Inva Mula, zëri “alien” i Shqipërisë në Operan e San Franciskos
Petrika GROSI
“Evangjelistë dhe besimtarë të Jehovait ju bezdisin duke trokitur pafundësisht në dyert tuaja dhe të fqinjëve, për t’ju mbushur mendjen me prepotencën dhe insistimin e tyre të bezdisshëm se kujt zoti duhet t’i besoni? Banda të shpifura gangsterësh rrjepacakë e të palarë, të droguar me hashash e kokainë dhe të dehur me alkool, bllokojnë rrugën, duke ju kërcënuar në mes të ditës vetëm pak hapa larg shtëpisë suaj? Peripeci e lodhje të tjera ju kanë bërë të arrini gati-gati në kufirin e depresionit? Atëherë, ilaçi më i mirë për ju do të gjendej vetëm në Operan e San Franciskos, ku shfaqet produksioni i Gaetano Donizetti-t, ‘Eliziri i Dashuris뒔. Kështu do të shprehet shtypi i huaj në një nga recensat e shkruara dhe publikuara së fundi në njërin prej uebsajteve të shumta mbi artin dhe kulturën dhe evenimentet e muzikës lirike botërore. Më tej flitet me superlativa dhe vlerësim maksimal, veç të tjerash, mbi sopranon shqiptare Inva Mula, e cila në këtë opera luan rolin e Adinës, krahas tenorit të famshëm (pa dyshim ndër më të mirët në botë) Ramon Vargas, që vjen nën petkun e Nemorinos. “Një nga protagonistet e kësaj opere është sopranoja shqiptare, Inva Mula, e cila u bë e famshme në rang botëror me zërin e saj ‘alien’ te filmi ‘Elementi i pestë’, por jo vetëm kaq. Sopranoja numëron një sërë debutimesh të suksesshme në skenat prestigjioze botërore të muzikës lirike në Paris, Milano etj.”. Kështu do të shprehej kritika e huaj për artisten shqiptare, duke vijuar më tej me një përshkrim të tillë: “Ajo është bionde, simpatike, e dashur, femra ideale për t’i rrëmbyer zemrën Nemorinos dhe për të ngjallur te ai interesin e dashurisë”. Interpretimi i Inva Mulës dhe lënia e rolit të Adinës nga regjisori pikërisht sopranos shqiptare është quajtur si një ndër gjetjet e kësaj opere, që garantojnë suksesin dhe incizimin e një versioni të veçantë, me një figurë të ëmbël femërore që e mishëron rolin e vet ndoshta më mirë se shumëkush tjetër më parë.
KONKURSI I BUKURISË
Karla Henry “Miss Earth 2008”, Yllka shkëlqen
Ndonëse, Yllka Berisha nuk mori ndonjë çmim në natën finale, ajo u lavdërua shumë për përfaqësim dinjitoz, pjesëmarrje e cila është mundësuar nga “Agnesa Vuthaj Association”. Në Pampanga, Filipine, është mbajtur “Miss Earth 2008”, ku për herë të parë Yllka Berisha, “Miss Kosova 2007”, ka prezantuar Kosovën si shtet në këtë eveniment të bukurisë botërore. “Miss Earth 2008” u kurorëzua bukuroshja e vendit, Miss Filipine, Karla Henry, shoqëruese e parë u shpall Miss Tanzania, Miriam Odemba, shoqëruese e dytë Miss Meksika, Abigail Elizalde dhe shoqëruese e tretë, Miss Brazili – Tatiane Alves. Gjatë mbrëmjes finale ishte edhe Agnesa Vuthaj, për ta përkrahur përfaqësuesen e Kosovës si dhe për t’u takuar me organizatorët e “Miss Earth”, me qëllim të vazhdimit të bashkëpunimit. Megjithëse Yllka Berisha nuk mori ndonjë çmim në natën finale, ajo u lavdërua shumë për përfaqësim dinjitoz të Kosovës, e sidomos, për angazhimin dhe projektet e saj për ruajtjen e ambientit.
15 Nentor 2008