E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesi: Me Mançesterindo jetë një finale eçmendur

SPANJE- Barcelona ka nisur përgatitjet për finalen e Ligës së Kampioneve ndaj Mançesterit, duke synuar ta fitojë këtë trofe për herë të dytë në tre vitet e fundit. Katalanasit shihen si favoritë ndaj “Djajve të Kuq”, me të cilët u përballën në vitin 2009 dhe arritën të fitonin 2-0 në Romë. Trajneri Pep Guardiola i ka lejuar Lionel Mesit të pushojë më shumë se të tjerët në prag të finales së “Uemblit”, duke shpresuar shumë tek aftësitë e argjentinasit. “Kjo është një finale dhe ajo çfarë ndodhi dy vjet më parë në Romë duhet lënë mënjanë, - deklaroi Lionel Mesi para gazetarëve. – Po përballemi me një kundërshtar të vështirë, që ka lojtarë shumë të mirë, kështu që them se do të jetë një finale e çmendur”, shtoi ylli argjentinas. Sipas tij, në këtë finale nuk ka asnjë favorit. Mesi ka shënuar 52 gola në të gjithë kompeticionet këtë sezon, ndërsa në Spanjë dueli i tij me Kristiano Ronaldon ka qenë nga më të bukurit, me portugezin që në fund fitoi Këpucën e Artë. “Mendoj se kolektivi është më i rëndësishëm, por unë isha shumë pranë edhe këtij trofeu personal. Gjithsesi, unë vetëm më duhet ta përgëzoj Ronaldon, sepse sidomos në katër ndeshjet e fundit ka shënuar shumë gola”, tha Leo Mesi. Barcelona shkon në këtë ndeshje si favorite, por për trajnerin e saj Pep Guardiola nuk duhet harruar se skuadra e Aleks Ferguson luan finalen e tretë në 4 vitet e fundit. “Nëse sheh shpirtin dhe cilësinë e Mançesterit, të krijohet menjëherë respekt, - deklaroi Pep Guardiola. – Ne jemi duke menduar se në çfarë mënyre të luajmë, të gjejmë mënyrën si mund ta sulmojmë këtë ekip”, shtoi ai. Ndryshe nga finalja e Romës, Mançesteri këtë herë do të jetë pa Kristiano Ronaldon. “Ai i jep skuadrës më shumë cilësi dhe talent në aspektin individual. Ai mund të shënojë çdo minutë. Kjo është diferenca më e madhe që shoh”, u shpreh mesfushori spanjoll Ksavi. Finalja e Champions League mes Barcelonës dhe Mançesterit do të zhvillohet më 28 maj, në stadiumin “Uembli” të Londrës. Ndërkohë, planet e Barcelonës edhe këtë herë mund të kompromentohen nga vullkani i Islandës, që ka çuar në anulimin e disa fluturimeve në Britani. Një vit më parë, katalanasit u eliminuan nga Interi pasi udhëtuan për dy ditë me autobus për të shkuar në Milano si rrjedhojë e ndalimit të fluturimeve.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›