Mesi sfidon super-Gjermaninë. Maradona: Ne jemi më të fortë
Argjentinë-Gjermani, së bashku me Holandë-Brazil, është një prej dy sfidave më spektakolare të çerekfinaleve të botërorit afrikanojugor. Të shtunën, në orën 16.00, në stadiumin “Green Point” të Kejp Taunit, në fushën e lojës do të zbresin dy përfaqësuese që kanë fituar 5 herë Kupën e Botës: latinët kanë triumfuar dy herë në histori, ndërsa europianët tri herë. Përballja e fundit ndërmjet argjentinasve dhe gjermanëve është një prej atyre ndeshjeve që nuk harrohen lehtësisht: në aktivitetin e vitit 2006, Gjermania fitoi pas 11-metërshave, pikërisht në çerekfinale. Rastësisht edhe aty, Argjentina kishte eliminuar Meksikën. Gjithsesi, tashmë skuadra e drejtuar nga Diego Maradona hyn në fushë si favorite, madje ka në anën e saj edhe historinë: bardhekaltrit kanë fituar tetë nga 13 ndeshjet e luajtura. Argjentinë-Gjermani është sfida ndërmjet pretendenteve për Kupën e Botës, ndërsa dy skuadrat po përgatiten në mënyra të ndryshme. Te “selesion” ai që spikat është trajneri Maradona, me të bërtiturat e tij, gjestet dhe surprizat (shpeshherë gazmore) gjatë seancave stërvitore. “Pibe de Oro” kontrollon plotësisht uljen dhe ngritjen e volumit të seancave stërvitore, ashtu sikundër bëjnë Lionel Mesi me lëvizjet e jashtëzakonshme dhe Gonzalo Higuain me golat që realizon. Në kampin tjetër, Gjermania përgatitet pa shumë zhurmë, optimizëm për t’u kualifikuar më tej, por mbi të gjitha me shumë qetësi. Tekniku Joakim Lëv i imponon skemat e tij te të rinjtë edhe falë ndihmës së veteranëve Lahm dhe Klose, ndërsa ka besim maksimal te kualiteti i të rinjve Myler dhe ëzil.
Dueli i nesërm mund të zgjidhet në disa mënyra. Argjentina ka një repart sulmues të frikshëm. Higuain është golashënuesi më i mirë i turneut me 4 gola, ndërsa Tevez u shfaq vendimtar në ndeshjen me Meksikën, duke realizoi dy rrjeta. Mesi vazhdon të dhurojë emocione sa herë që ka topin nëpër këmbë, pavarësisht se gjatë katër ndeshjeve të para nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës. Mesfusha është solide: Maskerano në rolin e organizatorit ndoshta nuk ka idetë dhe vertikalizimet e Veron, por është i fortë si një shkëmb. Përkrah tij luajnë, blerja më e fundit e Realit të Madridit, Di Maria dhe Maksi Rodriguez. Vetëm mbrojtja duket se nuk është në nivelet e reparteve të tjera: lojtarët e krahut nuk japin ndonjë kontribut të veçantë në manovrat sulmuese, ndërsa dy qendrorët Burdiso dhe Demikelis shfaqin vazhdimisht pasiguri. Gjithsesi, duhet pasur parasysh faktori Maradona. Me karizmën e tij, trajneri ka mbajtur të bashkuar skuadrën, duke krijuar një atmosferë të mirë që shfaqet edhe në fushën e lojës. Për sfidën me Gjermaninë, ai deklaroi: “Jam i qetë përpara ndeshjes, pasi jemi më të mirë se kundërshtarët”. Gjermania është një skuadër e re, e disiplinuar në fushë dhe mjaft e talentuar. Mbrojtja ka dhënë më tepër siguri nga sa parashikohej, në mesfushë, ku përkrah Shvajnshtajger luajnë ëzil e Myler, të cilët kanë shkëlqyer. Nuk mund të harrohet sulmi, ku Klose, edhe pse nuk është cilësuar asnjëherë si një lojtar i jashtëzakonshëm, duket se ia ka marrë dorën shënimit të golave në Kupën e Botës.
#