“Audi Q5” i ri fiton çmimin “Timoni i artë”
Ka vetëm një ditë që ka dalë në treg, megjithatë ka fituar çmimin e parë “Timoni i artë”. E përditshmja gjermane “Bild am Sonntag” e ka shpallur Audin e ri Q5 si automjetin më të mirë në klasën e automjeteve sportive të këtij viti. Me këtë rast ky automjet fitoi çmimin “Timoni i artë”. “Audi Q5” ka fituar, edhe pse me një konkurrencë të fuqishme. Duket se me këtë çmim është përsëritur suksesi i vitit të kaluar të modelit “Audi A4”, i cili vazhdon të preferohet edhe pas asaj kohe. Anëtarët e jurisë së “Timonit të artë”, e cila ishte e përbërë nga autoritete të njohura, ekspertë, teknikë dhe profesionistë nga garat rally patën rastin t’i provonin automjetet kandidate sipas testeve dhe kushteve të tyre. “Audi Q5” arriti t’i bindte jo vetëm me ndenjëset komode dhe madhësinë, por edhe me manovrimin mjaft të veçantë dhe fleksibël në rrugë. Ai po ashtu mori nota të larta për dizajnin e brendshëm dhe të jashtëm. Teknikët në përbërjen e jurisë vlerësuan lehtësinë e servisit të “Q5”-s dhe ekologjinë e tij. “Timoni i artë” është një çmim që jepet për automjetet më të mira të vitit që nga viti 1975. Menaxheri i kompanisë “Audi”, Rupert Stendler, tha se e pranonin çmimin me kënaqësi dhe kjo ishte një arritje e madhe për modelin “Q5” dhe kompaninë “Audi” në veçanti. “Çmimi ‘Timoni i artë’ më bën të besoj se ky automjet nuk është i rëndësishëm vetëm për mua, por edhe për jurinë, e cila i dha çmimin e parë”. Në Audin e ri “Q5” janë kombinuar mjaft mirë dinamizmi i automjetit sportiv me klasin e ambientit të brendshëm, i cili përmban një gamë të gjerë opsionesh. Automjeti doli në treg dje dhe pritet të ketë shitje të kënaqshme. Çmimi që iu dha Audit përbën fitoren e 17-të në 33 vjet të kësaj kompanie dhe prodhimeve të saj, duke e bërë Audin automjetin më të suksesshëm në botë. Të tjerë fitues të “Timonit të artë” janë: “Audi A6” në vitin 2004, “Audi Q7” një vit më vonë dhe ”Audi A4” vitin e shkuar.
“KIA” nxjerr në treg automjetin “Cee”
Së bashku me prezantimin e mëparshëm të “Soul Urban Crossover”, “KIA” sapo ka prezantuar 3 premiera botërore në Motor Show-n e Parisit. “KIA” do të paraqesë zhvillimet e saj më të fundit, që përfshijnë “Soul Hybrid Concept”, “Cee’d Hybrid Concept” dhe “Cee’d Idle Stop&Go”. Sistemi i ri i KIA-s “Idle Stop&Go”, në mënyrë automatike fik makinën në gjendje prehjeje dhe ndizet kur trafiku fillon të lëvizë. Ai do të jetë i disponueshëm në modelet me benzinë të “KIA Cee'd” në fillim të 2009-s. Konsumi i karburantit dhe çlirimi i gazrave janë ulur me 15 për qind në kushtet tipike të xhiros së makinës në qytet. Ky Soul Hybrid ka motorin e KIA-s, Gamma 1.6-litra me benzinë, i shoqëruar me një motor elektrik të sinkronizuar 15 kuaj-fuqi, 105 Nm AC. “Kia Cee'd Hybrid”, ashtu si dhe Soul Hybrid, përdor gjithashtu motorin 1.6-litra dhe motorin elektrik 15 kuaj-fuqi.
Angli, bli një automjet për 22 350 euro, tjetrin e merr falas
Shitja e pakët e automobilave ka shtyrë disa prodhues të prodhojnë pak automjete. Megjithatë, për shkak të numrit të madh të automjeteve të pashitura, disa furnizues kanë vendosur masa drastike. Kështu, kompania “Broadspeed” në Britaninë e Madhe, shtyrë nga mosshitja e njësive të modelit “Dodge Avenger”, ka vendosur që ta ofrojë atë me çmim jo edhe aq të përditshëm e madje do të thoshim edhe të pazareve të mallit të zakonshëm. Blerësit potencialë, të cilët për një Avenger 2.4 SXT të pajisur në mënyrë solide paguajnë 18 255 funte (rreth 22 350 euro), me automjetin e blerë do të marrin edhe një tjetër pa pagesë.
Drejtori i “Broadspeed”, Simon Empson, ka deklaruar për portalin automobilistik AutoCar se përfaqësues të shumtë britanikë janë duke u përballur me stoqe të pashitura disamuajshe dhe shitja automobilistike nuk është në gjendje të mjerë, por në gjendje krize.
15 Nentor 2008