“Dy prindër në pritje prej 13 vitesh të djalit të tyre”
E shtuna e datës 8 nëntor shënoi një tjetër natë interesante të emisionit “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” në Vizion Plus. Gërshetimi i historive njerëzore dhe surprizave të realizuara ndaj njerëzve të veçantë bëri që nata të merrte një tjetër dimension. Nata filloi me një surprizë vërtet simpatike, kushtuar 6 personave nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ata kishin marrë ftesë nga programi i Magjistarit dhe ishin bashkuar të gjitha bashkë atë natë në studion e Vizion Plusit. Mirëpo qëllimi i kësaj ftese i habiti të gjithë. Të gjashtë personat i bashkonte një element i përbashkët, dhe ishte pikërisht emri i tyre i njëjtë, Enver Hoxha. Të gjithë të ftuarit u shtangën, por edhe e gjithë salla u elektrizua kur zbuluan qëllimi e ftesës. Kjo gjë erdhi pasi i gjithë stafi ishte kujdesur në çdo detaj që të ftuarit të mos kishin dijeni për identitetet e gjithsecilit prej tyre. Biseda mes tyre u shoqërua me kujtime, pasazhe nga e kaluara, vështirësi dhe situata të sikletshme, të cilat vinin të gjitha nga emri i njëjtë që të gjithë këta persona kanë pasur gjatë regjimit komunist me atë të diktatorit Enver Hoxha. Historitë e tyre lidheshin me pasojat që ata kishin pasur prej këtij fakti, pjesës më të madhe i ishte ndërruar me detyrim emri, dikush tjetër ishte internuar, dikush ia kishte dalë mbanë të jetonte qetë nën pushtetin e emrit të atij që ishte në krye të shtetit. Pas përjetimit të këtyre historive erdhi momenti i surprizës. Të gjithë të ftuarit morën dhuratë nga kompania më e re dhe më prestigjioze dixhitale në treg nga një aparat Tring me programet më të fundit për të gjitha moshat dhe kampionatet e futbollit si UEFA Champions League. Por surprizat në emision sapo kishin filluar. Dy javë më parë, Martin Potka, djali me aftësi të kufizuara, përpos shumë dëshirave, kishte për zemër një këngëtar të muzikës popullore, këngët e të cilit i kishte dëgjuar vetëm kur kishte blerë CD-të e tij. Dëshira e tij më e madhe ishte të takonte qoftë vetëm një herë Dule Malindin dhe për këtë arsye stafi i “Rudina Mgjistari-Misioni Vazhdon” u vu në punë t`i bërë surprizën Martinit. Martini, sapo u fut në studio, u impresionua nga takimi që bëri me Dulen dhe për të vazhduar më tej këngëtari kishte përgatitur një kolazh këngësh për t`i kënduar enkas për Martinin. Gjatë interpretimit të këngëve, Martini reflektonte të gjithë kënaqësinë që mori nga këngëtari i tij i dashur. Në fund të bisedës Martini bëri dhe një miniankand me pikturën e tij, të cilit ia shiti me çmimin e dëshiruar Dules. Nata vijoi më tej me historinë e një vajze të vogël, prindërit e së cilës kishin dërguar një letër në redaksinë e emisionit në Vizion Plus.
Dy ditë pas lindjes së Megit nëna i kishte dalluar një pikë të vogël në kodër të hundës. Fillimisht nëna e Megit nuk u shqetësua, pasi e konsideroi si një gjë kalimtare, por befas çdo ditë e javë që kalonte gjëndra po i zmadhohej. Sapo vajza mbushi 3 vjeç e gjysmë nëna mendoi të çojë në kopsht, pasi ajo kishte shumë dëshirë të luante me fëmijë të tjerë. Pas një ore vogëlushja shkon në shtëpi duke qarë, pasi të gjithë fëmijët e tjerë i thoshin “hundë-pinok”. Sipas prindërve, Megi është kuruar vazhdimisht, por mjekimet që i janë bërë asaj kanë qenë pa rezultat dhe dukej qartë se gjendja sa vinte e përkeqësohej, dhe për këtë arsye mjekët i ndërpresin mjekimet duke hequr dorë nga trajtimi i pacientes së vogël. Pas prezantimit të historisë, stafi i “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” u interesua për një klinikë që të mundësonte operimin e saj. Arben Kuçani, kirurg, primariusi i klinikes Kirurgjikale Austriake në Tiranë, ftoi çiftin nga Durrësi për t`i bërë një vizitë vajzës së tyre dhe pas ekzaminimeve të para ai i siguroi atyre se gjendja e Megit kishte shërim dhe operacioni u caktua të realizohej në datën 17 nëntor 2008. Me kaq u mbyll përkohësisht dhe historia e Megit, e cila javë më vonë do të vijë në studion e emisionit me një pamje ku shokët dhe shoqet e saj të mos e vënë më në lojë dhe ku nëna do t`i thotë me plot gojën se ajo është vajza më e bukur në botë.
Nata vijoi më tej më rastin e Nikolla Zhongës nga Durrësi. Në fillim të marsit të vitit 1991 ai vendos për t`u larguar në Itali me anije. Vitet kalonin dhe familja nuk merr vesh asnjë lajm prej tij. Pas disa vitesh ai merr në telefon familjen dhe u thotë atyre se ishte mirë me shëndet. Më pas Nikolla emigron në Katania, Siçili, ku merrej me ndërtim. Ai kontaktonte me familjen shumë rrallë. Herën e fundit që ai ka telefonuar në familje ka qenë në vitin 2001, ditën e dasmës së motrës së tij. Me prezantimin e historisë, stafi i gazetarëve kishte mundur të merrte informacionet paraprake rreth mundësisë së vendndodhjes së tij. Dhe aktualisht rezulton se Nikolla Zhonga është ndaluar nga Policia italiane në Katania në vitin 2003 për mungesë dokumentesh. Ai ka marrë espuls për t`u larguar nga Italia, pasi nuk ka qenë asnjëherë i pajisur me dokumente në këtë shtet. Dyshimi se ku mund të jetë në këto kohë Nikolla ka bërë që investigimet të shtrihen edhe në rrugë të tjera, rezultatet e të cilave priten në javët në vazhdim. Nata e sotme do të ketë në qendër të saj një ndërthurje të shumë copëzave të jetës, të cilat nëpërmjet historive dhe inserteve të përgatitura enkas për ta, do të mund të dalin në pah sakrificat dhe falënderimet që kanë persona të ndryshëm për njëri-tjetrin. Cilat do të jenë këto histori dhe protagonistët e tyre? Përgjigjen do të mund ta merrni sot në orën 21:00, në emisionin “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” drejtpërdrejt në Vizion Plus.
15 Nentor 2008