshiron të veshë fanellën e kësaj skuadre në superligë. Kam shumë besim se në vazhdim të kampionatit të gjithë do të shohin Besën e vërtetë, që do të ngjitet në dy vendet e para. Me përqendrim dhe punë sistematike do të arrijmë të fitojmë aq pikë san a duhen.

Një gjë mund të them me siguri: sido që të shkojë puna në fund të kampionatit, me apo pa ndeshje shtesë, Besa do të jetë në superligë, sepse e meriton të jetë gjithmonë në kategorinë e më të mirëve të futbollit shqiptar, ka përfunduar mesfushori Paulin Dhëmbi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›