E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesi, Piter Pani që pushtoi botën

Nuk ka shumë kuptim të ulesh me Lionel Mesin dhe t‘i kërkosh mendime pozitive për veten. Por, do të ishte e padrejtë të mbërrije në një përfundim se ai nuk është një person inteligjent. Është një gjeni që rezervon gjithë ekspresivitetin tij në fushën e blertë të futbollit. Jeta profesionale e një futbollisti është tragjikisht e shkurtër, por sa do të donin të ishin në vendin e tij? Sepse kënaqësia për të parë mrekullitë e Mesit, ato aksione të vogla, por të shpejta me maj të gishtave, ato shpërthime me shpejtësi marramendës, është diçka unike, dhe për pjesën më të madhe të njerëzve nuk ka çmim. Për Samuel Eto‘n, të shohësh se si luan Mesi është njëlloj sikur po sheh filma me kartonë. Tierri Henri tregon: "Ajo që ai bën është e jashtëzakonshme dhe duhet të tregohem i kujdesshëm që të mos magjepsem nga lëvizjet e tij". Gabriel Milito, që luan në kombëtaren argjentinase pati thënë: "Shpesh pyes veten: Si arriti ta bënte këtë dhe shkoj në ndeshje duke menduar se çfarë mund të bëjë Mesi?". Fabio Kapelo, trajneri i Anglisë dhe për shumë kohë trajneri i Realit të Madridit duke e krahasuar me Kristiano Ronaldon, pranoi se edhe pse portugezi i Mançester Junajtid luan në nivele shumë të larta, gjeniu mbetet Mesi. Për Arjen Roben të Realit "ai i përket një tjetër planeti", ndërsa Alfredo Stefano, një tjetër gjeni argjentinas shton: "Sikur ta kishim te Reali i Madridit". Por, Fiorentino Perez, për një herë të vetme duket se është i detyruar të vazhdojë të ëndërrojë. Mesi nuk do ta tradhtojë kurrë Barcelonën, ashtu si bëri dikur Luis Figo. "Nuk do të shkoj as në Madrid dhe as në ndonjë vend tjetër", ka deklaruar. Në fushë ai është një bashkim talenti, energjie dhe shkëlqimi, por përballë me gazetarët përgjigjet e tij janë të shkurtra dhe jo shumë të sakta. Ke pasur shokë te Barcelona që ju kanë ndihmuar të "rriteni" si lojtar? "Jo, në të vërtetë jo. Loja ime është gjithmonë e njëjta". Ka ndonjë lojtar nga Barça apo nga kombëtarja argjentinase që e admironi?

"Jo, mendoj se jo. Në të vërtetë jo". Ka ndonjë tjetër sport që ju intereson? Më pëlqen të shoh tenis, basketboll, por nuk është se i ndjek shumë. Kur nuk luan futboll çfarë të pëlqen të bësh?

"Të qëndroj me familjen time". Ajo që të bën më shumë përshtypje teksa bisedon me të është thjeshtësia e jashtëzakonshme që e karakterizon. Në trup nuk ka tatuazhe, vëth apo veshje sipas modës. Është ndryshe nga Kristiano Ronaldo dhe David Bekami që kur luajnë futboll apo bëjnë diçka patjetër në jetë duan që gjithë vëmendja të përqendrohet mbi ta. Mesi, thotë se nuk i sheh kurrë golat e tij pas ndeshjeve. "Jo, nuk shoh futboll. Madje as golat e mi. Më pëlqen të stërvitem, të luaj, por që të shoh jo. Nuk jam tipi që sheh futboll". I lindur në Rosario, qytet industrial rreth 300 kilometra nga Buenos Aires, Mesi jeton dhe ka jetuar gjithmonë ekskluzivisht për të luajtur futboll. Familje, miq, profesorë kujtojnë: "Ishte i turpshëm, ashtu siç është sot, por me topin shndërrohet, bëhet një tjetër person". Për ta ndaluar e vetmja mënyrë ishin shkelmat, por ai nuk dorëzohej. Njëlloj si te Barça ku sa më shumë e rrihnin, aq më shumë tentonte. Me "Newell‘s Old Boys", shënon rreth 100 gola në sezon. "Që nga mosha 3-vjeçare kam luajtur futboll thuajse çdo ditë: çdo mëngjes, çdo pasdite, çdo darkë, madje edhe brenda në shtëpi. Kujtoj që thyeja çdo gjë, ndërsa mami mërzitej dhe më bërtiste vazhdimisht". "Kur isha 13 vjeç u largova nga Argjentina. U ndava nga miqtë dhe familja ime për t‘u bashkuar me Barcelonën. Edhe pse disa nga të afërmit e mi nuk më lanë vetëm, ishte shumë e vështirë për mua të largohesha nga Argjentina në atë moshë", tregon. Nëse nuk do të kishte qenë për Barcelonën, familjen dhe "Newell‘s Old Boys", gjeniu argjentinas do të kishte mbetur më i shkurtër dhe më i dobët sesa është sot. Në vitin 2000 emigroi për në Spanjë, pasi kishte nënshkruar një kontratë me të rinjtë e Barcelonës. Transferimi i tij në klubin spanjoll lindi nga nevoja e Mesit për t‘u shëruar nga një sëmundje që e kishte prekur që i vogël dhe për të gjetur kurën e përshtatshme. Pasi u diagnostikua se vuante nga mungesa e "GH", e quajtur ndryshe "hormoni i rritjes", që nuk e lejonte të arrinte gjatësinë e duhur, Barcelona pranoi të paguante kurat mjekësore dhe falë kësaj arriti që të nënshkruante edhe kontratën me talentin e ri. Kur debutoi për herë të parë, edhe pse 12 vjeç, brenda pesë minutave Carles Rexach, një ish-futbollist dhe trajner i të rinjve të Barçës, tha: "Nuk duhet ta lëmë të ikë". Në moshën 13-vjeçare kishte fizikun e një 10-vjeçari, por me një talent të jashtëzakonshëm që do ta zhvillonte falë një pune të palodhshme dhe injeksioneve hormonale të përditshme. Kur mundi të zhvillohej aq sa shokët (ndoshta edhe më pak), zhvilloi edhe ndeshjen e tij të parë me të rinjtë në moshën 16 vjeç. Kaq mjaftoi për të parë që një talent i ri kishte lindur. Pas disa muajsh, prindërit i kërkuan të zgjidhnin nëse do të qëndronte aty apo do të kthehej në Argjentinë, për të bashkuar familjen e ndarë, por ai nuk hezitoi: donte të qëndronte te Barcelona ku edhe do të triumfonte. Një nga njerëzit më të afërt të Mesit, si në planin futbollistik ashtu edhe në atë personal është Juannjo Brau, një fizioterapist i Barçës. "Ishte gjithmonë shumë pranë njerëzve të zakonshëm, e kundërta e një ylli kinemaje. Sot është akoma kështu: i thjeshtë dhe i përulur për gjithçka. Fama nuk e ka ndryshuar. Nuk i harron kurrë njerëzit që i qëndrojnë afër dhe nuk i pëlqejnë privilegjet. Preferon të qëndrojë me njerëz sesa të rrethohet nga truprojat", tregon. "Në fushë bënte të njëjtat gjëra si sot. Edhe pse topi ishte shumë i madh. Po ai mendonte dhe ndiqte me një shpejtësi të tillë që edhe kur rivalët e kuptonin se çfarë ishte duke bërë, nuk arrinin ta ndalnin". Mesi fitoi Botërorin "Under 20" me Argjentinën dhe u zgjodh lojtari më i mirë i kampionatit. Në moshën 17-vjeçare, siç ka treguar ai vetë në një nga ato "shpërthimet" e rralla të krenarisë "u bë i famshëm". Në fund ai shton duke qeshur se: "Ishte Karlos Bilardo (trajner në kohën e Maradonës) që tha se nëse do t‘i bënim një radiografi do të kishim gjetur ndonjë objekt të rrumbullakët nën këmbët e tij. Topi gjendet në çdo pjesë të trupit". Kur e pyeta se ashtu siç thoshin brazilianët topi duhet përkëdhelur sikur të ishte grua, Mesi skuqet, por nuk e mohon.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›