Vizitë te kushëriri, vjedh shtëpinë e fqinjit
Shkon te kushëriri, i vjedh komshiun. Ngjarja ka ndodhur ditën e shtunë, në fshatin Gjolenë, Komuna Kajan, rreth 40 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Sipas burimeve të policisë lokale, mësohet se 19-vjeçari Klodian Çala, banues në fshatin Bradashesh, të Rrethit të Elbasanit ka vjedhur banesën e 41-vjeçarit Sulejman Gega, banues në fshatin Gjolenë. Të njëjta burime bëjnë të ditur se Gegës i është grabitur një shumë prej dhjetëmijë euro dhe dyqind mijë lekësh. Sapo ka konstatuar grabitjen që i është bërë, i dëmtuari ka denoncuar në polici. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar një grup ekspertësh kriminalë, të cilët nga veprimet e para hetimore konstatuan se autori i grabitjes, fillimisht ka hapur me levë derën e dhomës së gjumit dhe më pas është futur brenda saj. Ai ka shkuar në dollapin e rrobave dhe ka marrë prej andej shumën e të hollave. Sipas të njëjtave burime, rezulton se autori i vjedhjes se banesës është 19-vjeçari Klodian Çala, i cili tashmë është shpallur në kërkim, ndërkohë që uniformat blu janë duke punuar për kapjen dhe shoqërimin e tij. Mësohet se 19-vjeçari e njihte mirë këtë banesë, pasi ishin fqinj me një kushëririn e tij në këtë fshat.
Be. Dy.
Be. Dy.