Mesazhi i ndërkombëtarëve: Merrni pjesë në zgjedhje. Të ketë standarde
Tiranë- Vetëm pak orë na ndajnë nga momenti kur shqiptarët do tu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë e re, ndërsa kanë ardhur dhe mesazhet e para nga ndërkombëtarët. Ishte ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, i cili u ka bërë thirrje partive që të punojnë sëbashku për të zhvilluar zgjedhje me standarde, pasi aty varet e ardhmja evropiane, sipas tij.
Nëpërmjet një shkrimi në rrjetin Twitter, ai ka uruar miresardhjen në Shqipëri të kreut të delegacionit të PE-së, Eduard Kukan, i cili ka zhvilluar sot një takim me Presidentin Bujar Nishani, ku ka thënë se fati i zgjedhjeve do të vendoset tek sjellja e politikanëve pas votimit.
Kukan garantoi se Parlamenti Europian, delegacioni i të cilit është politikisht shumë i balancuar mbështet, inkurajon dhe ndihmon në vijimësi Shqipërinë në këtë proces shumë të rëndësishëm elektoral, por i mëshoi faktit se faktori bazë mbetet ai shqiptar. Parlamentari europian vlerësoi si shumë të rëndësishme që pas një fushate zgjedhore relativisht të qetë, reagimi i forcave politike pas zgjedhjeve mbetet shumë i rëndësishëm për fatin e tyre,- thuhet në deklaratën për shtyp të Presidencës.
Pak minuta më pas edhe ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, ka bërë thirrje që qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje. Nëpërmjet një mesazhi me rastin e 1 vjetorit të nismës Act Now, ai ftoi qytetarët shqiptarë që të shprehin mendimin e tyre për zgjedhjen e udheheqësve të ardhshëm.
Të dielën, në 23 qershor, shqiptarët në mbarë vendin do t’iu drejtohen kutive të votimit dhe do të angazhohen realisht në aktin më të rëndësishëm të nismës ACT Now!, që është të shprehurit e rolit të tyre, dhe dhënia e votës së tyre për zgjedhjen e udhëheqësve të ardhshëm,- tha ai.