Mesi: Dua ti fitoj të gjithë trofetë
Lionel Mesi është optimist për sezonin e ri, pavarësisht se Zhoze Murinjo ka marrë drejtimin e stolit të Realit të Madridit. Gjatë edicionit të kaluar, Barcelona fitoi titullin kampion në La Liga, një arritje që do të kishte kënaqur pjesën më të madhe të skuadrave, por jo katalanët e Pep Guardiolës. Kjo, edhe për faktin se në edicionin 2008-2009 “blaugranat” triumfuan në kampionat Kupën e Mbretit dhe Champions, trofe që më pas u shoqëruan nga Superkupa e Spanjës, Superkupa e Europës dhe Botërori për klube. Pikërisht për këtë arsye, rezultati i sezonit të kaluar ishte një hap mbrapa për Barçën.
Tashmë që Murinjo është në krye të Realit, madrilenët do të përbëjnë rrezikun më të madh për Barcelonën, megjithatë “Lojtari më i mirë në botë” nuk duket aspak i shqetësuar nga ky fakt. Ai ka deklaruar: “Edhe për sezonin e ri kemi të njëjtët objektiva që Barcelona ka gjithmonë. Synojmë të fitojmë të gjitha aktivitetet në të cilat marrim pjesë. E kemi të qartë se nuk do ta kemi të lehtë, por kemi një skuadër të jashtëzakonshme. Ardhja e Zhoze Murinjos te Reali i Madridit nuk na ka shërbyer si stimul ekstra. Nuk kemi nevojë për motivime të tilla për të arritur rezultate të mëdha. Nuk shpërqendrohemi aspak nga ajo që ndodh në skuadrat e tjera dhe gjithmonë jemi të ‘etur’ për të fituar më shumë”. Sulmuesi i talentuar theksoi se ka kaluar një periudhë mjaft të vështirë dhe ka qenë mjaft i zhgënjyer nga eliminimi në çerekfinalet e Kupës së Botës 2010 nga Gjermania. “Isha mjaft i mërzitur pas botërorit, pasi prisja që të arrinim më shumë në këtë eveniment”, tha Mesi. “Por, tashmë po fillon sezoni i ri dhe jam i përqendruar vetëm te Barcelona: kërkojmë të fitojmë edhe më shumë trofe. Jemi kampionët e botës në fuqi për klube dhe kemi besim në kualitetin tonë. Gjithashtu jemi në formë të shkëlqyer përpara startit të edicionit të ri. Presioni ekziston, ashtu si edhe në sezonet e mëparshme, por nuk është se e ndiej shumë”.
Barça është një skuadër ku luajnë disa prej futbollistëve më të mirë në botë dhe nuk do të ishte çudi nëse katalanët do të përsërisnin triumfet e dy sezoneve më parë. Natyrisht që Mesi do të jetë një prej protagonistëve kryesorë në çdo fitore të skuadrës. Ylli argjentinas dhe Dani Alvesh, që së fundmi i janë bashkuar grupit, pas rraskapitjes në Kupën e Botës janë në kontingjentin me 28 lojtarë që u nisën për turneun aziatik, ku Barcelona do të luajë ndeshje miqësore edhe në Kinë. Nën drejtimin e trajnerit Guardiola, “blaugranat” zbarkuan në aeroportin e Seulit. Në kryeqytetin e Koresë së Jugut, gjigantët spanjollë janë pritur nga afro 300 tifozë, të cilët kanë përshëndetur me ovacione yjet e Barçës.
#