E Shtunë, 31 Tetor 2026

Runi dhe Anderson, mbrëmje e çmendur. Sulmuesi dehet, mesfushori rrezikoi jetën

Premier League Dy lojtarët e Mançester Junajtid, në qendër të vëmendjes për ngjarjet e së dielës në mëngjes

Zakonisht thuhet se mbrëmja sjell qetësi. Megjithatë kjo nuk vlen për dy lojtarë të Mançester Junajtid: për Uejn Runin nata është bërë arsye për t’u ndier në siklet, ndërsa Anderson rrezikoi seriozisht të humbiste jetën. Sulmuesi i mirënjohur i përfaqësueses angleze kishte dalë me bashkëshorten për të darkuar, ndërsa më pas u spostua në një tjetër lokal në qendër të Mançesterit, për t’u takuar me disa miq. Runi e teproi me pijen, duke konsumuar disa shishe me vodka, ndërsa ishte e paevitueshme që të humbiste kontrollin. Fillimisht ai nisi të këndonte brenda lokalit kore që zakonisht përdoren në stadiume. Kënga ka vazhduar edhe në rrugë, ndërsa momenti “kulmor” ishte kur sulmuesi kreu nevojat personale në murin e një pallati. Rreth orës 05.30 të mëngjesit, Kolen, e cila ishte dukshëm në siklet nga veprimet e bashkëshortit të saj, arriti ta largonte drejt shtëpisë. Por, në momentin kur çifti ka hipur në një taksi, aty për aty ka filluar një zënkë e zjarrtë.
Protagonisti i dytë i mbrëmjes që ka lidhje me “Djajtë e Kuq” ishte Anderson. Mesfushori brazilian, i cili po kalonte pushimet në Braga, ka rrezikuar të humbiste jetën në një aksident automobilistik. Ai e kaloi natën në diskotekë, ndërsa pas argëtimit nuk ngurroi të ngiste makinën e tij supersportive “Audi R8”. Pa pasur parasysh pasojat, rreth orës 07.00 të mëngjesit ai ka nisur udhëtimin, i shoqëruar nga një burrë dhe një vajzë. Lojtari i Mançesterit humbi kontrollin e mjetit që doli nga rruga dhe u përplas me një mur. Anderson dhe dy pasagjerët që ndodheshin me të u nxorën pa ndjenja nga makina, përpara se kjo e fundit të merrte flakë. Futbollisti u shtrua menjëherë në spital, ku qëndroi për disa orë nën kujdesin e mjekëve. Pacientët u mbajtën nën vëzhgim, ndërsa diagnoza e “bluzave të bardha” ishte traumë në kafkë dhe gjendje shoku, pas ngjarjes nga e cila shpëtuan për mrekulli. Ai nuk ishte grumbulluar nën urdhrat e trajnerit Sër Aleks Ferguson, pasi po vazhdon fazën e rehabilitimit për gjurin e dëmtuar.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›