Bare, dëshmi për gjoba e vrasje
Armand BajramiGjykata për Krimet e Rënda u njoh dje me dëshmi të reja kundër të pandehurve si anëtarë të “bandës së Lushnjës”. Në kohën kur në një sallë tjetër të gjykatës po zhvillohej procesi ndaj Aldo Bares, i akuzuar si kreu i kësaj bande, vëllezërit Bajram e Albert Taullau, si dhe Fatos Bilbili rrëfyen krimet e bandës famëkeqe në dëm të tyre. Vëllezërit Taullau thanë para togave të zeza se u ishin vendosur gjoba dhe ishin kërcënuar me shpërthime tritoli vetëm se vëllai i tyre nuk kishte pranuar të bëhej “palë” me Aldo Baren. Ndërsa dëshmitari Fatos Bilbili u shpreh se vëllai i tij, Luan Bilbili, ishte vrarë në gusht të vitit 1998, për shkak se kishte miqësi me Artur Dajën, kundërshtarin e përbetuar të Aldo Bares. Në seancën e djeshme, asnjë nga të pandehurit nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Të pandehurit e kësaj dosjeje janë Arben Borici, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion (Niko) Cici, Arjan Aliço, Jorgo (Agur) Muzaka (Musaku) dhe Rexhep Gina.DESHMITEDëshmitari Bajram Taullau, tha dje se konflikti mes familjes së tij dhe “bandës së Lushnjës” kishte nisur në momentin që vëllai i tij Sajmir Taullau kishte refuzuar ftesën e Alfred Shkurtit (Aldo Bares) për “bashkëpunim”. “Alfred Shkurti kishte biseduar me Saimirin në fillim dhe i kishte thënë: hajde dhe bashkohu me ne, bëhu krahu jonë. Vëllai i kishte thënë ‘nuk dua të ngatërrohem me ju. Nuk kam punë që të vij me ju, pavarësisht se kemi pesë pare muhabet bashkë”, tha dëshmitari. Sipas dy vëllezërve që dëshmuan dje kjo ishte zanafilla që u pasua në vitet në vijim me gjobëvënie dhe me kërcënime fizike. “Në pranverë të vitit 1997 Arjan Aliço erdhi tek karburanti i Bakiut. Na tha që na kërkonte profesori (nofka me të cilën thirrej Aldo Bare). Bakiu fillimisht nuk pranoi të shkonte, por pastaj iku. Më vonë vëllai më tha që kishin shkuar tek një lokal. Aty ishin ulur Arben Boriçi, Ilir Stërgu dhe Enver Dondollaku. Gjatë bisedës ata e kishin pyetur për vëllain tjetër, Sajmirin. I kishin thënë që “Profesori” kishte dhënë urdhër që Sajmiri të largohej nga qyteti i Lushnjës. Arsyeja ishte se Sajmiri nuk kishte pranuar që të bëhej “palë” me Alfred Shkurtin”, tha dje dëshmitari Albert Taullau. Sipas dëshmitarit, në vitin 1998 atij i kishin shpërthyer një sasi tritoli në ballkonin e shtëpisë. Një vit më pas, në kohën kur ndodhej pranë karburantit të vëllait të tij Bakiut, drejt tyre ishte qëlluar me armë, ngjarje në të cilën ishte plagosur. Sipas dëshmitarëve, “terrori” i bandës kishte vijuar me gjobëvënie. “Vinte kunati i Enver Dondollakur dhe na kërkonte para. Njëherë Sajmiri i ka dhënë para kunatit të Dondollakut. Këtë ma tha Bakiu. Herën e parë kemi dhënë 4 milionë lekë të vjetër. Një herë tjetër kam dhënë 10 milionë lekë për ta mbyllur ‘muhabetin’”, rrëfeu dëshmitari Albert Taullau. Sipas dëshmitarëve kohë më vonë, Enver Dondollaku duke komunikuar në telefon me vëllain e tyre, Bakiun, u kishte kërkuar 500 mijë euro, shifër që nuk ishte paguar prej tyre.Rrëzohet kërkesa për Fatmira Hajdarin TIRANE – Kërkesa e Aldo Bares, për lirim nga qelia për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit u rrëzua dje nga Gjykata për Krimet e Rënda. Sipas pesëshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, kërkesa e të akuzuarit si kreu i “bandës së Lushnjës” ishte e pabazuar në ligj. Para shqyrtimit të kësaj kërkesë, në seancën e djeshme, kryesuesja Hajdari relatoi para palëve refuzimin nga titullari i Krimeve të Rënda të dorëheqjes së saj si kryesuese e gjykimit. Duke cituar vendimin e kryetarit të Gjykatës për Krimet e Rënda, gjyqtarja Hajdari tha se “paragjykimet politike nuk merren parasysh, pasi gjykata është organ i depolitizuar”. Mbrojtësi ligjor i Bares, avokati Vladimir Meçi, argumentoi dej para gjykatës se klienti i tij mbahej padrejtësisht në burg, pasi afatet e tij të paraburgimit kishin skaduar. “Në 10 korrik të vitit 2008 vendimi për mbajtjen në paraburgim ndaj klientit tim e ka humbur fuqinë. Në këtë mënyrë që prej 1 viti e 5 muajsh klienti im mbahet në burg në kundërshtim me ligjin dhe pa një vendim gjykatë”, tha dje avokati Meçi. Ndërsa përfaqësuesit e akuzës u shprehën se afati i paraburgimit për Baren fillon pas ekzekutimit të masës së arrestit ndaj tij në Shqipëri, menjëherë pas ekstradimit. Pasi rrëzoi kërkesën e Bares për “liri” gjykata shtyu seancën, për t’i dhënë kohë të pandehurit të njihet me dosjen. Në përfundim të seancës togat e zeza vendosën pezullimin e afateve të paraburgimit për të akuzuarin Aldo Bare. ar.ba