E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gardianët” shqiptarë të ishullit të Afërditës



Dash Frashëri

Qipro në duart e “gardianëve” shqiptarë. Nga më të mirët që luajnë në Superligën e “Ishullit të Afërditës”. Kosovari Arian Beqaj, prej tre sezonesh ruan portën e Anorthosis (kampione në fuqi), ndërsa tiranasi Isli Hidi, nga fillimi i sezonit 2008-2009, atë të modestëve të Alki Larnaka. Por nëse dy të parët, futbollistë aktualë të Kombëtares Shqiptare, janë ende në aktivitet, një tjetër legjendë e katërkëndëshit kuqezi, Foto Strakosha - futbollisti shqiptar me më shumë ndeshje ndërkombëtare, 73 – transmeton përvojën mëse 20-vjeçare të tij te Apoel Nikosia, skuadër me të cilën luan edhe Altin Haxhi.
Dhjetë lojtarë
Gjatë 18 viteve të fundit, në Qipro janë aktivizuar gjithsej dhjetë lojtarë, përfshi edhe Rudi Vatën, Sokol Kushtën, Arian Xhumbën, Ervin Fakajn e Arian Shetën, ndërkohë që pesë të tjerët luajnë ende: Arian Beqaj, Klodian Duro, Altin Haxhi, Isli Hidi e Blerim Rrustemi. Kampionati qipriot është bërë gjithmonë e më i vështirë, skuadrat kanë një mbështetje gjithmonë e më të fuqishme financiare, kanë blerë lojtarë cilësorë dhe kompeticioni dhuron më shumë surpriza.
Kampioni Beqaj
Arian Beqaj, portieri aktual i Kombëtares, vlerësohet si një nga portierët më të mirë që janë aktivizuar ndonjëherë në kampionatin qipriot. Kosovari mbrojti portën e Partizanit, përpara se të mbronte për 6 sezone kuadratin e Ofit të Kretës (nga sezoni 1997-1998 deri 2002-2003) dhe 3 sezone atë të Ionikosit (2003-2004 deri më 2005-2006). Kosovari 32-vjeçar luan prej tre sezonesh në Qipro me Anorthosis Famagusta, ku vendosi edhe një rekord personal me 540 minuta pa pësuar gol. Beqaj është i pari portier shqiptar që ka luajtur në Ligën e Kampioneve. Madje, Anorthosisis i tij pas katër ndeshjeve (5 pikë) i ka të gjitha mundësitë të kalojë midis 16 ekipeve më të mira të Europës.
Zbulimi “Hidi”
Kur 23 herë kampionia e Shqipërisë, Tirana, gjatë sezonit të kaluar “humbi” portierin Isli Hidi, zhvilloi kampionatin më problematik gjatë 17 viteve të fundit. 27-vjeçari pas 9 sezoneve me Tiranën dhe një sezoni i huazuar me Bylisin në Shqipëri, e një sezoni me skuadrën ukrainase Krivbas Kirog (në atë kohë luanin me këtë skuadër edhe Ndreka, Bulku e Bylykbashi), tashmë është pjesë e skuadrës modeste qipriote, Alki Larnaka. Nga mediat qipriote, shtatlarti Hidi vlerësohet si një nga zbulimet e sezonit, falë një performance në vazhdimësi gjithmonë në rritje.
“Pedagogu” Strakosha
Dorezat zyrtarisht i ka varur në gozhdë, por ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, portieri Foto Strakosha, nuk është shkëputur asnjë ditë nga futbolli. Rekordmeni i Kombëtares Shqiptare përsa i përket numrit të ndeshjeve (73) është një nga emrat më të famshëm shqiptarë në katërkëndëshin e një skuadre greke ku militoi që nga sezoni 1991-1992 e për ta mbyllur në sezonin 2004-2005: Janina, Ethnikos Asteras, Olimpiakos, Panionos, Ionikos dhe Kalithea janë fanellat më të cilat ka luajtur ish-lojtari i Dinamos, tashmë në rolin e trajnerit të portierëve te kampionët e Qipros, Apoel.

Shqiptarët e Qipros

Aktualisht
Klodian Duro, mesfushor (Omonia Nikosia)
Arian Beqaj, portier (Anorthosis Famagusta)
Altin Haxhi, mbrojtës (Apoel)
Isli Hidi, portier (Alki Larnaka)
Blerim Rrustemi, mbrojtës (Alki Larnaka)

Më parë
Rudi Vata (Apolon Limasol)
Ervin Fakaj (Enosis Paralimni)
Sokol Kushta (Ethnikos Achnas)
Arian Xhumba (Enosis Paralimni)
Arian Sheta (Agia Napa)

Katërkëndëshi i Kombëtares

Porta e përfaqësueses sonë është e gjitha “legjionare”. Arian Beqaj, portieri i Kombëtares Shqiptare dhe skuadrës qipriote Anorthosis Famagusta, dhe po në “Ishullin e Afërditës” luan edhe Isli Hidi me fanellën e Alki Larnakës. Dy gardianët e tjerë të katërkëndëshit kuqezi, Ilion Lika e së fundi edhe Saimir Ujkani, aktivizohen respektivisht në Rusi (Terek Grozni) e Itali (Palermo).

“Emigrantët” e parë të portës

Legjenda Qemal Vogli - 6 herë kampion me Dinamon dhe 5 herë fitues i Kupës së Shqipërisë – i mbiquajtur edhe si “Lev Jashini” shqiptar (portieri rus është fituesi i Kampionatit Europian 1960), i kishte të gjitha mundësitë të linte gjurmë në Europë, por regjimi komunist nuk ia krijoi këtë mundësi. Edhe Sulejman Maliqati, ish-portieri i Partizanit dhe i mbiquajtur “macja e zezë” nga shtypi gjerman i kohës (gjatë turneut të Laipcigut 1962), mund të shndërrohej në një nga emrat më të mëdhenj të katërkëndëshit në kontinent. Por pamundësia totale e transferimit të lojtarëve në klubet e huaja para viteve 1990 ua hoqi mundësinë edhe emrave të tjerë të spikatur. Me ardhjen e demokracisë, portën e ekipeve të ndryshme europiane do ta mbronin Foto Strakosha (me disa ekipe në Greqi), Perlat Musta, Ilir Bozhiqi e Blendi Nallbani në Rumani, Lulian Gjeloshi në Angli (Hendon FC) apo edhe Arben Kasolli me disa skuadra në Greqi e Holandë, teksa arriti të ishte edhe portieri i tretë i Ajaksit të madh dhe tashmë në rolin e një trajneri portierësh në fondacionin e Johan Krujfit dhe Klarens Sedorfit. Mario Cenolli ka pasur fatin të luajë në Angli me një ekip të famshëm si Kristal Pallas, por edhe në Kanada e Shtetet e Bashkuara.

Nga Rusia në Itali, porta flet edhe shqip

Qipro nuk është vendi i vetëm ku portierët shqiptarë dallohen. Rusia, Italia, Greqia kanë në statistikat e lojtarëve të tyre “flamurin kuqezi”. “Gardianë” të tjerë shqiptarë e kosovarë janë duke u rritur në kontinent.

RUSI –Ish-portieri i Dinamos, Ilion Lika, ka fituar vendin e titullarit te skuadra çeçene Terek Grozni në kampionatin rus. Lika, i larguar me “dhunë” nga Dinamo, u aktivizua te Elbasani përpara se të shijojë eksperiencën e tij të parë ndërkombëtare, që çuditërisht është një ekip nga Çeçenia.

ITALI- Në një prej kampionateve më të fortë në botë, te Palermo po fiton maturi një prej portierëve të Kombëtares U-21 e së fundi asaj A, Saimir Ujkani. Xhino Sejdo luan për Venecia U-17 dhe Deljan Bregasin e Sampdories U-17. Bregasi (194 cm) ka mundur të jetë edhe nënkampion i Italisë për U-17 (sezoni 2006-2007).

GREQI –Te Iraklisi i Selanikut po rritet një tjetër portier me të ardhme. Ky është Enea Koliqi, një nga pesë lojtarët e kësaj skuadre që vesh një fanellë kombëtareje. Koliqi ishte një ndër të thirrurit e trajnerit të Kombëtares Shqiptare, Ari Han, në grumbullimin e Antalias. Bruno Guri është portieri i parë i të rinjve të skuadrës greke Ionikos ku aktivizohet prej tre sezonesh me Ionikos.

Portierët e huaj në Shqipëri

Italiani Xhakomo Pozelli është i pari portier i huaj që ka luajtur me një skuadër shqiptare, Flamurtarin, madje ka mbrojtur edhe portën e ekipit tonë kombëtar në fillimet e tij. Pas viteve ’90, portierët e huaj janë më shumë të pranishëm në skuadrat tona, duke filluar me nigerianin Emanuel Egbo (luan aktualisht te Bylis), egjiptianin Naser (ka luajtur me Tiranën në kohën e ish-presidentit El-Sajed), polakun Premislav Norko (Partizani), kongolezo-francezin Gutemberg (Partizani). Te Vllaznia është aktivizuar gjermani Lutz Phanevstil. Në sezonin aktual aktivizohen tre portierë të huaj. Te Tirana luan maqedonasi Koronosvki, te Besa aktivizohet prej tre edicionesh shqiptari nga Maqedonia Suad Zendeli (më parë ka luajtur edhe për Dinamon e Apoloninë), maqedonasi Mirselovski e nigeriani Egbo janë në radhët e Tiranës.

Intervista
Hidi: “Dueli im me Beqajn”

Portieri i Alkit në Qipro: “Duron e Haxhin i kam mundur deri tani”

“Jam duke kaluar një moment shumë të mirë, por në Qipro lojtarët shqiptarë kanë emër shumë të mirë”. Deklarata është e Isli Hidit, ish-portierit të Tiranës, i cili tani mbron portën e Alki Larnakës. Midis tij dhe Arian Beqajt, përveç një “sfide” të përhershme në ekipin Kombëtar shqiptar, edhe një garë në distancë në kampionatin qipriot.

Hidi, mediat qipriote janë shprehur me tone entuziaste në lidhje me paraqitjen tuaj në ndeshjet e fundit në kampionatin qipriot, duke ju konsideruar edhe si zbulimin e këtij kampionati, të paktën përsa i përket portierëve. Sa të vlerësuar e ndien veten?
Është vështirë të flasësh për veten, por të them të drejtën të vjen mirë të vlerësohesh. Fillimi im nuk ka qenë i lehtë në Qipro, edhe pse vija pas një sezoni të mirë të zhvilluar në Ukrainë me Krivbasin. Por, tani them se jam ambientuar plotësisht dhe jam shndërruar në një titullar të padiskutueshëm jo vetëm në ekip, por disa herë jam vlerësuar edhe si lojtari i ndeshjes. Ekipi im (Alki) ka pasur rritje nga java në javë. E kam thënë që në fillim që është një ekip i ri dhe ka dashur kohën e vet. Objektivi i skuadrës sonë është të jemi midis vendeve të mesit e të mos kemi probleme gjatë kampionatit. Me vendin e katërt apo të pestë që ka dhe pretendime klubi, nuk është se kemi diferencë të madhe. Në fillim të kampionatit kemi bërë ndeshje të dobëta, por tani është vështirë të na mundësh.
Në kampionatin qipriot ka disa derbi shqiptarësh, ku përveç me Apoelin e Haxhit janë ato edhe me Klodian Duron te Omonia Nikosia e Arian Beqajn te Anorthosis, me ekipin e të cilit do të përballeni ditën e diel. Sa emocionuese kanë qenë për ju takimet?
Kuptohet që kanë emocione të veçanta për mua. Alki im është një skuadër më modeste se ajo e Beqajt, e Duros apo e Haxhit. Por një gjë është e rëndësishme, dy takimet e para me takimet e tyre i kam fituar unë. Duro nuk arriti të më shënojë gol, ndërsa Haxhi nuk luajti. Përsa i përket derbit me Beqajn, ashtu si ai me Haxhin të paktën në fushë nuk do të ketë. Ariani është dëmtuar. Ka pësuar një lloj tërheqje dhe nuk jam i sigurt nëse do të jetë i gatshëm për ndeshjen Anorthosis- Alki. Më vjen keq që Ariani nuk do të jetë, pasi mbetet gjithmonë portieri më i mirë në Qipro. Por, në një ndeshje miqësore midis dy ekipeve kemi dalë në barazim, duke mos pësuar asnjëri gol. Falë edhe paraqitjeve të shkëlqyera të Beqajt me Anorthosis në Ligën e Kampioneve, Qipro është duke bërë bujë në Europë.
Në takimin e fundit, Alki Larnaka juaj mundi edhe Apoelin e Altin Haxhit. Një fitore, ku një pjesë e meritës është edhe e jotja padyshim, duke mos lejuar pësimin e golit. Si e përjetuat atë takim kur si trajner i portierëve të ekipit kundërshtar ishte Foto Strakosha?
Fituam 1-0 në atë ndeshje. Altini nuk luajti në atë takim. Me Foton jo vetëm që kam folur e jam takuar shpesh, por edhe pas ndeshjes u ulëm e pimë një kafe së bashku. Foto mbetet një mik i mirë dhe një njeri me zemër gjithmonë të madhe. Më ka ndihmuar shumë gjithmonë jo vetëm në Qipro, por edhe kur kemi qenë në Kombëtare së bashku si portierë, edhe kur ka qenë ndihmës i Brigelit e Bariçit në përfaqësuese.
Në ekipin tuaj të Alkit luan edhe Blerim Rrustemi, i cili në kohën e Oto Bariçit u grumbullua dhe luajti në disa ndeshje me Kombëtaren. Si po paraqitet ai?
Blerimi po tregon ndeshje pas ndeshjeje së është një lojtar i nevojshëm për ekipin. Ka ardhur në një formë shumë të mirë. Jo vetëm trajneri e drejtuesit e klubit, por edhe mediat e këtushme i kanë vlerësuar pozitivisht paraqitjet e tij.
Për herë të fundit e keni mbrojtur portën në ndeshjen miqësore kundër Polonisë (humbëm 0-1), ndërkohë që tani pas dëmtimit të Beqajt e mosardhjes së tij pritet të jeni titullar edhe në miqësoren kundër Azerbajxhanit. Si e vlerësoni takimin?
Natyrisht që është një test i mirë përpara ndeshjes me Maltën. Çdo lojtar dëshiron të luajë sa më shumë dhe përsa i përket portierëve edhe unë dua të kem minutat e mia. Ajo që është më e rëndësishme është fakti që jam pjesë e Kombëtares dhe trajneri aktual ka besim te mua, përderisa edhe më ka thirrur. Nuk e kam parë kurrë praninë time si një luftë midis meje apo portierëve të tjerë, pasi për faktin se kush do të luajë në portë vendos gjithmonë trajneri. E rëndësishme për mua është të jap më të mirën time nëse do të luaj kundër Azerbajxhanit, pastaj po nuk pësova gol do të jetë akoma më mirë.

15 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›