Gjobë infermieres që paralizoi 5-vjeçaren
TIRANE - Gjobë në shumën 600 mijë lekë për infermieren e akuzuar për "mjekim të pakujdesshëm". Kjo është kërkesa e Prokurorisë së Tiranës për të pandehurën F. Agastra, infermiere e akuzuar si shkaktare të paralizimit të një fëmije. Deklarimi fajtor i të pandehurës u kërkua nga organi i akuzës pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës. Në seancën e konkluzioneve përfundimtare të Prokurorisë, përfaqësuesja e akuzës kërkoi nga gjykata shpalljen fajtore të infermieres së pandehur F. Agastra dhe dënimin e saj me gjobë. Ngjarja për të cilën akuzohet infermierja e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" ka ndodhur më 2 shtator të vitit 2006 në ambientet e këtij spitali. Mbrëmjen e kësaj date në pavijonin ku ndodhej Agastra dërgohet një vajzë 5 vjeç që paraqiste temperaturë të lartë trupore. Të miturës i ka ardhur në ndihmë infermierja duke i bërë një injeksion. Pasi i është bërë ky injeksion, fëmijës i janë krijuar komplikacione që kanë çuar deri në paralizimin e këmbës. Pasi u padit nga familjarët e të miturës, Agastra u dërgua në gjykatë në gusht të vitit të kaluar për akuzën e "mjekimit të pakujdesshëm". Gjatë seancave gjyqësore ajo ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës. Sipas ekspertëve mjeko-ligjor të paraqitur në gjykatë gjatë procesit, infermierja kishte zgjedhur një zonë të gabuar në këmbën e së miturës për të injektuar medikamentin në këmbën e vajzës. Ndërsa një nga mjekët e QSUT, që dëshmoi disa seanca më parë, tha se infermierja ka përdorur paracetamol të lëngshëm në një kohë që prej mjekëve ishte urdhëruar verbalisht të mos e përdorte. ar.ba