Mesi: Jam shumë i lumturSulmuesi i Barcelones dhe Argjentinës fitoi "Topin e arte" duke grumbulluar 473 pikë nga 480 të mundshmet

Rrjetet sociale:
(ALBANIA SPORT) - Lionel Mesi, fituesi i “Topit të artë” 2009 puthi sot në Paris nga revista prestigjioze “France Football” trofeun më të çmuar për një futbollist. Sulmuesi i Barcelonës, shpesh herë i krahasuar me Diego Maradonën, është lojtari më i mirë në botë. “Në të vërtetë kurrë nuk e kisha ëndërruar se do ta fitoja ‘topin e artë’. Vetëm se kam kam qenë shumë i duruar. Tani që kam fituar jam shumë i lumtur”. Albania-sport iu propozon nje histori te fituesit te “Topit te arte”.
Lionel Mesi, djali i një pastrueseje pushton planetin
Lionel Mesi është fituesi i “Topit të artë”. Revista prestigjioze franceze “France Football”, ajo që organizon edhe çmimin më të lakmueshëm për çdo lojtar, shkruan se asnjëherë më parë, një sportist të jetë zgjedhur thuajse në mënyrë plebishitare: 240 pikë më shumë për argjentinasin e Barcelonës, Lionen Mesi (foto France Football), se sa portugezi Cristiano Ronaldo, fituesin e vitit 2008.
473 PIKË
Me një unanimitet të plotë, 96 anëtarë të jurisë me të drejtë vote votuan për sulmuesin e Argjentinës, i cili grumbulloi 473 pikë nga 480 të mundshmet. Juria vlerësoi rolin e tij përcaktues në të gjitha sukseset e Barcelonës gjatë këtij viti: kampionatin spanjoll, Kupën e Mbretit, e sidomos Ligën e Kampioneve, në të cilën Mesi ishte dhe shënuesi më i mirë i kompeticionit, me 9 gola në 12 ndeshje. Gjatë finales së Ligës së Kampioneve kundër Manchester United, në Romë, të fituar 2-0 nga Barcelona, i mbiquajturi “xhuxhi” (El Enano), për shkak të problemeve të rritjes gjatë adoleshencës, Mesi shënoi një gol me kokë.
ARGJENTINASI I PARË
Edhe pse nuk u shpall “pichichi” (golashënuesi më i mirë) i Ligës spanjolle, Mesi shënoi megjithatë 23 gola, duke qenë realizuesi i dytë më i mirë i Barcelonës (në kampionat), pas Samuel Eto’o (30 realizime). Falë këtyre golave, por gjithashtu edhe shpërthimeve teknike, sllallomit të gjatë të driblimeve dhe kontrollit absolut të topit, ai është shfaqur si një lojtar i jashtëzakonshëm. Mesi është argjentinasin i parë, i cili shkruan emrin e tij në palmarin e “topit të artë”, që nga viti 1995, pasi më parë ai jepej vetëm për futbollistët europianë dhe jo për futbollistë nga kontinentet e tjera
HISTORIA E LEGJENDËS
Në fund të muajit gusht 2009, Lionel Mesi fitoi gjatë ceremonisë së hedhjes së shortit të Ligës së Kampioneve trofeun special si “Lojtari më i mirë europian i vitit 2009”, por aventura futbollistike e “djaloshit të artë” argjentinas është një histori që ia vlen të tregohet. Djali i vogël i një punëtori fabrike dhe një pastrueseje tashmë është një legjendë në futboll, një nga ata që e kanë shkruar përjetësisht emrin në librin e madh të topkëmbës. Mesi është shndërruar në një nga lojtarët më popullore dhe më i kërkuari në “gjahun” e medias. Tashmë është kandidati i radhës për të fituar “Topin e artë”. Legjenda argjentinase, Diego Armando Maradona, trajneri aktual i përfaqësueses argjentinase, gjatë një interviste tha: “Me lehtë flas në telefon me Obamën sesa me Mesin”
Problemet fizike
I lindur në Rosario (24 qershor 1987) nga prindër argjentinas me prejardhje italiane, - babai punëtor fabrike, nëna pastruese part-time, - talenti i “picirrukut” Lio ra menjëherë në sy te klubi i qytetit, Njuell’s Old Boys, me të cilin nënshkruan një kontratë amatore kur ishte vetëm tetë vjeç në vitin 1995. Statura e tij e imët ishte një pengesë e madhe. Djaloshi kishte më pak hormone në kockat e tij dhe kishte nevojë për një trajtim mjekësor të specializuar për të përmbushur shpresat e tij dhe mund ta mbyllte “karrierën” e tij në moshën 11-vjeçare. Klubet në Argjentinë ishin goditur nga kolapsi financiar i vendit dhe nuk mund t’i ofronin shumën prej 1000 dollarë në muaj, aq sa kushtonin edhe injeksionet që duhet të bënte Mesi. River Plate, klubi argjentinas i Primera Division, hoqi dorë nga Mesi për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Zbulimi i “xhuxhit”
I paralajmëruar për talentin unik të lojtarit, Karlos Reksah, ish-lojtar dhe numri dy i stafit të Johan Krujfit, përshkoi dy kontinentet për t’i hedhur një sy djaloshit. Ishte shkurti i vitit 2001, kur Mesi ishte vetëm 13 vjeç. “Më goditi menjëhërë”, - tha Reksah, që ishte atëherë drejtori sportiv i Barcelonës. “Në fakt, si një gjest simbolik, i kërkova atij të nënshkruante në anën e pasme të mbulese tavoline”. Kështu familja e Mesit, prindërit, Horge e Selia, dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, Rodrigo e Matias, dhe motra e tij më e vogël, Maria Sol, mbërritën në Barcelonë dhe Lio i vogël u rrit gradualisht me ekipet e moshave të klubit katalanas deri në tetor të vitit 2003, kur ai bëri debutimin me ekipin e parë në moshën, 16 vjeç, katër muaj e 23 ditë në ndeshjen kundër Portos së drejtuar në atë kohë nga një farë Hoze Murinjo. Aktualisht vetëm babai i tij dhe vëllai Rodrigo, jetojnë në Spanjë, ndërsa pjesa tjetër e familjes janë rikthyer në Argjentinë.
Start i nxehtë
Mesi bëri një paraqitje të pabesueshme me Argjentinën në finalet e Kupës së Botës 2005 për moshën U-20, duke fituar turneun, shpallur golaëshënuesi më i mirë dhe lojtari më i mirë. Ndeshja e tij e parë me Kombëtaren e madhe argjentinase është ajo kundër Hungarisë në vitin 2005 (edhe Maradona ka debutuar pikërisht kundër formacionit hungarez). Vetëm tri minuta lojë dhe Mesi del me të kuqe, për shkak të një goditje me bërryl në faqen e mbrojtësit Vilmos Vanczak. Në Kupën e Botës 2006, Mesi u bë futbollisti më i ri në moshë në historinë e kombëtares argjentinase, kur ai luajti si zëvendësues në ndeshjen kundër Serbisë të fituar 6-0 ku edhe shënoi golin e fundit për ekipin e tij.
“Mesia i ri”
Fytyra e tij duket gati e turpshme, zëri i tij është i butë, aq sa duhet të jesh i përqëndruar, por aftësitë e tij dhe ato që bën Mesi në fushë të magjepsin. Ky është përshkrimi që i bënte FIFA.com në një artikull të saj(5 mars 2006) Lionel Mesit, kur ai ishte vetëm 18 vjeç dhe kishte bërë një paraqitje jashtëzakonshme me Barcelonë në ndeshjen kundër Çelsit në Ligën e Kampioneve (2006). Talenti i tij i padiskutueshëm jepte premisa të një lojë që nuk ishte parë prej vitesh. Pikërisht në stilin e legjendës argjentinase, Diego Armando Mardona. “Mesia i ri”, bënte lojë fjalësh FIFA me emrin e Mesit. “Kur topi është në këmbët e tij, magjia vjen natyrshëm. Bën gjëra që të tjerët mund t’i realizojnë disa vjet më vonë. Të duket sikur ai luan një lojë kompjuteri, - shkruhet në atë shkrim. Në pesë vjet me Barcelonën ai ka fituar3 kampionate spanjolle (2004–2005, 2005–2006, 2008–2009), 1 Kupë të Mbretit ( 2008–2009), 2 Liga të Kampioneve (2005–2006, 2008–2009) 1 Superkupe te UEFA-s dhe 3 Superkupa të Spanjës (2005, 2006, 2009).
Një thes me para
Klubet më të mëdha ëndërrojnë ta kenë në gjirin e tyre dhe gjithkush e di sesa shumë duhet t’i ofrojë atij. Sipas revistës “Sports Illustrated” (2008), në lidhje me 50 lojtarët që fitojnë më shumë, për Mesin pohohet se ai fiton rreth 35 milionë dollarë në vit, ku përfshihet paga, bonuset, fitoret, imazhi dhe të drejta të tjera komerciale. Mesi është i nënti në listën që kryesohet nga golfisti amerikan Tajgër Uds (127 milionë dollarë).
Rokuco, e dashura e Leos
Aventura e parë e tij e “lehtë” ishte ajo me Makarena Lemos, një argjentinase nga qyteti i tij, Rozario, por Mesi ka qenë i lidhur më pas edhe me modelen Lusiana Salazar. Së fundi, ai është fejuar me Antonela Rokucon, motrën e shokut të tij më të ngushtë, Lukasit. Martesa e tyre është parashikuar në fund të vitit 2010.
SKEDA
Emri i plotë: Lionel Andres Mesi
Datëlinda: 24 qershor 1987, 22 vjeç
Gjatësia: 1.69 m
Pozicioni: Anësor
Klubi aktual: Barcelona
Numri në fanellë: 10
KARRIERA
Me të rinjtë
1995–2000 Njuell's Old Bojs
2000–2003 Barcelona
Me të rriturit
2003–2004 Barcelona B
Nga viti 2004 Barcelona
EKIPI KOMBËTAR
2005 Argjentina U-20
2008 Argjentina Olipike
2005 Argentina A
Trofetë
Me Barcelonën
3 kampionate spanjolle: 2004–2005, 2005–2006, 2008–2009
1 Kupë të Mbretit: 2008–2009
2 Liga e Kampioneve: 2005–2006, 2008–2009
3 Superkupa të Spanjës: 2005, 2006, 2009
1 Superkupa e Europes: 2009
Me Argjentinën
Kupa e Botës U-20: 2005
Lojëra Olimpike: 2008
Individuale
Futbollisti evropian U-21 i vitit: 2007
Golashënuesi më i mirë Kupa e Botës U-20: 2005
Lojtari më i mirë FIFA U-20 Kupa e Botës U-20: 2005
Lojtari i ri më i mirë Kupa e Amerikës: 2007
Lojtari i vitit në Argjentinë: 2005, 2007
Lojtari i ri më i mirë special i vitit: 2006–2007, 2007–2008
Lojtari i ri më i mirë FIFPro i vitit: 2005–2006, 2006–2007, 2007–2008
Lojtari më i mirë “Ëorld Soccer” i vitit: 2005–2006, 2006–2007, 2007–2008
Çmimi “Don Balon”, lojtari më i mirë i huaj në Spanjë: 2006–2007, 2008–2009
Lojtari më i mirë iberiko-amerikan në Spanjë: 2006–2007, 2008–2009
Ekipi më i mirë në botë FIFPro: 2006–2007, 2007–2008
Ekipi UEFA i vitit: 2007–2008
Golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampioneve: 2008–2009
Trofeu “Alfredo Di Stefano”: 2008–2009
Sulmuesi më i mirë europian i vitit: 2008–2009
Futbollisti më i mirë evropian i vitit: 2008–2009
Fituesi i Topit te Arte: 2009
Goli i parë me Kombëtaren
Në 38 ndeshjen më përfaqësuesen e madhe argjentinasen, Kombëtaren A, Mesi ka realizuar 12 gola. Të parin e ka realizuar në miqësoren e humbur 2-3 të Argjentinës me Kroacinë , më 1 mars 2006, takim i zhvilluar në Zvicër.
Goli i fundit me Kombëtaren
Tetë ekipeve kombëtare të ndryshme u ka shënuar Mesi, përfshirë Venezuelën (2 gola), Meksikën (2), Algjerinë (2), Francën (1), Kolumbinë (1). Perunë (1), Serbinë (1). Etj. Golin e fundit e ka shënuar në fitoren 4-0 me Venezuelën.
10 milionë euro
Lionel Mesi do të fitojë me kontratën e re 10 milionë euro në sezon. Sulmuesi suedez Zlatan Ibrahimoviç fiton një pagë vjetore prej 9.5 milionë eurosh.
300 milionë euro
Barcelona ka vendosur një klauzolë të çmendur prej 300 milion eurosh për prishjen e parakohshme të kontratës së yllit argjentinas 22-vjeçar.
18 trofe individualë
Përveçse ka fituar me Barcelonën si klub, 10 trofe në total, Mesi ka fituar edhe 18 çmime tërësisht indidivuale, si lojtari apo golashënuesi më i mirë.
Futbollisti më i mirë i Europës
Lionel Mesi, një figurë kyçe në marshim e jashtëzakonshëm të Barcelonës në triumfin e lavdishëm në sezonin e fundit të Ligës së Kampioneve, fitoi trofeun si “Lojtari më i mirë UEFA”, çmim që jepet nga UEFA në bazë të një votimi të 16 klubeve që morën pjesë në fazën e parë me eliminim direkt. Ndërkombëtari argjentinas koleksionoi edhe trofeun si “Sulmuesi më i mirë”. Portieri i Mançester Junaitid, Ediv van der Sar u zgjodh si “Portieri më i mirë”, ndërkohë që kapiteni i Çelsit, Xhon Terri fitoi për herë të tretë çmimin si “Mbrojtësi” më i mirë, trofe të cilin anglezi e mori nga legjenda Paolo Maldini. Ksavi Hernandez i Barcelonës u përzgjodh “Mesfushori më i mirë”. “Është një gëzim i madh të fitoj një medalje të tillë”, - tha Mesi.
“Xhuxhi”, 38 gola brenda një sezoni
Mesi shënoi golin e dytë në finalen e fituar 2-0 nga Barcelona e tij kundër Mançester Junaitid, duke qenë njëherësh edhe goli i tij i nëntë në edicionin e vjetshëm të Ligës së Kampioneve. Një gol i rrallë për të, pasi u shënua me kokë nga “xhuxhi” katalanas. Barcelona u bë klubi i parë spanjoll që i fitoi Ligën e Kampioneve, kampionatin spanjoll, La Liga, dhe Kupën e Mbretit. 22-vjeçari Mesi shënoi në total 38 gola në të gjitha kompeticionit. Mesi pasoi Kristiano Ronaldon si futbollisti më i mirë i klubeve, duke qenë argjentinasi i dytë që e fiton këtë trofe pas Fernando Redondo në vitin 2000.
A do ta mundë “Mesidona” Maradonën?
Diego Armando Maradona, trajneri aktual i Argjentinës vlerësohet si lojtari më i madh që ka nxjerrë ndonjëherë vendi i tij. Diego luajti në tri kampionate të Amerikës së Jugut në vitet 1979, 1987 (në Argjentinë) dhe në vitin 1989, por vetëm njëhërë arriti të mbërrinte në finale. Maradona ka qene një nga vlerësuesit e Lionel Mesit, qysh kur ai ishte vetëm 13 vjeç, duke deklaruar më vonë për BBC-në: “Kam parë lojtarin që mund të trashëgojë vendin tim në futbollin argjentinas. Emri i tij është Mesi”. Futbollisti i Barcelonës, Lionel Mesi, me ato që ka treguar në fushë dhe golat që ka shënuar shpesh është referuar si “Mesidona”, një akronim emrash që lidh Mesin me Maradonën. Të dy lojtarët kanë paralele të përbashkëtata shumë impresionuese. Të dy janë këmbëmajtë, janë kurorëuar si lojtarët më të mirë të Argjentinës më Kupën e Botës U-20, respketivsht Maradona në vitin 1979 dhe Mesi në vitin 2005. Të dy kanë bërë debutimin në Europë me të njëjtin ekip, Barcelonën, Maradona kur ishte 21 vjeç dhe Mesi kur ishte 17 vjeç. Kur Mesi dribloi gjashtë lojtarët e fundit të Getafes në Kupën e Mbretit (5-2, prill 2007), duke u nisur nga mesfusha e Barcelonës, goli u bë i famshëm në botë dhe u krahasua me galopimin e Maradonës në golin e jashtëzakonshëm kundër Anglisë (2-1) në Kupën e Botës 1986. Si Maradona në Kupën e Botës ashtu dhe Mesi në Kupën e Amerikës kanë shënuar me “dorën e zotit”, çka e bën edhe më perfekt krahasimin e tyre. Por, a do të mundet “Mesidona” të mundë Maradonën? Koha do ta provojë, Mesi sapo fitoi trofeun si lojtari më i mirë evropian i vitit 2009...
Numri i klikimeve - 122
E Diele, 06 Dhjetor 2009