Basha kritikon kryebashkiakun e Elbasanit
Kandidati i Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, Lulzim Basha, sulmoi ashpër kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, i cili, sipas tij, për përfitimet e tij personale po abuzon në kurriz të tregtarëve, "të cilët punojnë gjithë ditën e nuk arrijnë dot të mbajnë familjen, por vetëm të paguajnë qiratë e majme, prej të cilave përfiton edhe kryebashkiaku", theksoi Basha. Kandidati i Partisë Demokratike deklaroi se kjo forcë politike do ta ndryshojë shumë shpejt gjendjen. "Jam i skandalizuar nga ajo që shoh në këtë treg. Gjej një numër tregtarësh që punojnë gjithë ditën si skllevër dhe nuk nxjerrin dot as bukën e gojës. Një pjesë e tyre nuk nxjerrin as qiranë, e cila është shumë e lartë. Lëvizja e tregut nga Namazgjau e ka rrënuar biznesin", tha Basha. Sipas tij, kjo situatë është krijuar nga kryetari i bashkisë dhe një grup njerëzish të cilët pasurohen duke vjelë taksat.