E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesazhi i Topit Fund bojkotit dhe gjyqit politik

Një parlament pa bojkot dhe jo një gjyq politik për pakicën, është ai për të cilin apelon presidenti i republikës, një ditë para se legjislativi të nisë punën. Në mesazhin drejtuar 140 deputetëve në sesionin e vjeshtës, ku rikthehen dhe socialistët kreu shtetit, bën thirrje ulje tonesh dhe bashkim votash për ligjet e rëndësishme.

“Palët politike kanë përgjegjësi të krijojnë klimën e besimit, të mos aplikojnë praktika denigruese dhe izoluese për pakicën, për të injoruar mendimin ndryshe apo për axhenda politike personale, të mos ta kthejnë në asnjë rast e për asnjë arsye Parlamentin në gjyq politik, të mos përdorin tribunën parlamentare për të denigruar individë e familje, kategori e shtresa të popullsisë. Politika duhet të japë vetë shembullin e saj dhe kufizimi kushtetues i imunitetit është hapi i parë serioz në këtë drejtim”-tha Topi.

Pjesë të rëndesishme në mesazhin presidencial zë dhe reforma zgjedhore, e cila sipas kreut të shtetit duhet t’i japë fund në kohë tregëtisë së votës. Bamr Topi kujton se politika nuk e ka kursyer atë dhe institucionet e tjera kushtetuese nga sulmet militante.

Si President, jam ndodhur shpeshherë nën presion të fushatave politike për denigrim personal e institucional. Viktima të të njëjtave retorikave dhe sjelljeve denigruese parlamentare kanë qenë edhe institucione të tjera kushtetuese. Ky model parademokratik komunikimi midis institucioneve duhet të marrë fund. Shqipëria e vitit 2011 nuk ka më nevojë për militantizëm në udhëheqjen e shtetit; ajo ka nevojë për politikanë reformatorë dhe institucione të forta”-theksoi ai.

Sfida për partitë kryesore në këtë fillim sesioni, sipas presidentit ka formën e 12 rekomandimeve të BE-së për integrimin. Kufizimi i imunitetit, reforma zgjedhore dhe në drejtësi, ligji për gjykatën administrative e të gjithë ligjet që kërkojnë 84 kartona, shprehje e qartë e kësaj sfide.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›