Dezinfektimi nisi dje, por duhet ribërë
Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar dezinfektimin e zonave më të rrezikuara nga ethet hemorragjike, që janë Kukësi, Hasi dhe Tropoja. Pas inspektimit që ka bërë nga afër grupi i punës, që u nis për në zonat veriore, ministria ka kërkuar nga Drejtoria e Shëndetit Publik të dezinfektojë zonat problematike, ndërkohë që duhet që secili prej banorëve të bëjë kujdes. Dje ka nisur dezinfektimi në fshatrat ku janë shfaqur deri tani rastet më të shumta të sëmundjes së rrezikshme, por për shkak të shiut, ky dezinfektim duhet të ripërsëritet. “është furnizuar drejtoria e Kukësit, Hasit dhe Tropojës me materiale dezinfektuese posaçërisht për shkak të sëmundjes së etheve hemorragjike, por edhe pse puna ka nisur, duhet thënë se duhet përsëritur nga e para. Kjo për shkak të reshjeve të shiut që ka pasur në këtë kohë”, sqaroi dje drejtori i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero.
Sipas tij, gjithçka është në kontroll, ndërkohë që pacientët që trajtohen aktualisht në spital janë jashtë çdo rreziku për jetën apo për përkeqësim të gjendjes shëndetësore.
Ndërkohë, specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se rëndësi të veçantë ka ndërgjegjësimi i popullsisë së zonave të rrezikuara, për të marrë masa mbrojtëse. Sipas specialistëve,
duhet të dezinfektohen territoret përreth shtëpive dhe bujqit të bëjnë kujdes që kur ecin në ferra e shkurre, të veshin bluza me mëngë të gjata, si dhe të mos ecin zbathur, por me këpucë. Po ashtu, një tjetër masë që duhet të merret është edhe evitimi i hapësirave ku qëndrojnë këto insekte, të cilat janë vdekjeprurëse në 96 për qind të rasteve, kur trajtimi nuk është i menjëhershëm. Kujdes duhet bërë nga bagëtia.