E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesazhi i Brukselit per votat Mos shkelni ligjin

Komisioni Europian nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj Shqipërisë. Anulimi i vizitës së shefit të ekzekutivit europian, Barroso, nuk do të thotë se Brukseli nuk do të interesohet si më parë për problemet e saj. Natasha Butler, zëdhënëse e Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, ka sqaruar se anulimi i vizitës zyrtare të Barrosos në Tiranë nuk duhet kuptuar si braktisje e Shqipërisë në përpjekjet e saj për të zhvilluar reformat demokratike që e afrojnë me Europën:

“Në fillim unë dua të saktësoj një gjë. Anulimi i vizitës nuk është një mosangazhim i Bashkimit Europian për Shqipërinë,  përkundrazi, Komisioni Europian, komisioneri Fyle dhe presidenti Barroso po e ndjekin me vëmendje situatën në Shqipëri  që nga fillimi i procesit elektoral më 8 maj.

Të gjitha shikimet tona janë të drejtuara tani drejt kësaj transparence dhe rregullave që zbaton KQZ, si institucion kyç, që luan rolin themelor në këtë proces elektoral. Ne po e ndjekim nga afër situatën dhe gjykojmë se nuk duhet të ketë asnjë ndërhyrje politike në këtë proces elektoral.

Për këtë votim, sigurisht që nuk mund të ketë dy rezultate të ndryshme, por vetëm një, dhe që duhet të shpallet sa më shpejt. Pra, ky proces duhet të realizohet në përputhje me rregullat dhe normat. Siç e thashë, ne po e ndjekim situatën përditë, pothuajse ore pas ore”-tha Butler.

Në këtë reagim, Butler ritheksoi edhe njëherë se realizimi i normave europiane dhe standardeve ndërkombëtare të këtyre zgjedhjeve, është kriter kryesor politik për vlerësimin e kërkesës së Shqipërisë për t’u pranuar vend kandidat i Bashkimit Europian.

Gjovalin Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›