E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes politikës së vjetër dhe asaj të vjetruar

Ilir Ciko 

Ajo është Europa e vjetër  mbetet një nga shprehjet më të famshme të drejtuesit të ushtrisë më të fuqishme të botës në vitin 2003 e përdorur me një dozë të theksuar nervozizmi për të vënë gishtin mbi shtetet kryesore europiane, të cilat në atë kohë nuk mbështetën politikën amerikane  rreth luftës në Irak, në dallim prej atyre që u renditën përkrah forcave amerikane. Vetëm pak vite më pas, mospajtimet rreth Irakut i përkasin historisë, marrëdhëniet midis ‘Europës së vjetër’ dhe Amerikës janë më të mira se kurrë, dhe sot jo shumë njerëz mund të arrijnë të sjellin ndërmend qoftë dhe emrin e autorit të kësaj shprehjeje. Ca më pak mund të kenë idenë edhe më të vogël se me çfarë merret ai sot, pas largimit njëherë e përgjithmonë prej politikës amerikane.
Etiketimi si ‘e vjetër’ nisi të përdoret pak a shumë në të njëjtën kohë në Shqipëri duke iu adresuar fillimisht me kujdes, pa ndonjë fokusim të qartë dhe që shpesh lejonte kuptime dhe interpretime të ndryshme, politikës në vend. Kalimi i Partisë Socialiste në opozitë bëri që përdorimi i këtij termi të intensifikohej dukshëm, por sërish në mungesë të shpjegimit se ç’qëndronte pas tij dhe ca edhe më turbullt, pas atij që përpiqej ta zëvendësonte si një alternativë e politikës së re. Dalëngadalë, sulmi ndaj politikës së vjetër u kthye në mburojën e vetme të atyre pak të privilegjuarve, rëndom anonimë në identitetet dhe identikë në anonimitetin e tyre, që merrnin të drejtën për të dalë përpara podiumit me emblemën ‘socialistët e shekullit të ri’. Mburojë, e cila është përdorur për të futur pa dallim brenda së njëjtës kuti të gjithë ata që mendonin ndryshe, dhe shpesh, edhe për t’iu shmangur përgjigjeve të domosdoshme ndaj përgjegjësive të rëndësishme publike. Kopjimi pa ndonjë modifikim dhe me asnjë të drejtë autori, e ndoshta dhe konteksti, i modelit fitues të zgjedhjeve amerikane bëri që gjatë fushatës së zgjedhjeve të këtij viti, refrenit të zëvendësimit të politikës së vjetër thjesht t’i bashkohej edhe fraza magjike e ndryshimit, e zgjedhuar dhe lakuar më pas në të gjitha format e mundshme të saj në gjuhën shqipe nga partitë pjesëmarrëse në këtë garë.
Duke u lidhur fort pas synimit të ndryshimit të politikës së vjetër dhe duke e kthyer këtë synim praktikisht në të vetmin kalë beteje të kësaj fushate, Partia Socialiste gjendet në vigjilje të konfirmimit se në këtë vend mund të hedhësh në erë e të groposësh familje të tëra dhe duke buzëqeshur të thuash se ky është një detyrim i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, mund të shkelësh çdo ligj të shtetit e më pas të tallesh me institucionet e tij, të shkelmosh drejtësinë dhe të çosh në kufijtë e rrezikut ekonominë, të shkatërrosh vepra publike për të cilat qytetarët paguajnë dhe askush të mos përgjigjet, të japësh edhe krejt Karaburunin siç dëgjojmë së fundmi e të mos pyesësh kërkënd, e shumë e shumë mëkate dhe zullume të tjera si ato që shohim çdo ditë, e sërish, të mbetesh në pushtet.
Partia Socialiste përbën një forcë politike rëndësia e së cilës për këtë vend rrezaton shumë përtej interesave të një grushti individësh që presin me ankth futjen në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që një pjesë të mirë të tyre pak e lidh, e shumë e ndan me atë që votuesi i thjeshtë percepton dhe pret nga kjo parti. Mirëfunksionimi i një force politike në vend ka dobi shoqërore kur ajo është e aftë për të mobilizuar njerëzit përreth saj, por edhe duke ndërtuar modele konkurruese të cilat shërbejnë si nxitës për të dhe gjithë shoqërinë. Të qenurit forcë politike kryesore në vend, pavarësisht nëse në pushtet apo në opozitë, për njerëzit do të thotë dhënie shprese për të ardhmen kur kjo mungon, konkurrim idesh kur këto nuk përfillen, dhënie shembulli kur shumë të tilla janë negative, lidership në drejtim kur nuk dihet në cilin drejtim shkohet e në vend të tij sundon autoriteti i pacenueshëm, punë në ekip kur kulti i individit është një nga reliket e harruara të historisë që ka nisur të jetë sërish kuptimplotë sot. Do të thotë të jesh në opozitë edhe kur je në pushtet, por dhe të gjenerosh pushtet pozitiv, kur ndodhesh në opozitë.
Fatkeqësisht, dhe jo për çështje fati, ajo kurrë nuk ka qenë opozitë. Quajeni pakicë parlamentare, një grup i vakët kokëulurish pa busull, pa asnjë interes për shoqërinë, me shpresë te fati se sëpata e spastrimeve politike nuk do të bjerë nesër mbi ta, por jo opozitë. Çdo përjashtim deri më sot, është quajtur politikë e vjetër. Të masësh numrin e nismave ekonomike dhe ligjore - aq të rëndësishme për vendin dhe kontributin që mund të japë një forcë parësore politike, - të ndërmarra nga Partia Socialiste gjatë 4 viteve të fundit, të mjaftojnë gishtërinjtë e duarve dhe matur nga dobia shoqërore që ato mund të kenë sjellë në këtë drejtim, vlera është zero. Nuk mund të quhet opozitë ajo që kurrë nuk ka guxuar të njohë, e aq më pak t’i bashkohet qoftë edhe një arritjeje të vetme pozitive të këtyre viteve. Me gjithë problemet e panumërta, të tilla ka pasur e Shqipëria ka ndryshuar, jo rrallë edhe për inercinë e shumë reformave të ndërmarra kohë përpara qeverisë aktuale, të cilat gjithashtu sot nuk njihen e vlerësohen, por nëpërkëmben nën moton e politikës së vjetër. Nuk mund të quhet opozitë ajo që nuk arrin të ndajë betejën e përditshme politike nga kuptimi se në një vend të vogël dhe të varfër, konsensusi kombëtar mbi çështje që dalin krejtësisht jashtë një mandati qeverisës, është përcaktues mbi të ardhmen dhe mirëqenien e të gjithëve. Dhe mundësi të tilla gjatë këtyre katër viteve, pa përfshirë hipokrizinë e marrëveshjeve ‘konsensuale’ të interesave të ngushta politike a ekonomike apo të atyre që në mënyrë të neveritshme vazhdojnë të imponohen nga ‘ndërkombëtarët’, ka pasur, e në mungesë të tyre një opozitë e vërtetë do të ishte në gjendje t’i identifikonte, gjeneronte dhe tërhiqte në to përmes lidershipit të saj të gjithë spektrin politik.
Partia Socialiste nuk ka arritur as të adresojë, e ca më pak të kërkojë t’i japë zgjidhje, faktorit të dytë që katër vjet më parë e dërgoi në opozitë, atë të ndarjes në krahun e së majtës, por e ka thelluar shumë më tej këtë proces duke transformuar protagonizmin në antagonizëm dhe duke prodhuar çarje të thella e të mëtejshme. E gjithë kjo, në kontrast të thellë me zhvillimet në krahun tjetër të politikës, ku me gjithë problemet, pushteti ka arritur të japë shembuj pozitivë bashkimi. Partia Socialiste ka trajtuar në mënyrë edhe më pak të përgjegjshme faktorin e parë që e përcolli në opozitë, atë të korrupsionit, duke e anashkaluar, injoruar, përkëdhelur, trajtuar me metoda të moderuara, duke e denoncuar në ato raste që e ka kryer, thuajse përherë përmes atij zërit acarues që vetëm zhvlerëson çdo argument që lexon, duke arritur deri në flirte flagrante me pushtetin, dhe duke dhënë shembuj të plotë përdorimi të tij me gjithë negativitetin e domethënien e tyre, si duke qenë në opozitë ashtu edhe në pushtet lokal. E deri në përkthimin së fundmi të tij në disa raste treguese në listat e kandidatëve për deputetë, por të gjitha këto, sikurse dhe vetë fenomeni, - me pak shpresë i kurueshëm në këtë vend, - i korrupsionit, janë me vlerë për t’u analizuar gjerë e gjatë më vete. Por problemi nuk qëndron vetëm te përçarja, korrupsioni apo pushteti. Sepse nuk është pushteti ai që degradon demokracinë, edhe në krahun tjetër. Shumë prej miqve demokratë që kam vështrojnë me trishtim emërimin e figurave mjerane në drejtimin e strukturave kryesore të partisë së tyre, ndërkohë që gjysma e djathtë e shqiptarëve ka, dhe meriton promovimin e kapaciteteve që vlera, dhe jo nënshtrim ndaj autoritetit absolut, mund të sjellin për forcat e tyre politike dhe të mirën e këtij vendi. Nuk është pushteti, as abuzimi me të, ai që mbyt përparimin e demokracisë, por është vdekja, vdekja e frymës së konkurrimit të ideve dhe debatit, e shtrirë në të katra anët në partinë kryesore të pakicës së sotshme, pikërisht ajo frymë që për të djathtën pesë vite më parë ndihmoi të tejçohej brenda saj krijimi i vitalitetit që e solli në pushtet, ajo që sot mungon dhe që është tërësisht e zëvendësuar me hipokrizi masive dhe hipnozë kolektive ku të gjithë (përjashtuar pak që lexojnë gazeta apo shkruajnë libra), sodisin ditë e natë yjet në qiell duke thurur lavde për mbretin e tyre lakuriq. E duke mos harruar të belbëzojnë psallmet mbi politikën e vjetër.
Lidership do të thotë të marrësh mbi vete rrezik, edhe të të tjerëve, do të thoshte Roni Heifetz. Përgjatë viteve të fundit kemi parë shpurën e selinë rozë të endet përgjatë fshatrave të Shqipërisë por jo pak vlerësojnë se më shumë se marrja e mendimit në këto udhëtime, ka pasur rëndësi përgatitja nga një dorë e kujdesshme e dekorit shumëngjyrësh pa harruar për të sjellë nga pas të gjitha kamerat e televizioneve të Shqipërisë. Problemet e Shqipërisë nuk janë dhe nuk mund të zgjidhen aty. Shqiptarët që po vrasim kanë vazhduar të varin veten në litarë se nuk mund të shlyejnë borxhet që kanë, të marrin borxh për të blerë helmin e fundit që i jep fund jetës, të djegin veten e të lenë në rrugë fëmijë të varfër dhe askush prej tyre, askush, nuk afrohet kurrë te cinizmi i kamerave, ngjyrave dhe llomotitjeve mbi politikën e vjetër që i rrethon. Partia Socialiste nuk e ka thënë kurrë, e madje druaj se sot, pak në të arrijnë edhe ta kuptojnë, se për të qenë më mirë në të ardhmen, të gjithë duhet të ndajmë kosto më të lartë, të punojmë më shumë e shkundim parazitizmin që shtrihet në të gjitha shtresat e shoqërisë, por jo të presim magjinë të ndodhë me zgjedhjen e pushtetit. Vështroni sot bregdetin shqiptar përgjatë gjithë vijës së tij. Derrat hanë plehrat mbi rërë, kjo është pamja e trishtueshme tipike e ofruar nga Velipoja në Ksamil. Gjysma e drejtuesve lokalë të këtyre zonave janë zgjedhur dy vite më parë nga politika e vjetër dhe gjysma tjetër, pikërisht nga ajo ‘e re’. Për të marrë votat nga ata që rrisin derrat e hedhin plehrat, sërish vitin e ardhshëm të njëjtën pamje do të gjejmë dhe të gjithë do të jemi edhe më keq. Dalja prej rretheve të tilla vicioze, që në Shqipëri i gjen kudo, kërkon kurajë por dhe të marrësh mbi vete rreziqe.
Socialistët e shekullit të ri, ndërkohë që flasin për politikën e re, vijnë në këto zgjedhje krah për krahë e për të sjellë në pushtet si aleat atë që ka qenë ministër, në kohën kur unë kam pasur moshën e tim biri. Për ata që nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë, nuk është fjala për politikë të vjetër, të re apo të ndërmjetme. Është një brez i tërë që po konsumohet duke mbetur peng i dyerve rrotulluese të partive politike që edhe dinosaurët do të nxirrnin nga toka për të mbajtur me thonj pushtetin. Shkruesit e listave të kandidatëve për deputetë rrotullojnë sytë nga tavani në dysheme, për t’ju shmangur pyetjeve mbi disa emra në listat e deputetëve të cilët nuk ka nevojë ta tregojnë, pasi e kanë provuar plotësisht gjatë kësaj legjislature se jo vetëm nuk kanë asnjë lloj lidhjeje me të majtën, por janë të aftë të shiten e të blihen, të kalojnë nga njëra parti në tjetrën, dhe në fund, sërish të jenë në listë për të kërkuar votën e shqiptarëve. Nuk ka shumë për t’u çuditur kur i gjithë procesi i hartimit të këtyre listave, duke qenë tërësisht i personalizuar dhe centralizuar (mbani mend si quhej ai premtimi i harruar – një anëtar, një…?), jo vetëm ka qenë shembulli më i keq i mosfunksionimit të demokracisë por ai nuk mund të krahasohet jo me atë që pritet nga forcat politike në stadin e sotëm të maturimit të Shqipërisë, jo me atë që ditën premtohet e natën harrohet, por është shumë më poshtë se edhe vetë standardet që Partia Socialiste dikur i ka arritur në të kaluarën e funksionimit të saj, kur në një masë të konsiderueshme anëtarët e thjeshtë dhe drejtuesit lokalë, e jo fermanët e errësirës, kishin peshë për të vendosur për përfaqësuesit e saj.
Socialistët e shekullit të ri në kuturisjen përtej së majtës dhe të djathtës pa ndier se po shkojnë tëposhtë, kanë arritur në zgjedhjet e këtij viti si asnjëherë në historinë e tyre pa shqiptuar qartazi se ç’kërkojnë të kryejnë nëse vijnë në qeverisje, veçmas fiksimit të përmbysjes së politikës së vjetër. Bizneset shqiptare që përbëjnë pjesën thelbësore të ekonomisë së vendit nuk kanë as idenë më të vogël se ç’mund të ndodhë p.sh. Me sistemin e taksave ndërkohë që një reformë përgjithësisht pozitive e që duhet përshëndetur është kryer gjatë viteve të fundit në këtë drejtim. Do të vazhdojmë të mbajmë sistemin e taksës së sheshtë apo mekanizma të tjerë më pro-socialë do ta zëvendësojnë atë? Do të vazhdojmë të përmirësojmë sistemin e regjistrimit e licencimit të bizneseve apo modele si bie fjala, ai i dhënies së lejeve të ndërtimit, me plot famë jo vetëm në politikë por dhe në çdo organizatë ndërkombëtare, do të përdoren në vend? Të tilla dhe shumë pyetje të tjera mbeten pa përgjigje, ndërkohë që risi nga më çudibërëset, duke nisur nga lajthitja e alkimistëve rozë të kushtetutës mbi kompensimin e farës së misrit të prishur, e deri tek inovacionet e fundit për përdorimin e remitancave e keqpërdorimin sërish të minatorëve, premtimet në çdo fushë kur mundësitë për të kthyer gjithçka në prioritet janë thjesht pamundësi, rritja e buxhetit të arsimit kur përdorimi i plotë dhe efiçient i tij është problemi, shërbimi shëndetësor universal kur praktikisht i tillë ai është dhe shfarrosja e korrupsionit masiv në të është ajo që njerëzit presin, e shumë e shumë të tjera që lehtësisht përmblidhen me një fjalë të vetme: broçkulla.
Socialistet e shekullit të ri, një pjesë e mirë e të cilëve ngjan si të lindur në shekullin e ri, vazhdojnë të rreken për të zënë për fund atë që është e vjetër sa edhe njerëzimi pa arritur të kuptojnë se e gjithë ajo armatë shumëngjyrëshe me ylberë dhe dylberë, vullnetarë, ngatërrestarë e qyqarë, kukulla e kukudhë, me shpresë tek (i) zoti e të pashpresë tek vetja, duke shkelur mbi vlera dhe duke pritur të marrin vlerë, duke belbëzuar deri përtej bezdisë të njëjtin refren mbi politikën e vjetër, ka prodhuar dalëngadalë një kopje të së parës e se po të kthesh vështrimin pas, jo ditët, por vitet kanë kaluar dhe se sot, në boshllëkun që e ndan nga realiteti, ajo mbetet thjesht, politikë e vjetëruar.
Pas pak ditësh qytetarët e këtij vendi do të duhet të zgjedhin përmes së drejtës së varfëruar të votës, midis këtyre dy alternativave. Të pyetur mbi preferencën midis së vjetrës dhe të vjetërsuarës, atëherë kur flitet për verën, veshjen, kravatën, këpucët apo ndoshta, si shumë nga dishepujt e shekullit të ri do të mendonin - edhe një të dashure, qeniet njerëzore kanë përgjithësisht një tendencë natyrore për të anuar qartësisht nga e para. Ajo e vjetra përmban nostalgji, kujtime, ndoshta modë që mund të rikthehet, ndërsa e vjetërsuara se si duket….
Ndoshta në politikë mund të jetë ndryshe? Mundet. Karriera e z.Rumsfeld tregon të kundërtën, madje për paradoks ajo që sot quhet politikë e vjetër e vendoste gjashtë vite më parë Shqipërinë pikërisht në krahun tjetër të ‘Evropës së vjetër’, por vijimi i këtij arsyetimi do ta ndërlikonte kuptimin për shumë nga të rinjtë e politikës së vjetërsuar. Sidoqoftë, e gjithë kjo shfaqje, sot, mbetet diçka aspak interesante për t’u soditur.
 ilir.ciko@yahoo.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›