Mesila Doda: Nuk e di si mund të qeverisë vendin Rama, pasi sillet më keq se një adoleshent
Raund të hidhur, për të cilin mazhoranca investoi çdo gjë, duke kaluar dhe kufinjtë e vetes. Kështu e sheh raundin e parë të votimit për kreun e ri të shtetit, deputetja e PD-së Mesila Doda. Duke folur për Ora News, ajo ia faturoi këtë dështimlidershipit të selisë rozë, zotit Rama, duke u shprehur se ai nuk dha konsensus për atë çfarë vetë kishte kërkuar, president as nga PD, as nga PS. Duke e konsideruar qëndrimin e tij një sjellje guerile, ajo e cilesoi lidhjen e katër kushteve të PS me zgjedhjen e Presidentit të pavend në një moment kyç për vendin.
Në pikëpamjen time si politikane është një raund i parë i ezauruar. Si qytetare e shoh si një raund që nuk la shije të mirë, jo se nuk kërkuam zgjidhje. Ne si mazhorancë tejkaluam veten për të vazhduar atë klimë të qetë në një moment kaq të rëndësishëm për vendin. Fillimisht kryetari i PS kërkoi një kandidat jashtë PS dhe PD, dhe ne për të pasur mundësinë të japim diçka të tillë konkluduam një figurë të rëndësishme, jashtë përfoljes. Zaganjori është një figurë mjaft e kompletuar. PS erdhi me 4 kushte tjera, është një sjellje guerile. Të gjitha çështjet janë kushte për integrimin e vendit dhe jemi të angazhuar për diçka të tillë, por s’kanë asnjë lidhje me Presidentin. Nuk e di si ky person do mund të qeverisë një ditë, kur nuk është stabël në qëndrimet e tij. Një sjellje e tillë nuk do të ishte luajale as nga ndonjë adoleshent. Kishim gjithë të drejtën tonë të zgjedhim një kandidat nga mazhoranca, u shpreh ajo.
Por nëse çdo dritare konsensusi për Presidentin mbyllet, kësaj mazhorance i mbetet asi i fundit në lojë, numrat. Zonja Doda e përjashton këtë llogari nëse do të ketë vetëm një reflektim opozitar për të mos e shndërruar çështjen e Presidentin në pazar. Ndërsa lidhur me mundësinë e një mocioni ndaj qeverisë, Doda shprehet se Rama nuk ka një përvojë poziteve as në këtë drejtim.
Duhet të ezaurojmë çështjen hap pas hapi. U kërkua t’i japim një frymëmarrje tjetër procesit dhe ne këtë po bëjmë. Është e mundshme, mjafton që në këtë moment të kemi një reflektim nëse nuk kërkojnë t’i bëjnë një lloj tregtie dhe Presidentit. Presidenti është një person kyç për drejtësinë shqiptare që kërkon ndërhyrje të menjëhershme. E majta duhet tu qëndrojë kërkesave publike që ka bërë, s’e konsideron dot si një lopë për tu mjelë. Nuk është moment për tu përdorur formula të tilla, por s’është hera e parë. Mocioni dhe kriza politike është një terminologji e përsëritur, nuk na shtin më frikën. Çdo gjë që parashikohet në Kushtetutë mund të përdoret nga secila palë politike, por çdo mocion që kanë tentuar të bëjnë është kthyer kundër tyre. Janë disa parime që për opozitën mund të duken të huaja, por politika ka disa shina në të cilat vendos të ecë, përfundoi Mesila Doda.