E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri rrezikon një pus nafte

Një zjarr i fuqishëm i rënë paraditen e së dielës ka djegur 20 hektarë sipërfaqe pylli, ndërsa ka rrezikuar shpërthimin e një pusi nafte. Forcat zjarrfikëse e kanë pasur të vështirë lokalizimin dhe shuarjen e flakëve, si shkak i terrenit të thyer e malor. Mjetet zjarrfikëse nuk i janë afruar vatrave të shumta të zjarrit, ndërkohë që kanë punuar për më tepër se gjashtë orë për të vënë situatën nën kontroll. Sipas informacioneve të repartit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi në Prefekturën e Fierit mësohet se zjarri është sinjalizuar rreth orës 09:00 të së dielës. Flakët fillimisht kanë rënë në një masiv me shkurre, në afërsi të fshatit Gjorgoz, Komuna Cakran, rreth 18 kilometra larg Fierit. Banorë të fshatit Gjorgoz kanë dhënë alarmin, pasi po u rrezikoheshin banesat. Po punohet për shkakun e rënies së këtij zjarrit. Burime zyrtare shprehen se shkak mund të ketë qenë ose ndonjë bari i zonës, ose ndonjë kalimtar i rastësishëm.

Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›