E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryevepër e Militos, Inter merr Champions

Dy gola të “El Principe” ngjisin zikaltrit në majën e Europës pas 45 viteve

Pritja ka përfunduar! Pas 45 vitesh Interi ngjitet sërish në majën e Europës. Zikaltrit fitojnë me rezultatin 2-0 finalen e luajtur në “Santiago Bernabeu” përballë Bajernit të Mynihut dhe marrin në shtëpi trofeun e Champions League. Një triumf historik për skuadrën e drejtuar nga Zhoze Murinjo, i cili kompleton “tripletën”, pas kampionatit dhe Kupës së Italisë. Ky ishte edhe një triumf personal për trajnerin portugez, që mposhti “profesorin” e tij, Luis van Gal, në duelin e drejtpërdrejtë.
Interistët e nisin lojën me një formacion mjaft ofensiv, ku në sulm luajnë Pandev, Shnajder, Eto’o e Milito dhe kontrollojnë minutat e para të lojës. Megjithatë janë gjermanët ata që japin sinjalin e parë të rrezikshëm: Roben shkëputet bukur nga e djathta, pason në qendër tek Oliç që shpërdoron nga një pozicioni i mirë. Në të 16-n bavarezët pretendojnë penallti, pas prekjes së topit me dorë nga Maikon, gjatë një devijimi me kokë të Van Bujten. Skuadra e Van Gal proteston, por gjyqtari britanik Hauard Ueb vazhdon lojën. Rasti i parë i rrezikshëm për Interin vjen në të 18-n, me një goditje dënimi të Shnajder. “Bomba” e holandezit nga 30-metra devijohet me kokë prej Altintop, por portieri Bat është i pozicionuar mirë dhe largon rrezikun. Edhe pse e kontrollojnë pak topin, zikaltrit shfrytëzojnë hapësirat në mbrojtjen e Bajernit dhe në të 35-n gjejnë golin e avantazhit me Diego Militon. “El Principe” shfrytëzon asistin e Shnajder dhe i vetëm përpara portës e dërgon sferën në rrjetë: 1-0 për italianët. Deri në fundin e 45 minutave të para, të besuarit e Murinjos kanë shansin të dyfishojnë shifrat, por topi i Shnajder, i gjendur në pozicion shumë të volitshëm, ishte mjaft qendror dhe përplaset në trupin e Bat. Fraksioni i dytë i lojës nis me Bajernin menjëherë në sulm: mbrojtja e Interit duket e përgjumur, topi shkon te Myler, që e sheh veten përballë Zhulio Sezar, por “gardiani” zikaltër e hipnotizon dhe largon topin. Në krahun tjetër është Bat ai që fluturon për të larguar një tentativë të Pandev. Gjithsesi, gjermanët kontrollojnë lojën dhe kërkojnë me ngulm golin. Në të 63-n Kambiaso vjen në ndihmë të portierit të tij, duke larguar me kokë një devijim të Myler, ndërsa 3 minuta më vonë është Zhulio Sezar që realizon një pritje të shkëlqyer pas goditjes së Roben. Megjithatë, mbrojtja mbetet pika e dobët e Bajernit dhe kjo konfirmohet në të 70-n, kur Milito “tallet” me Van Bujten, hyn në zonë dhe dyfishon rezultatin. Këtu përfundon gjithçka: Interi shpallet kampion i Europës, “magjia” duket se është prishur dhe Zhoze Murinjo realizon me sukses misionin e tij. Tashmë mbetet për t’u zgjidhur nëse trajneri do të vazhdojë të qëndrojë me zikaltrit, apo do të preferojë të marrë drejtimin e Realit të Madridit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›