E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes legjendash dramatike ngrihet dueti i dashurisë së Delinës

Autori i Lajmit: redaksia
Mes vegimesh legjendare dramatike lartësohet dueti i dashurisë së dlirë të Delinës dhe Arbanit. Shoti vuan. Sa lind dashuria e dlirë, ajo përgojohet nëpër thashethemet e fjalëhapësve që në festën e pranverës përfitojnë nga maskat. Të dashuruarit presin që dielli të ndrisë dhe ti ngrohë me shkëlqimin e tij të zjarrtë. Vallëzimet e “Delinës”, por edhe të dy vëllezërve Arbanit dhe Shotit, që ndajnë bashkë dashurinë për të bukurën Delinë do ti shohim në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në 5, 6 dhe 7 mars. Nën muzikën e profesor Çesk Zadesë dhe koreografinë e Agron Aliaj, interpretojnë solistët Enada Hoxha dhe Gerd Vaso, të shoqëruar nga trupa e baletit Ledia Sulaj, Elton Merja, Evis Nallbani, Dion Gjinika, Elona Nallbani, Fatjon Lito, Endri Shkoza, Eva Seraj, Isida Mollaymeri, Erisa Gina, Jonida Onuzi, Rovena Shqevi, Elona Dervishi, Adela Muçollari, Greta Hushi, Julind Dervishi etj.
Libreti është ndërtuar në një ndërthurje te personazheve, simboleve dhe zhvillimeve që ndodhin në botën e rapsodive dhe legjendave arbërore të cilët zbërthejnë veti të larta të një kulture autentike e të lidhur drejt për së drejti me faktorët historikë dhe ata të konstitucionit shpirtëror. Këto legjenda kanë lënë gjurmë të pa shlyeshme përmes krijimtarisë artistike të popullit, shprehje e shijes së hollë estetike, e përgjithësimit historik të lashtë sa ekzistenca e tij. Brenda unitetit të motiveve dhe personazheve legjendarë gërshetohen tri prej tyre. Ngjarjet e dashurisë së madhe të dy vëllezërve Arbanit dhe Shotit për të bukurën Delinë; “Rikthimi i Doruntinës” për të mbajtur besën; Nora që lindi vajzë “kundër dëshirës” se përbetuar të atit që e donte djalë deri në marrëzi dhe që e transformoi vajzën në trimëreshë.
Një mjedis i hershëm arbëror
Në mes dallojmë Delinën, Arbanin, Shotin. Ata janë të lidhur me një miqësi te fortë nga fëmijëria deri në moshën e rinisë, çaste kur lind dashuria e madhe e të dy vëllezërve për Delinën - njëkohësisht dhe xhelozia mes tyre. “Lind një njeri” - Të gjithë kthejnë vështrimin drejt legjendës së Norës te bukur që lind në mes të shkreptimave dhe të dramës së madhe ku i ati vret nënën që i lindi vajzën. Nora rritet jetime, e bukur dhe e fortë. Delina, Arbani, Shoti kthejnë kokat pas dhe para tyre si në vegim shfaqet për të kaptuar larg, Duruntina e hipur mbi kalë bashkë me të vëllain, Kostandin. Mes vegimesh legjendare dramatike lartësohet dueti i dashurisë së dlirë të Delinës dhe Arbanit. Shoti vuan. Sa lind dashuria e dlirë, ajo përgojohet nëpër thashethemet e fjalëhapësve që në festën e pranverës përfitojnë nga maskat. Të dashuruarit presin që dielli të ndrisë dhe ti ngrohë me shkëlqimin e tij të zjarrtë. Kryefjalëhapësi e josh Shotin me dhurata e pasuri, vetëm që ai të kalojë mërzinë: - “Ka vajza të tjera të bukura. E kush nuk e dëshiron Shotin, kreshnikun e maleve!” Papritur, fjalëhapësi, transformohet në Mbret të detit dhe fton Shotin ta ndjekë nga pas në mbretërinë e ujit, ku shpirti i tij do të qetësohet mes sirenave dhe bukurive të papara të fundit të detit.
Shoti fton Delinën dhe Arbanin ta ndjekin
Njëra pas tjetrës vallëzojnë shtojzovallet e ujit dhe sirenat e në mes tyre Shoti lumturohet. Por gjithçka është iluzive. Zgjimi e sjell në realitet dhe e dëshpëron Shotin. Më në fund Delina me vendosmëri i pohon dashurinë për Arbanin. Gjithçka errësohet. Armiqtë shkelin mbi tokën arbërore. Dërgatat plaçkitin dhe bëjnë reprezalje. Më i madhi i tyre, dashurohet me Norën, por zemra e saj i përket trimit Pal.
Martohet Delina dhe Arbani
Shoti shtiret se dashuron Zogën, për të mos prishur gëzimin që ka Arbani. Në thellësi të shpirtit, atij i vlon dëshira për tu hakmarrë për dashurinë e parealizuar.
Dërgatat me interesat e tyre, përpiqen të përçajnë kreshnikët. Kështu dhe Shoti, pak nga pak, bie viktimë e intrigave.
Pallati i ambasadorit
Kreu i dergates prêt me padurim, takimin me Norën. Tezja e ka veshur atë enkas për këtë rast. Mes të pranishmëve në atë mjedis të huaj, ajo shikon të ftuar dhe Shotin. Kupton pozicionin e tij të ulët dhe fillon ta urrejë. Një gotë me helm rrezikon Arbanin që kur zbulon se për këtë ishte ne dijeni dhe Shoti e përçmon me urrejtje për tradhtinë e tij.
Grand adagio” – Delina i premton Arbanit se do ta dashurojë deri në fund të jetës. Lufta nuk lë të qetë të lulëzojë dashuria e tyre. Mizoritë gërshetohen me vdekjen e Palit dhe legjendën e kthimit tragjik të Doruntines. Delina nuk duron dot vuajtjet dhe masakrimin e popullit. Kur ajo shikon se Arbani kthehet i plagosur nga beteja, tronditet rëndë, megjithatë vendos të luftojë dhe ajo deri në fund. Shoti i penduar e ndihmon Delinën. Drama e madhe e atyre që nuk ndihen në dashurinë e tyre. Në beteja gjejnë vdekjen dhe shtatë vëllezërit e Doruntinës e cila kur i sheh plas nga dhimbja si dy poçe bashkë me të ëmën. Nora hakmerret kundër kreut të dërgatës për vrasjen e njeriut që i vrau njeriun më të shtrenjtë. Delina nuk duron dot dhe në kllapinë e saj, kërkon të hidhet nga shkëmbi. E shpëton Arbani që në zgrip të jetës vuan gjendjen e saj të pashpresë….
Atje ku mbaron dashuria e tyre ngrihen tre qiparis dhe legjendat ndjekin njëra tjetrën. Pafund thuret historia e tyre.

Ky lajm është publikuar: 02/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›