E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesila Doda: FRESSH-in sot po e drejtojnë ata që punuan kundër PS - Erion Veliaj, hajduti i kompjuterave të Mjaft-it

16-01-2012 / Gazeta 55

Zhvillimet politike brenda forumit rinor socialist, s’kanë kaluar jashtë vëmendjes së partive të tjera politike, kjo për shkak të veçorisë dhe precedentit të krijuar nga pengmarrësi i Partisë Socialiste, Edi Rama. Si të mos mjaftonte kooptimi total i çdo sfere vendimmarrëse të Partisë Socialiste, duke filluar nga Kongresi, Asambleja, Kryesia dhe Sekretariati, në lupën e diktatit të “kultit të individit”, ka rënë edhe forumi rinor socialist (FRESSH). Procedurat e ethshme klienteliste të yshtura nga pazarexhinjtë dhe uzurpatorët e meritave të të tjerëve, për hir të mbizotërimit të pushtetit politik brenda PS-së me qëllim angazhimin rekord të fushatës së shpifjeve, protestave dhe demonstratave të dhunshme si ajo e 21 janarit të vitit të shkuar, është pikënisja e rrëzimit të rendit demokratik dhe marrjes së pushtetit nga pinjollët e diktaturës komuniste. Jo më kot, radha i erdhi të vetmes strukturë vendimmarrëse dhe me rëndësi të mëdha të PS-së, FRESSH-it, i cili prej vitesh me radhë ishte lënë në gjendje të fjetur. Një politikë e ashpër denoncuese u ndoq për vite me radhë ndaj themeluesve dhe drejtuesve ndër vite të FRESSH duke filluar nga Ilir Meta, Ilir Zela, Monika Kryemadhi, Gjergj Koja dhe Pandeli Majko (të cilin e larguar drejt Nju Jorkut dy ditë para mbajtjes së Konventës). Dhe si përfundim u arrit ajo që synohej; të shtihej në dorë e vetmja strukturë vitale, moderne dhe demokratike e PS-së që vinte si pasardhëse e PPSH-së. Ndërkaq, referuar zhvillimeve të papërshtatshme në Konventën e FRESSH-it, deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda ka akuzuar kryetarin e komanduar, Erion Veliaj për kontributin e tij për lënien në opozitë të Partisë Socialiste, kur ishte në krye të lëvizjes “Mjaft”. “Ardhja e zotit Veliaj në krye të FRESSH duhet të shqetësojë gjithë bazën politike socialiste, por edhe më gjerë. Jo vetëm për faktin se këtë organizëm e drejton njeriu që në target grupin e sulmit të tij kishte të rinjtë e plakur siç thoshte vetë ai, por edhe se ka qenë një faktor i rëndësishëm në rrëzimin e qeverisjes socialiste, gjithashtu dhe për problematikën që e ka shoqëruar gjatë gjithë aktivitetit të tij”- u shpreh ligjvënësja demokrate, Mesila Doda. Ajo theksoi se në krye të Mjaft-it, Erion Veliaj solli një sërë problematikash, siç ishte ngjarja e kompjuterëve të zhdukur të kësaj organizate, e cila krijoi mjaft paqartësi të kësaj organizate më donatorët holandezë, gjë që sipas deputetes demokrate, nuk është zbardhur ende. Mesila Doda kujtoi se Erion Veliaj ka qenë i akuzuari kryesor për zhdukjen e kompjuterit të financave të “Mjaft”-it. Deputetja e PD vuri në dukje se “Veliaj është autori i dizinformimit të ambasadorëve të huaj dhe eurudeputetëve edhe për telenovelën “Griselda”. Ndërkaq, Doda e akuzoi kryetarin e komanduar të FRESSH, Erion Veliaj edhe si autor të shkrimeve ku ai i cilëson shqiptarët “komb fshatarësh” për të cilat ende edhe sot ai nuk ka dhënë ndonjë shpjegim. Deputetja e PD solli në vëmendje gjithashtu, mungesën e themeluesve të FRESSH në këtë 20 vjetor. “Ajo që spikaste në këtë Konventë ishte mungesa e themeluesve të këtij organizmi partiak dhe drejtimi nga persona që kanë punuar pa kursim me Partinë Demokratike në rrëzimin e qeverisjes socialist”- tha ajo. E vetmja gjë pozitive sipas saj në këtë përvjetor të FRESH është se “Më në fund Rama e kuptoi që Shqipëria është në moshën dixhitale”. “Konventa e sotme pati vetëm një fakt pozitiv. Kryetari i PS më së fundmi e kuptoi që Shqipëria është në moshën e internetit. Ne kishim 6 vjet që i thoshim që Shqipëria është në moshën dixhitale, por ky është shembulli i të kuptuarit vonë”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›