Mes bombave dhe krizës qeveritare

Në fillim ai njeri i këndshëm po shpërndante ëmbëlsira- fëmijëve, grave dhe burrave. Dhe, përnjëherë e aktivizoi një mjet shpërthyes. Në sulmin e tij vetëvrasës u vranë të më shumë se 60 njerëz.
Viktimat ishin besimtarë shiit, të cilët ishin në rrugë e sipër për në xhaminë e Basra’s, në jug të Irakut.
Ky krim ndodhi më 14 dhjetor dhe është vetëm njëri prej sulmeve të shumta që ndodhën gjatë ditëve dhe javëve të kaluara. Terrori i sulmeve me bomba mund ta prekë çdokënd; shitët e sunnitët, civilët e policët ose ushtarët.
vetëm në sulmet e javëve të fundit u vranë disa qindra njerëz.
Shkak i valës së re të dhunës dhe të destabilizimit të vendit nuk është tërheqja e ushtarëve amerikanë, konsideron eksperti gjerman për Irakun,
Günther Joetze. Sipas tij, shkaku kryesor është politika konfrontuese e kryeministrit aktual, Nuri al Maliki.
Injorimi sistematik i sunnitëve
Maliki është shiit, njësoj sikurse edhe afro 60 përqind e popullatës së Irakut. Sunnitë arabë janë afro 20 përqind. Krahas tyre aty janë edhe sunnitët kurdë dhe ata turkmenë. Në kohën e Saddam Hussein vendi qeverisej nga sunnitët.
Pas zgjedhjeve të vitit 2010, përmes Marrëveshjes së Ebrilit, bashkësitë kombëtare dhe fetare në Irak u pajtuan që të ndanin pushtetin. Por, Nuri al Maliki duket qartë se që nga fillimi kishte qëllime të tjera.
“Në fakt, në Irak formalisht ekziston një qeveri e përbashkët, por përfaqësuesit sunnitë në të janë ‘sistematikisht të pafuqishëm’”, thekson Joetze.
Për shembull, Maliki në qeverinë e tij nuk ka ministër të Mbrojtjes. E ky post, në të vërtetë, do të duhej t’iu takonte sunnitëve. Njëkohësisht, pozitat kryesore ua ka ndarë kolegëve partiakë, ose i mban vetë.
“Qëllimi i Maliki’t është që të krijojë një diktaturë personale”, pohon imigranti irakian në Gjermani, Kadhim Habeb, i cili jeton në Berlin.
Ikja në zonën e kurdëve
Shembulli më i ri i tendencës së Malikit për një pushtet absolut është edhe urdhri i tij për arrestimin e zëvendëspresidentit irakian, Tarik al Hashemi. Sunniti i respektuar, sipas tij, ka nxitur dhe financuar sulmet me bomba dhe vrasjet e shumta. Hashemi, natyrisht, i mohon akuzat e ngritura nga Ministria e Punëve të Brendshme, në të cilën dominojnë shiitët. Ai ka ikur në zonën autonome të kurdëve, që ndodhet në veri të vendit, për t’iu shmangur kështu kapjes.
Eksperti për Irakun, Günther Joetze, nuk e përjashton faktin se akuzat ndaj Hashemit mund të jenë të bazuara. Por, gjatë viteve të fundit pothuajse të gjithë politikanët irakianë e përdorën dhunën si mjet të tyre. Kjo vlen edhe për vetë Malikin. Prandaj, në këto akuza Joetze e sheh mundësinë “për heqjen qafe të ndonjë politikani të shquar sunnit”.
tash për tash, kurdët nuk dëshirojnë t’ia dorëzojnë Hashemin qeverisë qendrore. Por, nëse i garantohet siguria dhe një gjykim korrekt, Hashemi do të vije edhe vetë në Bagdad, deklaroi një përfaqësues i presidentit kurd. Kurdët në fakt nuk duan që të futen në konfliktin mes shiitëve dhe sunnitëve.
Ndarja e mundshme e Irakut
Në ndërkohë, i gjithë blloku sunnit në Irak, të cilit i përket edhe vetë Hashemi, ka pezulluar bashkëpunimin me qeverinë qendrore të vendit dhe me parlamentin irakian.
“Procesi që Irakut duhet t’ia sillte demokracinë faktikisht ia solli atij vetëm qeverisjen e një partie dhe të një njeriu”, pohon politikani i shquar sunnit, Salek al Mutlak. “Sa më gjatë që Maliki të mbetet në pushtet, aq më e madhe është mundësia e ndarjes së Irakut:, përfundon, ai, duke mos e përjashtuar një kryengritje të dhunshme.
“Mundësia që krahinat me shumicë sunnite të mundohen të realizojnë autonomitë e tyre është e madhe”, shprehet Joetze, ndërkohë që imigranti irakian Habeb shkon edhe më larg se kaq.
“Mund të vjen edhe deri te lufta qytetare”, mendon ai.
Habeb e viziton Irakun rregullisht. Ky profesor i ekonomisë, në kohën e Hussein’it ishte në burg. Ai si problem kryesor e sheh ndarjen e pushtetit në bazë të përkatësisë etnike dhe fetare. Habeb mendon se në një situatë të tillë gjithnjë vjen deri te dhuna dhe vrasjet, andaj edhe preferon që të gjitha partitë të përbëhen nga pjesëtarë të të gjitha përkatësve etnike e fetare, dhe të veprojnë në bazë të identitetit irakian.
Ndikim i fuqishëm iranian
Por, realitetit në Irak duket shumë më ndryshe. Konfliktet mes grupeve të caktuara etnike qartazi që po zgjasin tepër shumë kohë, andaj edhe plagët e viteve të kaluara janë thelluar së tepërmi. As zgjedhjet e reja, të cilat Habeb dhe Joetze i propozojnë si zgjidhje të krizës aktuale nuk janë aq të mundura, sepse, sipas të gjitha gjasave, Maliki nuk do t’iu hynte atyre vullnetarisht.
Për mbajtjen e tyre do të mund ta shtynte vetëm ndonjë presion nga jashtë. Mirëpo, mundësia e ndikimit të SHBA’ve në Malikin tani është ulur mjaft. “SHBA nuk janë më fuqia kryesore në Irak, Irani tani është fuqi më e madhe”, shprehet Kadhim Habeb.
Fqinjët e Irakut – Irani dhe Arabia Saudite – nuk janë të interesuar për një Irak stabil. Të dy këto vende dëshirojnë të ruajnë ndikimin e tyre në Irak. Prandaj, ato edhe i përkrahin palët e konfrontuara – Irani shiitët, e Arabia Saudite sunnitët. Qoftë edhe në mënyrë indirekte, të dy vendet e nxisin ekstremizmin. E viktima janë vetëm njerëzit e pafajshëm, burra, gra dhe fëmijë. Njësoj siç ishin besimtarët shiitë më 14 dhjetor, rrugës për xhaminë në Basra. DW