Daul në Tiranë, jo për krizën
Kreu i grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane, Joseph Daul, vjen nesër në Shqipëri jo për zgjidhjen e krizës politike, por për të takuar Kryeministrin Sali Berisha, si aleat i tij në grupimin e partive të djathta europiane. Ka qenë zëdhënësi i zotit Daul, Antoine Ripoll, i cili nga Brukseli ka folur për “Shqip” në lidhje me vizitën e politikanit që mori përsipër të zgjidhë krizën politike shqiptare një muaj më parë, por që nisma e përbashkët me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste Europiane, Martin Schulz, dështoi pa u arritur një marrëveshje. Duke folur nëpërmjet telefonit, zëdhënësi i Daul, Antoine Ripoll, theksoi se “zoti Daul do të takohet me zotin Berisha dhe me drejtues të tjerë të vendit në kuadër të angazhimeve të tij politike dhe institucionale, dhe jo për nismën e veçantë për krizën politike. Kjo sepse ndërmarrja nuk arriti që të ketë sukses, por ne shpresojmë që kjo marrëveshje të arrihet në të ardhmen”. Kur? “Nuk jemi ne që mund të flasim këtë, pas një jave, pas një muaji, apo pas një viti. Nuk e dimë, por e rëndësishme është që situata të zgjidhet”. Ripoll ndërkaq, në lidhje me mungesën e takimit të Daul me kreun e opozitës, Edi Rama, theksoi se “vizita është në cilësinë e kreut të grupit parlamentar të PPE-së, ndaj ne takojmë pjesëtarët e partisë sonë, ndërkohë edhe nuk ka pasur një kërkesë nga zoti Rama për t’u takuar”. Edhe pse kabineti i zotit Daul mohon që vizita e nesërme në Tiranë do ketë si temë zgjidhjen e krizës politike, burime diplomatike bënë të ditur për “Shqip” se nuk ka se si të shmanget kjo çështje në takimet e politikanit të lartë francez që drejton grupin më të madh në Parlamentin Europian, i cili ka dhe frenat e ekzekutivit të Europës së Bashkuar. Në njoftimin për shtyp që ka shpërndarë zyra për marrëdhëniet me mediat në grupin e PPE-së, theksohet se “kryetari i grupit të PPE-së në Parlamentin Europian, Joseph Daul do ta vizitojë Shqipërinë nga data 23 deri më 25 qershor. Ai do të takojë Presidentin e Republikës, Bamir Topin, Kryeministrin Sali Berisha, zv/kryeministrin Ilir Meta dhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kjo vizitë vjen pas përpjekjeve për gjetjen e një marrëveshjeje ndërmjet qeverisë shqiptare dhe opozitës, e cila dështoi”. Fraza e fundit në fakt është një gjuhë diplomatike që flet për çështjen thebësore, e cila mbizotëron në Shqipëri që prej përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Por zëdhënësi i Daul, në prononcimin e tij për “Shqip”, theksoi se “vizita e zotit Daul është e planifikuar dhe përveçse në Shqipëri, ai do të zhvillojë një të tillë edhe në Maqedoni”. Në fakt, në faqen zyrtare të grupit të PPE-së theksohet se sot dhe nesër kreu i grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane do të zhvillojë një vizitë në Maqedoni, ku do të takojë Presidentin e Republikës, Ivanov, Kryeministrin Gruevski, Kryepeshkopin e Shkupit, Kiro Stojanovm, anëtarë të Parlamentit, si dhe përfaqësuesin special të BE-së, Ervan Fuere. Por në axhendën e Tiranës, z.Daul nuk ka planifikuar as takime me diplomatët e Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë, por as me politikanë të opozitës. Megjithatë, burime nga Brukseli i thanë “Shqip”-it se nuk përjashtohet një “pasurim i axhendës në momentet e fundit”.
Gjatë ditës së djeshme, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shkroi një letër krerëve të grupeve parlamentare të PPE-së dhe PSE-së: Daul dhe Schulz, ku kërkonte që të mos tërhiqeshin nga nisma për të negociuar për zgjidhjen e krizës shqiptare.