E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meshkujt në recension

Rozë: Si fillon një ditë e Ulpianës?
Ulpiana: Me mirënjohjen që jam shëndosh e mirë dhe që njerëzit e mi të dashur janë mirë si dhe me urimin që dita të mos jetë zhgënjyese. Nuk kam zakone fikse - rutinë pra, siç kanë disa njerëz p.sh., ngrënien e mëngjesit, pirjen e kafes apo leximin e gazetave. Mund të më ndodhë që t'i bëj të tria ose asnjërën, ose ndonjërën. Rutina për disa njerëz është shumë e rëndësishme, u jep siguri, stabilitet emocional dhe fizik. Për mua jo. I gëzohem të jetuarit të ditëve në mënyra të ndryshme; tek e fundit jeta është shumë e shkurtër për t'i jetuar dy ditë njësoj. Ia kam përshtatur stilin e të jetuarit kërkesave të mia të brendshme, nuk ka ndodhur e kundërta.

Rozë: Çarë e disponon dhe e nervozon Ulpianën?
Ulpiana: Janë gjithnjë marrëdhëniet njerëzore - tek tjetri mund të shohësh mikun - e kjo është shumë e bukur, por fatkeqësisht jo rrallë edhe armikun. E kur kjo e fundit ndodh, kur takon këtë "kozmos" njerëzor të populluar nga interesa, ambicie, lakmi, padrejtësi bëhem keq. Reagimi im emocional, edhe në qoftë i përmbajtur në manifestim, është i fuqishëm në brendësi.

Rozë: Ju jeni person publik, sa i kushtoni rëndësi pamjes së jashtme?
Ulpiana: I kam kushtuar kujdes pamjes se jashtme edhe kur nuk kam qenë person publik.
Pjesërisht prirja ime për të bukuren, pjesërisht mesazhi që përcjell - nëse nuk je në gjendje të kujdesesh për veten si mundesh ta besh këtë për tjetrin? Kam një model - një grua të jashtëzakonshme që ka shënjuar fëmijërinë dhe rininë time, e cila ishte në gjendje të ruante ekuilibrin mes kujdesit për veten dhe vëmendjes për të tjerët.

Rozë: A është e vështirë për një femër të ketë karrierë të suksesshme, duke pasur edhe detyrime familjare?
Ulpiana: Nuk është e lehtë, por nuk është e pamundur. Siç ju thashë me sipër, e gjithë jeta është një ushtrim i përditshëm për vendosjen dhe ruajtjen e ekuilibrave. Si një timonier i mirë, që me praktikë ia del ta drejtojë anijen për në destinacionin e duhur, duke modifikuar kahen për të fituar mbi trysninë e rrymave të ndryshme... Por, pa dyshim, inkurajimi i rrethit të afërt është një plus i jashtëzakonshëm. Ndjehem me fat që kam një ambient familjar që më inkurajon të vetërealizohem, qoftë familja ime primare, - prindërit, - po ashtu dhe bashkëshorti. Në një kuptim, jemi rritur të dy, intelektualist dhe shpirtërisht, dhe jo vetëm që nuk i jemi bërë pengese njeri-tjetrit, por kemi arritur të funksionojmë në një simbiozë të rrallë.

Rozë: Keni filluar me publicistikë, keni kaluar në politikë dhe jeni rikthyer me publicistikë. Cilën e preferoni më shumë?
Ulpiana: E kam bërë me kënaqësi secilën në momentin e dhënë. Jemi qenie shoqërore dhe mirëqenia jonë personale nuk mund të jetë e shkëputur nga ajo e atyre që na rrethojnë. Prej këndej nevoja për të komunikuar, për të ndërvepruar, për të ndryshuar. Si politika edhe publicistika e kanë shumë të fortë komponentët e komunikimit. Natyrisht, kanë specifikat e veta. Politika është lojë dhe performancë në ekip, kurse publicistika është loje individuale...dallimi është, le të themi, si puna e futbollit me notin; parapëlqej notin në raport me futbollin (qesh). Pastaj, të mos e neglizhojmë: takimi i intelektualit me politikën është kontekstual, nuk është rreshtim - si ai i aktivistit partiak, por mbështetje e një vije në raport me tjetrën në rrethana të caktuara. Pra, një intelektual 'kodin' e besnikërisë e ka ndaj vlerave të brendësuara dhe pikërisht për këtë është më i pritur të jetë individualist - jo egoist, por individualist.

Rozë: Keni qenë zëdhënëse e qeverisë së Kosovës, si e kujtoni atë kohë?
Ulpiana: Kam dhënë maksimumin prej vetes, për aq sa kam ditur dhe mundur; kam mësuar jo pak. Ka qenë një përvojë intensive dhe interesante.

Rozë: A është vërtet e barabartë femra me burrin në jetë dhe në shoqëri?
Ulpiana: Jo, nuk është, të jemi realist. Ka një mijë arsye pse nuk ndodh dhe jo vetëm të ne, ndër shqiptarë, por edhe në vendet më të zhvilluara. Por është interesante se meshkujt po ashtu janë me vulnerabel nga pasiguritë ekonomike. Disa statistika të kohëve të fundit tregojnë se më të prekurit nga kriza globale dhe recesioni janë meshkujt dhe jo femrat. 80% e atyre që kanë humbur vendin e punës janë meshkuj. Meshkujve do t’u duhet pak më shumë punë që të asimilojnë sensibilitetet e reja kulturore, institucionale dhe egalitare që kanë ndodhur e po ndodhin.

Rozë: Cili është ndikimi i femrës shqiptare sot në politikë dhe në art?
Ulpiana: Vendimtar. Në art pa dyshim, por edhe në politikë jo pak. Pohoj pa asnjë mëdyshje. Parë në një këndvështrim dialektik, ka mjaft ndryshime cilësore nga disa dekada më parë, ka një zhvendosje monumentale, të ngadaltë, të pushtetit nga (ekskluzivisht) i meshkujve te femrat tanimë. Fatmirësisht, nuk jemi më të pavërejtura apo të papërfillura. Jeta e një gruaje sot nuk është më as e fshehtë as e heshtur - sic e pati konsideruar dikur universin femëror një shkrimtare.

Rozë: Jetoni mes Shqipërisë e Kosovës. Cilin prej dy vendeve preferoni?
Ulpiana: Nuk i ndaj dot. Në mendjen time i kam fshirë me kohë kufijtë shtetërorë - unë nuk konsideroj se jetoj mes dy shtetesh, por mes dy qyteteve - Prishtinës dhe Tiranes, që i ndajnë vetëm 20 minuta fluturim ajror! Gëzohem kur takoj njerëz që, si unë, i kanë fshirë këto barriera dhe arrijnë të shijojnë mrekullinë e këtyre tokave të lashta të populluara nga njerëz të rinj, ashpërsinë dhe madhështinë e maleve të Sharrit, thellësinë dhe joshjen e detit Jon, në harmoni me natyrën dhe ndërveprim me njeri-tjetrin që është prekës dhe i gjithkohshëm, atëherë kur ndarjet dhe kufijtë nuk kanë ekzistuar....

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›