E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Xhindit, dëshmitarët ripyeten për konflikt pronash

 

Trazhgim Sokolaj

Vrasja e deputetit socialist Fatmir Xhindi mbetet ende "pa autor", ndërsa Prokuroria i ka përqendruar hetimet në pistën e konflikteve të mundshme për pronat në Fier dhe Roskovec. Ditën e djeshme prokurorët e Krimeve të Rënda dhe hetuesit e çështjes kanë administruar në dosje dokumente zyrtare të Hipotekës së Fierit. Prej dy ditësh grupi i hetimit është përqendruar në marrjen e dokumenteve nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Fier, duke verifikuar për dy persona konkretë. Të dhënat e marra nga zyra e Hipotekës në Fier po vlerësohen nga grupi i hetimit, i cili ka vendosur të rimarrë në pyetje disa persona me dijeni për ngjarjen, përfshi edhe të afërm të deputetit 49-vjeçar. Prona ku janë përqendruar hetimet ndodhet në dalje të qytetit të Fierit, në afërsi të rrugës që drejtohet për në Patos e më pas në Roskovec, ku banonte deputeti i vrarë. Sipas hetimeve të Prokurorisë, rezulton se deputeti kishte nisur ndërtimin e një objekti shumëkatësh në një sipërfaqe toke që u përkiste dy personave banorë të zonës. Pronarët e tokës mësohet se kohët e fundit kishin kryer veprime në Hipotekë, me qellim që të bllokonin lejen e ndërtimit në lidhje me punimet që ka rezultuar se po kryheshin për llogari të deputetit socialist Fatmir Xhindi. Por përkundër këtyre të dhënave, që në dukje paraqesin një mosmarrëveshje pronësie, hetuesit thonë se nuk kanë prova për ndonjë konflikt verbal apo fizik mes viktimës së atentatit të një jave më parë dhe pronarëve të tokës ku po ngrihet objekti për llogari të Fatmir Xhindit. Sipas Prokurorisë, pronarët e tokës janë të njohur të 49-vjeçarit Xhindi, por nga provat në vendin e vrasjes si dhe nga deklarimet e dëshmitarëve ku përfshihen familjarët dhe banorët e zonës, nuk konfirmohet ndonjë përplasje apo konflikt mes palëve. Grupi i hetimit mësohet se ka vendosur të rimarrë në pyetje persona të njohur dhe të afërm të deputetit në Roskovec, me qëllim që të verifikojë për konflikte apo debate të mundshme mes Fatmir Xhindit dhe pronarëve të truallit ku ai po ndërtonte. Edhe pse në deklarimet e para të afërmit e deputetit kanë mohuar mosmarrëveshjet e pronësisë, kësaj radhe hetuesit do të kërkojnë sqarime deri në detaje për persona konkretë. Nga ana tjetër Prokuroria mësohet se do të kalojë në skaner marrëdhëniet mes deputetit dhe pronarëve të tokës nëpërmjet verifikimeve në rrugë operative nga agjentët e policisë dhe informatorët që kanë qenë edhe më parë të pranishëm në zonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›