E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harasani: Energjia, të shmangen elementët korruptivë

Partia Socialiste vlerësoi dje se strategjia e shtimit të burimeve energjetike nuk duhet të kthehet në elementë të tregtimit të korrupsionit. Deputeti Andis Harasani tha se mosmbajtja e premtimeve dhe angazhimeve programore të votuara në Kuvendin e Shqipërisë vazhdojnë ta mbajnë sektorin në krizë të thellë. Sipas tij, po mbyllet viti i tretë i qeverisjes së Sali Berishës dhe ende nuk kemi asnjë burim të ri energjie të ndërtuar në vend e që do të ishte pjesë e një plani të madh për shtimin dhe diversifikimin e burimeve energjetike. "Importet e energjisë elektrike mbeten jo transparente, aq sa bëjnë të besueshëm dyshimet se jo e gjithë sasia e paguar në këta muajt e fundit po hidhet në rrjetin tonë energjetik!" - theksoi Harasani. Ai nënvizoi faktin se po paguhet, por dyshohet se nuk po shkon për furnizimin e familjeve e bizneseve në vend. "Kjo pasiguri energjetike po bëhet dhe më e thellë, për shkak të krizës financiare të korporatës, të certifikuar nga organizmat ndërkombëtare", tha Harasani. Ai këmbënguli se kjo krizë është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e keqmenaxhimit që vjen nga padija e korrupsioni, nga uria e vazhdueshme për të nxjerrë përfitime të paligjshme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›