E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imazhi femëror i fushatës 2009



Më shumë se një përballje platformash elektorale duket se fushata e ardhshme elektorale do të jetë një përballje imazhesh. Kjo strategji e re politike i vendosi piketat e para që gjatë zgjedhjeve të vitit 2005, kur zëdhënëse të fushatës së dy partive të mëdha u zgjodhën femrat. Pikërisht kjo strategji pritet të thellohet më të tej gjatë zgjedhjeve të vitit 2009. Kjo dhe për faktin se partitë tashmë janë të detyruara me ligj që në listën e kandidatëve për deputetë të kenë të përfshirë të paktën 30% pjesëmarrjen e grave. Megjithëse na ndajnë tetë muaj para zgjedhjeve, kanë filluar të piketohen emrat e parë të femrave që do të jenë dhe imazhi i fushatës 2009. Nga maxhoranca duket se do të ketë një miksim të figurave që vijnë nga bota e medias, nga Ekzekutivi, nga Parlamenti, por dhe nga pjesa e militantëve të partive politike. Pritet të kemi një fushatë shumëngjyrëshe, ku do të bien në sy tendencat e fundit të modës, të stilimeve “shik”, por dhe një aspekt më njerëzor, më pranë çështjeve sociale. Por nuk do të mungojnë dhe femrat e forta të politikës, ato që prej vitesh kanë dhënë kontribute dhe kanë mbajtur peshën e drejtimit të institucioneve të rëndësishme shtetërore, siç është kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Politikanet
Një pjesë të rëndësishme të fushatës 2009 në kampin e djathtë do të ketë nënkryetarja e PD-së, Topalli. Gjatë këtyre katër viteve në postin e kryetares së Kuvendit ajo ka treguar se është një politikane e vërtetë, një grua e fortë dhe një femër me shumë klas. Ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në diplomacinë parlamentare, por dhe në çështje që lidhen me rritjen e rolit të gruas në politikë dhe në shoqëri. Pas saj vijnë dy ministret e Integrimit, Arenca Trashani dhe Majlinda Bregu. Kjo e fundit, gjatë zgjedhjeve të vitit 2005 ka mbajtur peshën e raportimit minutë pas minute të fushatës zgjedhore falë dhe eksperiencës në fushën e medias. Bregu ka spikatur për oratorinë dhe promovimin e figurës së saj në emisione të ndryshme televizive. Por tek ajo ka rënë në sy dhe luku tepër modern. Një ministre që ka ditur të zgjedhë kostumin e duhur në momentin e duhur. Shpeshherë është parë me xhelozi nga koleget e saj parlamentare, por dhe ndjenja e xhelozisë do të jetë pjesë e kësaj fushate. Në këtë listë futet dhe Lajla Pernaska. Deputetja e qeshur ka spikatur për rolin e saj, veçanërisht në promovimin e çështjeve sociale. Zonja Lajla gjithashtu ka treguar se është një femër e fortë, aq sa nuk pranon të heqë dorë nga timoni i makinës së saj. Gjithmonë energjike dhe rrezëllitëse, Pernaska do të jetë pjesë e listës femërore të zgjedhjeve të ardhshme.
Zëdhënëset
Një grup i denjë femëror i fushatës së partive të maxhorancës pritet të vijë nga bota e medias, por dhe nga femrat e zyrave të shtypit. Sipas burimeve, po përgatiten të futen në politikë zëdhënëset e dy figurave më të rëndësishme të shtetit. Zëdhënësja e kryeministrit Berisha, Juela Meçani dhe zëdhënësja e kryetares së Kuvendit, Suela Ruseti. Nga një rol disi prapa kuintave, të dy vajzat simpatike duket se kanë vendosur të përfshihen dhe to në listën e kandidateve për deputete. Vajzat e ekraneve televizive dhe të podiumeve të konferencave për shtyp do të jenë pjesë e imazhit femëror të fushatës së të djathtëve. Në këtë listë përfshihet dhe një tjetër femër, që vjen nga bota e medias, nga terreni, dhe është Elona Meço, e cila prej vitesh njihet si gazetare e sektorit të politikës. Burime të sigurta informacioni kanë pohuar se Meço, nga një raportuese e aktiviteteve të rëndësishme politike, falë dhe lidhjeve të saj me personazhe të rëndësishëm të politikës, ka vendosur që të jetë pjesë e saj.
Zëvendësministret
Në listën e femrave të Partisë Demokratike pritet të jenë disa nga zëvendësministret aktuale. Megjithëse është post politik, roli i zëvendësministres është dhe një post eksperti. Por këto femra mësohet se kanë vendosur të jenë pjesë e drejtpërdrejtë e debateve politike, duke vendosur kandidimin për deputete. Në këtë listë bëjnë pjesë emra të tillë si Marjeta Zaçe, e cila aktualisht mban postin e zëvendësministres së Punës dhe Çështjeve Sociale; Iva Zajmi, e cila është zëvendësministre në Ministrinë e Brendshme; si dhe Zana Zhuka, zëvendësministre në Ministrinë e Mbrojtjes. Në këtë grupim spikat Marjeta Zaçe, e cila është dhe një prej figurave më me rëndësi në Partinë Demokratike, pasi prej vitesh është anëtare e Kryesisë së kësaj partie. Ndërsa Iva Zajmi njihet si një person që gëzon mbështetjen e kryeministrit Berisha falë dhe arsimimit të saj dhe punës së bërë gjatë katër viteve në Ministrinë e Brendshme. Por në politikë, përveç zëvendësministreve, pritet të përfshihen dhe punonjëse të stafit të ngushtë të kryeministrit Berisha. Sipas burimeve, përflitet se Berisha po përgatitet për të përfshirë në politikë këshilltaren e tij për çështjet ekonomike, Suzana Guxholli. Kjo e fundit është parë shpeshherë në disa emisione televizive me natyrë politike, duke u promovuar jo vetëm si eksperte e fushës ekonomike, por dhe si një politikane e ardhshme, pjesë e imazhit femëror të fushatës 2009.

“Lufta” e grave në partitë e vogla

Por duket se më të vështirë do ta kenë femrat që janë anëtare të partive të vogla parlamentare. Kjo dhe për faktin se sistemi aktual zgjedhor nuk i favorizon partitë e vogla. Ndaj dhe imazhi femëror i këtyre partive duhet të luftojë të zërë vendet e para në listën e kandidatëve për deputete në zona të caktuara zgjedhore, në mënyrë që të ketë një vend të favorshëm për t’u zgjedhur. Edhe në partitë e vogla të djathta kanë filluar të ravijëzohen figurat e para. Kështu, demokristianët kanë promovuar dy emra që mbajnë poste në këtë parti, siç është Erenestina Halili dhe Aida Joanidhi. Që të dyja pritet të jenë pjesë e listës së demokristianëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndërsa te republikanët më së shumti bie në sy roli që i është dhënë së vajzës së Presidentit të Nderit të Asamblesë Kombëtare të PR-së, Sabri Godo. Pikërisht ministria aktuale e Shëndetësisë, Anila Godo, mësohet se do të jetë një ndër emrat e parë në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Republikane. Mësohet se do të favorizohet promovimi i grave që kanë poste drejtuese dhe janë anëtare e strukturave të larta të këtyre partive.

Luku, politikanet shqiptare, si Sara Pelin dhe Mishel Obama

Ajo që pritet të bjerë në sy gjatë fushatës së ardhshme zgjedhore është pikërisht luku që do të zgjedhin femrat politikane për t’iu paraqitur elektoratit. Kjo tendencë është parë dhe gjatë zgjedhjeve të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku stafet e të dy kandidatëve për presidentë vunë në dispozicion të veshjes dhe paraqitjes publike të dy femrave më të spikatura, Sara Pelin dhe Mishel Obama, shuma financiare të konsiderueshme. Madje paraqitja e tyre vizive u komentua gjatë nga kritikët e politikës. Pritet që një fushatë e ngjashme të zhvillohet dhe në Shqipëri, duke u nisur dhe nga fakti se femrat shqiptare i kushtojnë vëmendje paraqitjes së jashtme. Pikërisht rritja e përqindjes së përfaqësimit të femrave në politikë pritet të rrisë dhe xhiron e dyqaneve të modës apo dhe stilisteve të njohura në Shqipëri. Megjithëse shumica e tyre preferojnë të blejnë në dyqanet e modës jashtë vendit. Gjatë periudhës katërvjeçare, përsa i përket paraqitjes së jashtme, kanë spikatur me veshjet e tyre veçanërisht ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, e cila brenda kornizave të një gruaja politikane ka ditur të tregojë se është një femër që pëlqen të ndjekë modën dhe që reflekton feminitet. Po kështu dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka rrezatuar elegancë dhe klas në veshjet e saj. Pritet që në listën e politikaneve që dinë të vishen bukur të futen dhe femra të tjera. Të rejave do t’u duhet që me maturi të ndjekin pasardhëset e tyre, por dhe duke sjellë një stil të ri. Gjatë kësaj fushate tendencat do të jenë te kostumet fund dhe xhaketë. Rëndësi do t’i jepet kombinimit të çantave dhe këpucëve dhe përzgjedhjes së ngjyrave, që nuk duhet të jenë shumë të ndezura, por dhe përzgjedhjes së bizhuve, që normalisht duhet të jenë sa më elegante. Gjithçka për të krijuar imazhin e një femre të mbajtur, që di të respektojë veten dhe publikun të cilit i drejtohet, pa rrezikuar të ekzagjerohet. I rëndësishëm do të jetë dhe stilimi i flokëve, për të konturuar një imazh të qëndrueshëm, që nuk ndryshon në çdo dalje publike.

Kandidatet femra te e majta, larmi personazhesh

Për partitë e majta, përqindja e lartë e kandidimit të grave në zgjedhjet parlamentare nuk është një risi. Edhe në zgjedhjet e vitit 2005, si Partia Socialiste, ashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim kishin një përqindje të lartë të kandidateve femra. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Partinë Social-Demokrate, e cila ruajti përfaqësimin e lartë të grave edhe në grupin parlamentar të saj. Por në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, partitë e të majtës pritet të rrisin nivelin e lartë të përfaqësimit të grave jo vetëm në listat për deputete, por edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo për shkak jo vetëm të sanksionimit në Kod të nivelit 30% në lista, por edhe për shkak se si PS-ja, ashtu edhe LSI-ja kanë qenë iniciatore të propozimit për rritjen e përfaqësimit të grave në vendimmarrje. Niveli i lartë i përfaqësimit të grave në PS dhe LSI konstatohet edhe në strukturat dhe forumet e larta kryesore të këtyre partive. Kandidatet femra nga partitë e majta, që do të synojnë një vend në Kuvendin e Shqipërisë, do të përbëjnë një larmi personazhesh. Do të ketë kandidate me eksperiencë në Kuvend, si Valentina Leskaj, Arta Dade, Ermelinda Meksi (PS), apo Monika Kryemadhi (LSI) e Makbule Çeço (PS ‘91) dhe Diana Çuli (PSD). Por do të ketë edhe politikane të reja si në moshë, ashtu edhe në politikë, si Ajola Xoxa (PS), Erisa Xhixho (LSI), Olta Xhacka (G99), të cilat do të synojnë t’i japin një imazh të ri Kuvendit të Shqipërisë.
Sigurisht që në garën për deputete nuk ka se si të mungojë nga Partia Socialiste, zëdhënësja e kryesisë së saj, Mimi Kodheli, e cila do të tentojë rikandidimin në Kuvend pasi nuk e arriti një gjë të tillë në zgjedhjet e vitit 2005. Për LSI-në rikandidimin për në Kuvend do të tentojnë në këto zgjedhje edhe nënkryetarja Filloreta Kodra, apo ish-ministrja e Kulturës, Esmeralda Uruçi. Në garën për deputete sigurisht nuk mund të mungojnë edhe anëtaret e kryesisë të PS-së dhe LSI-së, të cilat gjatë kësaj periudhe kanë qenë shumë aktive në trajtimin e problematikave të caktuara. Fjala është për anëtaren e kryesisë së PS-së, Ledi Shamku, shumë aktive në trajtimin e problemeve të arsimit, si dhe Brizida Gjikondi, anëtare e kryesisë së LSI-së, e cila ka trajtuar në një periudhë të vazhdueshme çështjen delikate si ajo e legalizimeve.

Kandidatet për deputete nga e majta

1-Valentina Leskaj Partia Socialiste
2-Arta Dade Partia Socialiste
3-Mimi Kodheli Partia Socialiste
4-Ermelinda Meksi Partia Socialiste
5-Ledi Shamku Partia Socialiste
6-Eva Allushi Partia Socialiste
7-Lindita Nikolli Partia Socialiste
8-Saemira Pino Partia Socialiste
9-Mimoza Hafizi Partia Socialiste
10-Edlira Haxhiymeri Partia Socialiste
11-Ajola Xoxaj Partia Socialiste
12-Esmeralda Uruçi Lëvizja Socialiste për Integrim
13-Monika Kryemadhi Lëvizja Socialiste për Integrim
14-Filloreta Kodra Lëvizja Socialiste për Integrim
15-Brizida Gjikondi Lëvizja Socialiste për Integrim
16-Erisa Xhixho Lëvizja Socialiste për Integrim
17-Brunilda Paskali Lëvizja Socialiste për Integrim
18-Nora Malaj Lëvizja Socialiste për Integrim
19-Makbule Çeço PS ‘91
20-Majlinda Keta PS ‘91
21-Diana Çuli Partia Social-Demokrate
22-Olta Xhacka G99

15 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›