E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo kurdo dëbora është ogur i bardhë

është thënë dhe përmendet herë pas here se, po u zbardhën malet lulëzojnë fushat. Kjo aksiomë e mbështetur dhe e
formuluar nga përvoja e gjatë e shumë popujve, kohëve të fundit e ka humbur vlerën reale të saj. Sidomos në terrenin tonë, jo vetëm gjeografik, por edhe social e politik është vënë seriozisht në dyshim, aq sa kërkohet në çdo rast të vërtetohet. Pra, jo gjithmonë dëbora na qenka ogur i bardhë, pavarësisht ngjyrës së saj. Jo gjithmonë, sepse le të mbushen malet me të, por në pranverë dhe në behar syri nuk të zë blerim kudo, veçanërisht në fusha të lënë djerrë si mjaft prej atyre të Myzeqesë, apo si fushat e Nënshkodrës të përmbytura dhe me prishje prej kohësh të sistemeve kapilare të kullimit, të bonifikimit.

çrregullime të tilla të ekuilibrave natyrorë s’mund të quhen fatkeqësi të ardhura nga Zoti, sepse tashmë është e qartë që ato shpesh burojnë nga mendja e mbrapshtë dhe dora e flashkët e njeriut, siç ka ndodhur me shembujt e përmendur më sipër. është e qartë që këta shembuj dhe plot të tjerë te ne u bënë të tillë dhe morën zë nga keqqeverisja aktuale, nga politikat e shtrembra ekonomike, sociale dhe ekologjike të saj, duke pllakosur në fushat përkatëse jo thjesht situata të tensionuara, por kriza të ashpra, pesha e të cilave rëndohet edhe më tepër kur shoqërohen prej çrregullimeve të theksuara në funksionimin e shtetit dhe në raportet e marrëdhënieve shoqërore.

Ndoshta është e tepërt të shpjegojmë e sqarojmë në këto radhë burimin, karakterin dhe profilin e konfliktit politik, që po sundojnë atmosferën tonë prej disa muajve rresht. Por, nuk mund të lëmë pa përmendur se këtë herë, kur u mendua që me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve dy subjektet tona politike kryesore do të fashisnin mosmarrëveshjet mes tyre për transparencën e zgjedhjeve parlamentare të vjetshme, zënkat vazhduan me të njëjtën vendosmëri, duke e shtyrë edhe më tej në vijë lineare krizën komplekse që e ka kapluar vendin dhe shoqërinë tonë.

Pikërisht të shtunën e kaluar, kur një shumicë e konsiderueshme e popullsisë po e përqendronte vëmendjen te tryeza, ku nën drejtimin e Presidentit të Republikës po niste midis liderëve të dy forcave politike kryesore dialogu për ta kapërcyer konfliktin që sundon gjatë disa muajve rresht, në thelb nuk u ndje të frynte ndonjë erë e re që mund të shpërndante retë e zeza, një erë e tillë që do të bënte të shpresohej se mjaft shpejt niste të kthjellohej atmosfera e rënduar.

Ndonëse sapo kishte filluar të binte një reshje dëbore flokëmadhe, e cila në Tiranë s’ishte dukur prej shumë vitesh, çka e nxiti Kryeministrin të deklaronte në hyrje të takimit që kjo ishte një shenjë e mirë, bisedimet u zhvilluan nën trysninë e një tensioni, i cili gjenerohet në kësi rastesh prej frymës së konflikteve të tilla. Domethënë, nuk mund të quhet një sukses i madh fakti që dy kundërshtarët politikë më së fundi u ulën përballë njëri–tjetrit për të dialoguar brenda katër mureve, qoftë edhe duke shmangur disi batutat shpotitëse, fyerjet reciproke apo akuzat e rënda që i kanë drejtuar njëri–tjetrit pa ndërprerje gjatë muajve të tërë.

Sepse, vërtet që zakonisht (aq më shumë në traditën dhe përvojën shqiptare) nuk zgjidhen plotësisht qysh në takimin e parë çështje themelore të sistemit politik dhe mënyra e rivendosjes së shinave të demokracisë. Por, kur si njëra, po ashtu edhe tjetra palë, me liderët e tyre, nuk u mënjanohen aspak esencialisht qëndrimeve të mëparshme, duke mos dhënë kështu ndonjë shpresë për ndryshim të këtyre qëndrimeve gjatë raundeve të tjera të bisedimeve, atëherë askush nuk mund të vetëkënaqet me këto zhvillime. As secila prej palëve pjesëmarrëse, as moderatori i takimit, të cilit iu besua ky rol brenda kompetencave kushtetuese dhe ligjore të një kryetari shteti. Madje, as përfaqësuesit e shteteve aleate dhe organizmave ndërkombëtare, që iniciuan ngritjen e kësaj tryeze të drejtuar nga një personalitet vendas me funksionin edhe të arbitrit në raste krizash politike.

Të ndodhur përballë dy qëndrimeve në mënyrë konsekuente maksimalisht të kundërta, vështirë që të ndryshojë gjendja shumë shpejt prej frymës së asaj teoremës klasike të Pitagorës, sipas së cilës, ekstremet mund edhe të puqen. Kur Sali Berisha menjëherë pas takimit të së shtunës u tha gazetarëve publikisht me Presidencën pas krahëve, se “çështje, të cilat Partisë Socialiste ia ka hedhur poshtë gjykata, janë çështje mes saj dhe pushtetit gjyqësor dhe jo mes saj dhe Partisë Demokratike”, këto fjalë nuk mundi t’i shpëlante as shiu që binte tek bëhej kjo deklaratë. Ashtu si, kur prej Edi Ramës edhe fill pas takimit, edhe më vonë, u artikulua insistimi i tij njëtrajtësisht i përsëritur, se “kërkesa për hapjen e kutive të votimit është plotësisht kushtetuese dhe e patjetërsueshme”, nuk mund t’i japësh kësaj deklarate dy kuptime apo ndonjë nuancë evazive.
***
Në këto kushte, sigurisht që do të kërkohej intensifikimi i dialogut në tryezën e drejtuar prej Presidentit Topi dhe mes këtij apo palëve të konfliktit me përfaqësuesit ndërkombëtarë të angazhuar jashtë mase për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Prandaj është plotësisht i shpjegueshëm hapi i shpejtë i Kryetarit të shtetit për takime të veçanta me secilin lider pjesëmarrës në ballafaqimin dialogues. Sikurse, në të njëjtën ditë, edhe me ambasadorin e Spanjës-kryesuese e radhës së Bashkimit Europian, dhe me atë të Komisionit Europian, të cilët gjithashtu në mënyrë intensive, prej kohësh janë përpjekur t’i japin në një farë mënyre përgjigje pyetjes që shqetëson një masë të madhe njerëzish në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor: Si mund të përmblidhen dhe të përkufizohen vlerat universale shoqërore, si të përdoren ato në politikë, pa rënë në përpjekje për t’u shkrirë në vlerësimin e përgjithshëm global?

Ndër këto vlera, padyshim që një vend të veçantë zë edhe e drejta për të votuar, si edhe respektimi i kësaj të drejte në çdo shtet demokratik. Nëse edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e klasifikon atë shprehimisht ndër dhjetë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si edhe ushtrimin e saj si një e drejtë konkrete, të përcaktuar mirë dhe plotësisht të zbatueshme, nëse për këtë arsye nga legjislacioni ynë penal janë fshirë të gjitha formulat e dënimeve plotësuese që në të kaluarën shpinin në ndalimin qoftë edhe të përkohshëm të së drejtës për të votuar etj, etj, në fund të fundit kjo shpreh qartë rëndësinë e madhe që ka çdo proces votimi dhe transparenca e tij.

Prandaj, përpjekjet për të zbutur tensionet e rënda politike aktuale, të cilat çdo ditë e më shumë po shoqërohen me krizën ekonomike dhe stopimin e veprimtarive institucionale, ndoshta do të zgjasnin pa sukses po të synohej që të gjendeshin pika konvergimi të qëndrimeve të kundërta të dy krahëve politikë, duke lënë një herë e mirë të kuptohet që ky apo ai lider po e shfrytëzojnë për vete çdo ritëm afrimi të vendit me Bashkimin Europian. Në një kohë që Bashkimi Europian pret edhe nga shteti shqiptar që vullneti i tij për të hyrë në këtë organizëm të pasqyrohet në ndërmarrjen, në zbatimin e të ashtuquajturave ’Kritere të Kopenhagenit’, të cilat parashikojnë ndër të tjera se “...si kusht paraprak për anëtarësimin duhet që vendi kandidat të ketë realizuar stabilitet institucional, si garanci për rendin demokratik dhe ligjor, për ruajtjen e të drejtave të njeriut...”.

Pra, nëse nuk i kërkohet Qeverisë dhe maxhorancës sonë parlamentare që të realizojë plotësisht kërkesën për transparencë të procesit zgjedhor të vjetshëm, atëherë këtyre u duhet që natyrshëm të përballen me protesta popullore masive, efektet dhe implikimet e të cilave në gjithë jetën e vendit dhe në marrëdhëniet me faktorët ndërkombëtarë vështirë të parashikohen tani për tani. Sidoqoftë, në çdo hap politik të hedhur gjatë këtyre ditëve, ndoshta ia vlen që edhe ne kujtojmë mirë atë thënie të ngulitur në ndërgjegjen e popujve: “Freedom it’s not free” (“Liria nuk është e lirë”). Domethënë se, edhe liria, liria komplekse që aspirojmë, ka kostot e saj.
(GSH/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›