Gjykata e Tiranës liron 13 protestuesit
Gjykata e Tiranës liroi dje 13 protestuesit e Partisë Socialiste, të cilët u ndaluan nga policia tri ditë më parë kur protestuesit bllokuan disa akse kryesore. Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurimit “detyrim paraqitje” një herë në javë në prokurori. Megjithatë, arrestimi i 13 protestuesve të Partisë Socialiste është cilësuar i ligjshëm nga Gjykata e Tiranës. Gjyqtari i gatshëm Altin Abdiu vendosi dje që protestuesit të paraqiten çdo të hënë të javës së parë dhe të tretë të çdo muaji përpara oficerit të policisë gjyqësore. Gjatë seancës së djeshme për caktimin e masës së sigurisë në ngarkim të protestuesve kanë qenë prezentë edhe deputetët e PS-së, Dash Preza dhe Xhemal Qefalia, si dhe të afërm të tyre. Fillimisht prokurori i çështjes, Blerim Tominaj, i bëri me dije gjykatësit të gatshëm Altin Abdiu se protestuesit kanë cenuar ligjin me bllokimin e mjeteve të transportit. Për këtë arsye, përfaqësuesi i akuzës kërkoi vlerësimin e ligjshëm të arrestit të flagrancë, si dhe caktimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”. Ndërkohë që mbrojtësit e të pandehurve Hasan Bara dhe Agim çekrezi u shprehën dje se policia kishte shkelur kushtet e flagrancës, pasi asnjëri prej protestuesve nuk ishte kapur gjatë protestës, por disa orë më vonë. Një prej të pandehurve, Bejdulla Ulliri, akuzoi forcat e policisë se e kishin arrestuar aksidentalisht. Në deklarimet e tij të dhëna para gjykatës ai u shpreh se kishte dalë shëtitje me familjen dhe ishte bllokuar në trafikun e krijuar nga protesta. Ndërkohë që të akuzuarit e tjerë nuk dhanë asnjë shpjegim para gjyqtarit të gatshëm Altin Abdiu. Në fund, mbrojtësit kërkuan lirimin e klientëve të tyre, vendim i marrë më pas nga gjykata. Protestuesit u arrestuan tri ditë më parë për protestën e kryer në Urën e Peshkatarit në periferi të Tiranës. Mbi ta, Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuzën e “pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit”, e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal. Deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia, pak minuta pas përfundimit të seancës për caktimin e masës së sigurisë në ngarkim të protestuesve është shprehur se “ju e patë që ishte një veprim qesharak i policisë, padyshim që vendimi i gjykatës është një vendim i drejtë. “Këta njerëz nuk ishin për të goditur njeri, nuk ishin për të shkatërruar, por ishin në mbështetje të grevistëve. Ju i shikoni këtu. Ka edhe me dhjetëra të tjerë, këta do jenë përsëri në mbështetje të grevistëve, pasi kauza e tyre është një kauzë e drejtë”, tha Qefalia.
#