Dorothy Parker, shkrimtarja tragjikomike
Një ekzistencë mes alkoolit dhe dashurive të shumta, mes dëshpërimit dhe çmendurive. E papajtuar me borgjezinë e zhurmshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës së viteve ‘20, u përjashtua prej Hollivudit për shkak të ideve të saj komuniste. E kishte zili madhështinë e Hemingway-t, por edhe emri i saj do të mbetet përherë ndër më të mëdhenjtë e letërsisë. Dorothy Parke ishte shtatshkurtër, kishte sy të mëdhenj, gati përherë melankolikë e të përhumbur, me syzat prej miopeje që i mbante thuajse fshehurazi ("sepse burrat rrallë miklojnë vajzat që mbajnë syze"), dhe me një ton gjysmë të ëmbël bazuar në dëshpërimin dhe hidhërimin që u frymëzua ndaj të ashtuquajturit "Brez i humbur". Në më të famshmen ndër poezitë e saj, Dorothy Parker kalon në mend të gjitha mënyrat e mundshme për të vrarë veten. Por duke qenë se "brisqet shkaktojnë dhimbje/ lumenjtë janë të ftohtë/ acidi lë gjurmë/ droga të shkakton dhimbje barku/pistoletat janë ilegale/ gazi është i neveritshëm.../Epo ia vlen të jetosh". Ky është talenti i saj: të shikojë anën qesharake edhe në tragjeditë më të hidhura njerëzore. Sepse, siç ka thënë dikush, "ajo ka zbuluar të vërtetë më të rëndë, por edhe më të shëndetshme në të njëjtën kohë: në fatkeqësitë tona më të ndjera, ka gjithmonë diçka komike". Intelektualja, shkrimtarja brilante nga Nju Jorku, Dorothy Parker, gjatë krijimtarisë së saj iu kushtua gazetarisë mondane, si dhe shkrimit të romaneve, duke dalluar sidomos për stilin e saj elegant. Në poezitë dhe tregimet e saj shfaqet shpesh melankolia e thellë dhe sensi i saj i vetëshkatërrimit, të cilat megjithatë i transmeton me një stil unik e të dallueshëm cinizmi. Emri i saj i vërtetë është Dorothy Rothschild. Ajo lindi në New Jersey (SHBA), në 22 gusht 1893. E rritur në një familje të pasur, ajo mbetet jetime nga nëna kur ishte ende tepër e vogël. Merr një edukim të shkëlqyer dhe nis të shkruajë poezi që në adoleshencë. U vu re menjëherë për stilin e saj të paskrupullt dhe të athët, ndaj në vitin 1917 e kërkojnë të punojë për revistën e famshme "Vanity Fair", e më pas edhe për "New Yorker" e "Vogue". Shumë shpejt bie në sy për cinizmin e pamëshirtë me të cilin shkatërron një spektakël të shëmtuar dhe për sarkazmin elegant nëpërmjet së cilit flet për të gjithë e për gjithçka. Po në vitin 1917, shkrimtarja martohet me Edward Pond Parker II, i cili pak pas martesës niset për në luftë. Pasi kthehet, e gjen të shoqen të zhytur në probleme të mëdha me alkoolin, gjë që e detyron t‘i kërkojë divorcin në vitin 1928. Ndërkaq, në fillim të viteve ‘20, Dorothy Parker është bërë e njohur në ambientet gazetareske, letrare e teatrore. Në vitin 1922 njihet me komediografin Charles MacArthur, me të cilin nis një marrëdhënie të zjarrtë dashurie, që do t‘i kushtojë braktisje, por edhe një abort. Për shkak të kësaj lidhjeje, vihet re një zhvillim i mëtejshëm i karakterit të saj të athët e skeptik. Gjuha e saj është therëse, pasioni për pijet alkoolike dhe stili i jetës i papërmbajtshëm, duke e kthyer kështu në një personazh të vërtetë: për të gjithë ajo është "gruaja më me humor e Nju Jorkut". Në vitin 1929 fiton çmimin letrar "O. Henry", me novelën "Big Blonde". Ajo vazhdon të publikojë dhjetëra tregime dhe poezi, duke arritur një sukses të admirueshëm, por alkoolizmi dhe historitë e dështuara të dashurisë bëjnë që të kalojë një depresion të thellë, aq sa tenton edhe vetëvrasjen. Në vitin 1933 martohet me shkrimtarin Alan Campbell, 11 vjet më i vogël se ajo, me të cilin nis edhe një bashkëpunim i ngushtë, kur në gjysmën e viteve ‘30 thërritet nga Hollivudi si skenariste. Por në vitin 1939 ndodh që shkrimtarja, falë botimit të përmbledhjes me tregime "Bota ime është këtu", fiton famën ndërkombëtare, duke u njohur zyrtarisht si një "shkrimtare e madhe". I shfaqi hapur idetë e saj socialiste- në vitin 1922 mbështet protestën kundër dënimit me vdekje, dhe në vitin 1937 bëhet pjesë e Luftës Civile në Spanjë - për këtë arsye e largojnë nga Hollivudi, duke i shkaktuar edhe mjaft probleme me qeverinë, që në vitin 1943 i mohon vizën për të shkuar në Evropë si e dërguar për luftën, dhe në vitet ‘50 e heton dhe e dënon. Bota e saj u shemb përfundimisht kur në vitin 1945 Robert Benchley i saj i dashur, vdes pas një hemorragjie cerebrale, në një kohë kur edhe marrëdhënia me Campbell nuk është aspak e mirë: ata divorcohen në ‘47-ën, për t‘u martuar sërish në vitin 1950, ndahen sërish në 1953, për t‘u ribashkuar në vitin 1957, dhe nuk u ndanë më deri kur ai ndërroi jetë në vitin 1963.
Në vitet ‘50, Dorothy Parker gjithnjë e më shumë shfaqet e rënë në depresion. Është kthyer tërësisht në një viktimë të alkoolit. Për fat të mirë në vitin 1958 vlerësohet me një çmim të rëndësishëm letrar, që duket se i ndryshon disi gjendjen emocionale. I kalon vitet e fundit të jetës në një dhomë hoteli në Nju Jork. Ka shumë probleme me shëndetin e pak para në xhep. E jashtëzakonshmja Dorothy Parker shuhet e alkoolizuar në 7 qershor 1967, në moshën 74-vjeçare. Si trashëgimtar universal të krijimeve të saj lë Martin Luther King. Ishte një mbështetëse e fortë e tij. Goditja e saj e fundit gjeniale ishte epitafi që dëshiroi të kishte mbi varr: "Më falni për pluhurin". Ëndrra më e madhe e Parker-it ishte të shkruante të paktën një tregim që të mund të krahasohej me ato të Hemingway-t, edhe pse brishtësia, humori, dëshpërimi i prozës së saj nuk kanë nevojë për të tilla krahasime: Parker do të mbesë përherë krah të mëdhenjve, gjenive të letërsisë amerikane.
Në vitet ‘50, Dorothy Parker gjithnjë e më shumë shfaqet e rënë në depresion. Është kthyer tërësisht në një viktimë të alkoolit. Për fat të mirë në vitin 1958 vlerësohet me një çmim të rëndësishëm letrar, që duket se i ndryshon disi gjendjen emocionale. I kalon vitet e fundit të jetës në një dhomë hoteli në Nju Jork. Ka shumë probleme me shëndetin e pak para në xhep. E jashtëzakonshmja Dorothy Parker shuhet e alkoolizuar në 7 qershor 1967, në moshën 74-vjeçare. Si trashëgimtar universal të krijimeve të saj lë Martin Luther King. Ishte një mbështetëse e fortë e tij. Goditja e saj e fundit gjeniale ishte epitafi që dëshiroi të kishte mbi varr: "Më falni për pluhurin". Ëndrra më e madhe e Parker-it ishte të shkruante të paktën një tregim që të mund të krahasohej me ato të Hemingway-t, edhe pse brishtësia, humori, dëshpërimi i prozës së saj nuk kanë nevojë për të tilla krahasime: Parker do të mbesë përherë krah të mëdhenjve, gjenive të letërsisë amerikane.